Thuajse e gjithë NBA-ja ka zbritur në fushë sot në ndeshjet e radhës së kampionatit, me Boston Celtics që vazhdon të komandojë në Konferencën e Lindjes pas fitores 117-92 ndaj Chicago. Fitore e merituar e skuadrës vendase, që korri fitoren e 28-të sezonale, ndeshje ku 7 lojtarë të Boston realizuan mbi 10 pikë, me irving që ishte sërish lider në parket (25 pikë).
New Orleans ka befasuar skuadrën e Miami, duke fituar 109-94 në fushën e këtij të fundit, duke parakaluar në renditje pikërisht skuadrën nga Florida për një vend në play off. 43 pikët e realizuara nga lojtarët e stolit bënë diferencën në parket për Pelicans në këtë sfidë.
Fiton edhe Atlanta, që mundi 112-107 Dallas në një ndeshje me rivalitet dhe emocione deri në fund, ku u përballën dy skuadra që kanë zhgënjyer këtë sezon. Schroder realizoi 33 pikë për Atlantën. Oklahoma, falë 27 pikëve, 10 asist e 10 rebaund të Westbrook mundi 103-89 Utah Jazz jashtë fushe, duke korrur fitoren e 19-të sezonale dhe ngjit shkallët në renditje në Konferencën e Perëndimit.
Humbasin të dyja skuadrat e Los Anxhelosit, me Clippers që u mundën 115-112 nga Memphis, në një ndeshje me rivalitet deri në fund edhe pse vendasit patën vazhdimisht kontrollin e lojës. U dallua Evans, me 30 pikë, duke i bërë të pavlefshme 38 pikët e Rivers dhe 36 të Williams për kalifornianët. Humbje edhe për Lakers, që në fushën e tyre u mundën 95-92 nga Portland, një tjetër sfidë me rivalitet.
Clarkson e Kuzma realizuan nga 18 pikët për Lakers, por që mbetën për statistikë, ndërsa për miqtë u dalluan Harkless me 22 pikë dhe Napier me 21. Jashtë fushe fiton edhe San Antonio, që mundi 108-99 Sacramento, ndeshje e dominuar nga Spurs, që qëndrojnë forca e tretë në Konferencën e Perëndimit.
Aldridge realizoi 29 pikë e 10 rebaund, mbështetur edhe nga veteran Pau Gasol, që realizoi “triple double” me 14 pikë, 11 rebaund e 10 asist. Surprizë humbja e ekipit kampion të Golden State, që u mund 96-81 në fushën e tij nga Denver, falë një loje të mirë kolektive të ekipit mik (Harris 19 pikë).

REZULTATET E SOTME
Toronto – Philadelphia, 102-86
Charlotte – Milwaukee, 111-106
Indiana – Brooklyn, 123-119
Washington – Orlando, 130-103
Atlanta – Dallas, 112-107
Boston – Chicago, 117-92
Memphis – Clippers, 115-112
Miami – New Orleans, 94-109
Utah Jazz – Oklahoma, 89-103
Golden State – Denver, 81-96
Phoenix – Minnesota, 106-115
Lakers – Portland, 92-95
Sacramento – San Antonio, 99-108

