Futboll Seria A

Lazio-Udinese dhe Sampdoria-Roma, Seria A rikuperon dy ndeshjet e prapambetura

Më në fund, tabela e klasifikimit në Serinë A pritet të plotësohet, teksa kampionati italian do të rekuperojë dy ndeshjet e prapambetura, që, si për ironi të fatit, shikojnë për protagoniste pikërisht dy skuadrat e kryeqytetit, Lazio dhe Roma. Viti 2018 duket vërtet i mbarë për Lazion, sepse pas shumë kohësh në Qytetin e Përjetshëm janë “bardhekaltërit” ata që komandojnë.

Sot në mbrëmje, në orën 18:30, ekipi i Simone Inzaghi-t do të presë në “Olimpico” Udinezen, që zbret në kryeqytet nën drejtimin e ish-it të famshëm, Massimo Oddo, që e mori timonin vetëm më 21 Nëntor, por që në këto anë nuk harrohet dot lehtë, pasi ka mbajtur veshur për plot pesë sezone fanellën e Lazios, bashkë me asistentin e tij Luciano Zauri. Pavarësisht barazimit zhgënjyes me Spalin në fundjavë, 41-vjecari abrucez ka ndryshuar dukshëm sezonin e klubit friulan, që tashmë pozicionohet rregullisht në gjysmën e parë të renditjes.

Për momentin, Udineze klasifikohet në vendin e nëntë, me plot 14 pikë më pak se sa Lazio, megjithatë loja e ekipit ka ndryshuar si nata me ditën dhe kjo gjë bën që në “Olimpico” të pritet një ndeshje vërtet shumë e bukur, pavarësisht se “bardhezinjtë” në kryeqytet kanë humbur 5 nga 6 përballjet e fundit ndërmjet tyre. Vendasit kanë shënuar nga pesë gola në dy takimet e fundit të kampionatit italian dhe natyrisht përbëjnë edhe forcën e parë sulmuese në Serinë A, me 53 gola gjithsej. Do të mungojë Ciro Immobile, por gjithashtu edhe qendërmbrojtësi De Vrij. Golashënuesi më i mirë i kampionatit italian pritet të zëvendësohet në sulm nga Felipe Anderson, sidoqoftë përpara Inzaghi mund të mbështetet pa frikë te një talent i jashtëzakonshëm, sic është 22-vjecari Milinkovic – Savic, ndërsa në mbrojtje me shumë gjasa do të debutojë uruguajani Martin Caceres.

Ndeshja Lazio – Udinese duhej të ishte luajtuar më datë 5 nëntor, ndërsa takimi tjetër Sampdoria – Roma ishte programuar për t’u zhvilluar që më datë 8 shtator, por gjithsesi që të dyja sfidat u shtynë për shkak të rreshjeve të mëdha të shiut, që e bënë të pamundur organizimin e tyre.

Në orën 20:45 në Genova do të përballen dy skuadra që ndahen në klasifikimin e përgjithshëm nga vetëm shtatë pikë. Falë 2 fitoreve në 3 ndeshjet e fundit Sampdoria është ngjitur drejt e në vendin e gjashtë, ndërkaq Roma duket në krizë të thellë dhe po përjeton momentin më të keq të këtij sezoni, teksa mezi ka bërë bashkë 2 pikë në 4 takimet e fundit.

Verdhekuqtë lëshuan shumë në pjesën e dytë dhe për pasojë dolën nga “San Siro” me thjesht një pikë. Me shkëputjen e dyshes Juve – Napoli është e kuptueshme që tre skuadrat e tjera Inter, Lazio dhe Roma do të rivalizojnë me njëra – tjetrën pikërisht për dy vendet e mbetura për zonën Champions, kështu që presioni ndaj Di Francescos shtohet ndjeshëm, për më tepër kalendari të dielën e ardhshme ofron po të njëjtin duel, pra takimin e fazës së dytë Roma – Sampdoria në “Olimpico”.

Related posts

“UNË JAM MJEKU I VETES”/ Forma fizike e Ronaldos, dokumentari zbulon sekretet e pathëna nga CR7

Delo.autor

“QUAJENI TË MBARUAR KALIMIN E MBAPPE TEK…”/ Shoku i ekipit tek Franca zbulon të ardhmen e yllit

Delo.autor

TIRANA-SKËNDERBEU/ Memës kërkon të vijojë ecurinë poztive (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

Leave a Comment