Futboll Seria A

Gjithçka që duhet të dini për Lazio-Milan… (STATISTIKAT)

Luhet në “Olimpico” gjysmëfinalja e kthimit për Kupën e Italisë mes Lazio dhe Milan, ku gjithçka do të nisë nga barazimi 0-0 në ndeshjen e parë të luajtur në “San Siro”. Skuadra që do të kualifikohet do të ndeshet në finalen e kësaj veprimtarie me Atalanta ose Juventus. Mes këtyre dy ekipeve, Lazio është ajo që e ka provuar më herët shijen e suksesit në Kupën e Italisë, pasi “shqiponjat” e ngritën trofeun në vitin 2013, kur mposhtën rivalët e Roma në finale, ndërsa Milan e ka fituar për herë të fundit Kupën e Italisë në vitin 2003. Më poshtë po ju tregojmë gjithçka që duhet të dini në prag të ndeshjes së mërkurës së mbrëmje…

SFIDA ME E BUKUR

Në ndeshjen hapëse të sezonit 2011/12, Milan dhe Lazio dhuruan një nga ndeshjet më të bukura të historisë së tyre, e mbyllur në barazim 2-2. Brenda pak minutash, Lazio e pa veten në avantazh të dyfishtë me golat e gjermanit Miroslav Klose dhe francezit Djibril Cisse. Gjithsesi, Milan, që atë vit e nisi kampionatin si kampione në fuqi u përgjigj tetë minuta më vonë me Zlatan Ibrahimovic, që realizoi golin e barazimit, ndërsa pak më pas barazoi Antonio Cassano. Për mënyrën si luajtën të dy skuadrat kjo do të mbahet mend si një nga përballjet më të bukura mes Milan dhe Lazio.

IMMOBILE vs. BONUCCI

Ciro Immobile ka rilindur te Lazio. Pas përvojave të hidhura te Borussia Dortmund dhe Sevilla, Immobile po shënon golat për të cilat kanë nevojë “shqiponjat” që të synojnë arritjen në Champions League për sezonin e ardhshëm. 28-vjeçari është golashënuesi më i mirë i Serie A në këtë sezon me 23 gola, pesë prej të cilëve kanë ardhur në tre ndeshjet e fundit dhe ai mbërrin në formën më të mirë të mundshme në këtë gjysmëfinale. Gjithsesi, do të ketë përballë mbrojtjen e Milan e cila nuk pëson gol prej pesë ndeshjes, e udhëhequr nga Bonucci, i cili është kthyer futbollisti që njohin të gjithë pasi ka lënë pas shpine problemet e fillim sezonit. Kapiteni ka qenë ndër lojtarët më të mirë te skuadra e Gattuso.

CUTRONE vs. DE VRIJ

Nga ana tjetër e fushës do të jetë një përballje e ngjashme sepse edhe Milan ka një sulmues në formë të shkëlqyer si Patrick Cutrone. 20-vjeçari ka shënuar 14 gola në të gjitha veprimtaritë në sezonin e tij të parë si profesionit. Kanë nisur krahasimet mes tij dhe Filippo Inzaghi. Me katër gola në pesë ndeshjet e fundit, Cutrone është bërë kandidat edhe për një vend në kombëtaren e Italisë dhe po kalon një moment forme të ngjashëm me atë të Immobile. Përballë tij këtë herë do të jetë qendërmbrojtësi De Vrij. Sfida gjysmëfinale do të vendoset nga ndonjë prej qendërsulmuesve, ose ndonjë prej qendërmbrojtëse që do të synojnë t’i bllokojnë.

TE FUNDIT NGA KAMPET

Martin Caceres vazhon të ketë probleme me gjurin dhe nuk do të luajë. Bruno Jordao dhe Pedro Neto janë gjithashtu futbollistët e tjerë të padisponueshëm te skuadra e Simone Inzaghi, të paktën deri në muajin mars. Te Milan është shumë pranë rikthimit Andrea Conti, i cili dëmtoi ligamentet e gjurit në muajin shtator, por është rikthyer në stërvitje me pjesën tjetër të grupit. Gjithsesi, ka shumë pak shanse të Gattuso t’i besojë aktivizimin në gjysmëfinale.

Formacioni i mundshëm i Lazio: Strakosha, Wallace, de Vrij, Radu, Marusic, Milinkovic-Savic, Lucas, Parolo, Lukaku, Anderson, Immobile.

Formacioni i mundshëm i Milan: Donnarumma; Calabria, Bonucci, Romagnoli, Rodriguez; Montolivo, Biglia, Bonaventura; Suso, Cutrone, Calhanoglu.

PARASHIKIMI YNE

Lazio ka lënë pas shpine një periudhë negative duke arritur tre fitore radhazi. Përpara kësaj ecurie bardhekaltërit kishin fituar vetëm 1 nga pesë ndeshjet e fundit, ku përfshiheshin barazimi dhe humbja në dy përballjet me Milan për kampionat e kupë. Nga ana tjetër, Milan nuk humbet prej 12 ndeshjesh dhe fundjavën e kaluar kuqezinjtë fituan 2-0 ndaj Roma në “Olimpico”. Lazio ka pësuar tre humbje në shtëpi gjatë këtij sezoni, ndërsa Milan ka fituar vetëm një nga gjashtë ndeshjet e fundit në fushën e “shqiponjave”. Gjithsesi, për mënyrën si po luan skuadra e Gattuso arritja në finale nuk është aspak “utopi”, përkundrazi…

Parashikimi: Lazio 0 – 1 Milan

Related posts

(FOTO) Tifozët e Milanit e quajtën parazit, shpërthen e fejuara e Antonio Donnarummës

Q.Autor

NË GJENDJE KAOTIKE/ Por Milani refuzon 70 milionë nga Anglia për dy “yjet” e ekipit

Isa.Autor

Klopp “PËRPLASET” me Guardiolën, shikoni çfarë ndodhi gjatë konferencës live (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment