Në përballjen e sotme në “Santiago Bernabeu” në sfidën e 1/8-ve të Ligës së Kampioneve, kundër do të vihen dy nga repartet ofensive më të forta të planetit, BBC-NMC (Real-PSG).
Madrilenët këtë sezon kanë realizuar 38 gola, ndërkohë që parisienët 70.
Tridhëmbëshi francez (Neymar-Mbappe-Cavani) mes të tjerave ka një mesatare moshe shumë të ulët krahasuar me rivalët; 25 parisienët ndërsa 30 vite madrilenët (Bale-Benzema-Cristiano). Edhe sa i përket shpenzimeve, diferenca është e madhe.
BBC ka kushtuar 227 milionë euro (Ronaldo 96, Bale 101, Benzema 35), kurse tridhëmbëshi i PSG-së kap vlerën e 446 milionë eurove (Neymar 222, Mbappé 180, Cavani 64).
Shpresë Realit i jep vazhdimësia mbresëlënëse e CR7-ës, që në këtë kompeticion gjithnjë ka shënuar një gol (janë shtatë ndeshjet radhazi, nëse marrin në konsideratë edhe finalen e vitit të shkuar të fituar kundër Juventusit). Rekordi mbahet nga Ruud Van Nisterlrooy (9 gola radhazi në Champions në 2003). Por portugezi nuk është shumë larg.
Nga 88 golat e realizuar deri më tani nga “Galaktikët”, vetëm 43% është shënuar nga sulmuesit; Ronaldo 23, Bale 9 dhe Benzema 6. Mesatarja e golave është 2.26 për ndeshje.
Kurse PSG-ja ka realizuar 126 gola (3.32 për ndeshje), ku 56% e tyre ka ardhur nga treshja e mrekullive (Cavani 28, Neymar 27 dhe Mbappe 15).
Duke gjykuar nga shifrat, favoritja e kësaj përballjeje është PSG-ja. Por nuk duhet harruar se Real Madridi në Champions transformohet. Ndaj dhe të gjithë janë të paduruar për këtë finale të parakohshme.

