Champions League UEFA

Sot pretendon trofeun, por dikur PSG-ja i shikonte kompeticionet evropiane nga televizori

Sot PSG-ja është një nga klubet më të fuqishme e të pasura në futbollin botëror. Marrja në pronësi e klubit francez nga pronarët nga Katari e ka ndryshuar totalisht mënyrën e të punuarit. Parisienët po dominojnë futbollin francez në 6 vitet e fundit, ku kanë fituar 4 herë kampionatin dhe janë favoritët në këtë sezon. Por rruga drejt shndërrimit në një superfuqi të futbollit evropian ka kaluar në shumë faza të mundimshme për lojtarët dhe tifozët parisienë.

PSG-ja lindi në vitin 1974, kur u bashkuan klubet e Paris FC (1969) dhe Stade Saint Germain (1904). Në vitin 1970, Federata Franceze e Futbollit pyeti 70 mijë parisienë se çfarë duhej bërë që të krijohej një skuadër konkurruese me ekipet e kryeqyteteve të tjera. PSG nisi të luajë në stadiumin “Parc des Princes” me 48583 spektatorë, që u hap fillimisht në 1987. Aty më parë luheshin ndeshjet e regbisë.

Klubi ka përjetuar lumturi dhe trishtim, pasuri dhe varfëri e madje ka rrezikuar edhe të falimentojë. Në sezonet 2006-07 dhe 2007-08 ata ishin pranë rënies nga kategoria. Pasi fituan “Coupe de France” në 2004, Hugo Leal, ish lojtar i Atletico Madridit tha se suksesi ishte special pasi ekipit gjithnjë i kërkohej të luante mirë.

“Kam luajtur me futbollistë të mëdhenj si Ronaldinho, [Nicolas] Anelka, [Mikel] Arteta, [Mauricio] Pochettino. Kishte më shumë rëndësi që gëzimin ta ndanim me të gjithë skuadrën se sa vetë titulli. Ekipi po rritej, kishte tifozë, por në Paris, njerëzit ishin më të përkushtuar me kombëtaren se sa me ekipin e qytetit. Disa qytetarë nuk njihnin futbollistët dhe kjo më tërhoqi vëmendjen, sidomos nëse e krahasojmë me Madridin. Pra PSG-ja nuk ishte shumë popullore”.

Ish-mesfushori dhe kapiteni i Arsenalit Mikel Arteta rrëfen se çfarë atmosfere dominonte në ekipin e kryeqytetit francez.

“Kur firmosa vura re se çdo gjë ishte urgjente; loja, rezultatet, fansat, struktura. Të duhej pak kohë të përshtateshe. Mendoj se ishim pak a shumë si Atletico Madridi i Francës, një ekip i madh që duhej të kishte pritshmëri në varësi të potencialit. Atletico e bëri këtë pasi ra nga La Liga. Ne nuk shkuam aq poshtë, por duhej të riorganizonim çdo gjë.”.

Por ai dhe shokët e ekipit bënin një jetë luksi, pasi në atë kohë, klubi ishte në pronësi të Canal +

“Mbaj mend se udhëtonim me Boeing 747, kishim shumë vende të lira në avion. Mbaj mend se në dimër erdhi Ronaldinho, talenti më i madh brazilian që po shkëlqente në Evropë dhe ne kishim dhe Anelka-në që ishte i mrekullueshëm në stërvitje. Kishim çdo gjë për t’i bërë punët mirë, por nuk shkoi ashtu siç dëshironim”, deklaron asistenti i Pep Guardiola-s te Manchester City.

Kurse mesfushori spanjoll që iu bashkua PSG-së në huazim në vitin 2001 Enrique de Lucas tregon se si lojtarët duhej të përballeshin me trafikun e Parisit dhe tifozët.

“Ne duhej që t’i parkonim makinat tona disa kilometra larg qendrës stërvitore dhe më pas lëviznim me mikrobus. E njëjta gjë edhe gjatë ditëve të ndeshjeve. Gjithashtu kam foto të lojtarëve që pinë duhan me trajnerin. Ne kishim presion nga stafi mjekësor, por as gjysma e asaj që bëhet sot.

Tifozët e PSG-së ishin më fanatikët në të gjithë vendin dhe ndeshjet kundër Marseille-s ishin shumë të tensionuara. Kur humbnim tifozët tërboheshin. Mbaj mend në një takim për kupë kur ne u mundëm në shtëpi 0-4 nga Guingamp, na u desh të rrinim 2 orë në dhomat e zhveshjes e pastaj të largoheshim”, kujton De Lucas.

Ndërsa ish-portieri i PSG-së dhe kombëtares së “Gjelave” Bernard Lama dhe Vincent Guerin u kënaqën më shumë gjatë qëndrimit të tyre.

“Kishte më shumë bashkim midis lojtarëve, fansave dhe klubit. Një gjë e mirë ishte se kishim shumë lojtarë francezë, kurse sot thuajse nuk ka asnjë.”

Kurse Jocelyn Angloma, lojtar në vitet 1990-1991 për fanellën e PSG-së thekson se arritja më e madhe ishte mposhtja e Marseille-n, ekipi më i mirë në Francë në fillim të viteve ’90.

“Për ne rezultati më i mirë ishte të mundnim Marseille-n, kurse Kupa e Europës (sot Liga e Kampioneve)  ishte diçka që e shikonim vetëm në televizor”, rrëfen francezi.

Që nga krijimi, PSG është një nga klubet që i kushton shumë vëmendje anës estetike. Mjafton të përmendet fakti se stemën, klubi e ka ndryshuar 7 herë. Fanellat u dizajnuan nga Daniel Hechter, një ekspert mode i cili ishte një ndër drejtuesit e parë të klubit. Ardhja e parave nga Katari nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka shtuar përpjekjet për ta bërë PSG-në një markë ndërkombëtare.

Nëse më parë në ekip vinin futbollistë si David Ginola, George Weah, Ronaldinho, David Beckham dhe Zlatan Ibrahimovic, tani PSG-ja është më e fortë se kurrë me emra si Edinson Cavani, Kylian Mbappe dhe Neymar.

Shansin për të treguar se sa të mëdhenj janë bërë e kanë në takimin e kthimit të 1/8-ve në Champions. Në “Parc de Prince”, do të duhet përmbysin humbjen 3-1 të pësuar në “Santiago Bernabeu” nga Reali.

Related posts

MESSI U LARGUA NGA FUSHA I GJAKOSUR/ Tifozët s’e lënë rehat me koret për Ronaldon (VIDEO)

Delo.autor

13 futbollistët që kanë luajtur në Barcelona dhe Chelsea

Q.Autor

CHAMPIONS/ Ish-lojtari i Skënderbeut shtang “San Siro”-n, por pozicioni… (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment