Bundesliga Futboll

Bayern ‘shpërblen’ Ulreich, rinovon për 3 sezone

Bayerni i Mynihut shpërblen në mënyrën më të mirë portierin Sven Ulreich, duke shfaqur njëkohësisht edhe gjithë mirënjohjen e mundshme për sezonin e shkëlqyer, teksa rinovon me 29-vjeçarin nga Baden-Wurttemberg edhe për 3 vite të tjera. Kontrata e portierit Sven përfundonte pikërisht në fund të këtij sezoni, megjithatë pas paraqitjeve mbresëlënëse Ulreich, do të qëndrojë në radhët e klubit të famshëm bavarez deri në qershorin e vitit 2021.

Ulreich u transferua te Bayerni në vitin 2015 nga Sttutgarti, klub ku u regjistrua që në moshën 10-vjeçare dhe u tregua tepër i duruar dhe njëherazi edhe i vetëdijshëm për rolin e tij si zëvendësues i zgjedhjes së parë, Manuel Neuer. Ndonëse u desh të priste për jo pak, më në fund rasti për Sven Ulreich u paraqit në shtatorin e vitit të kaluar, kur Manuel Neuer theu gishtat e këmbës, e në fakt që nga ajo kohë ish-portieri i Sttutgartit ka mbajtur fanellën e titullarit, duke justifikuar më së miri besimin e drejtuesve të klubit.

Ulreich, që kishte qëndruar mes shtyllave në vetëm 6 ndeshje në dy sezonet e mëparshme, rezultoi një ndër pikat më të forta në mbrojtjen e Bayernit në edicionin e sivjetshëm, duke ruajtur madje shpesh herë të paprekur rrjetën e portës së tij. Menjëherë pas rinovimit drejtori sportiv i klubit Hasan Salihamidzic tha fjalët më të mira, duke vlerësuar Sven Ulreich jo vetëm si portier, por gjithashtu edhe si person, për rolin e tij përgjatë gjithë këtij sezoni, ku Bayerni është në lojë për të gjithë trofetë, Bundesligë, Kupën e Gjermanisë si dhe Champions League.

Edhe vetë Ulreich shprehu kënaqësinë për besimin e drejtuesve në aftësitë e tij, por deklaroi se ndihet mirë jo vetëm në klub, por bashkë me familjen është përshtatur gjithashtu edhe me qytetin e Mynihut. Sezoni i shkëlqyer i Sven Ulreich ka bërë që edhe vetë trajneri i përfaqësueses Joachim Low të deklarojë se forma shumë e mirë e tij po monitorohet, duke lënë të kuptohet një grumbullim të mundshëm me Gjermaninë, në fazën finale të kampionatit të ardhshëm botëror, Rusi 2018.

Related posts

Brighton-Man United/ “Pulëbardhat” duan të përsërisin mrekullinë ndaj “djajve”

Isa.Autor

“KUR MBETET MË PAK SE…”/ Barça pa Lionel Mesin! Klubi justifikon mungesën (FOTO)

F.autor

NGA SIMON KJAER TEK PIOLI/ Ja pse dështuan tratativat mes Rangnick dhe Milan

Delo.autor

Leave a Comment