Futboll

Daja: Nuk bëjmë dhurata, lojtarët të tregojnë sa vlejnë

Kur duhen edhe 10 javë nga fundi i Kategorisë Superiore, Skënderbeu ka një avancë të ndjeshme pikësh nga vendi i dytë në renditje, çka u jep korçarëve qetësi në krahasim me kundërshtarët. Por, nga ana tjetër, për të balancuar disi situatën në kampin bardhekuq kanë menduar dëmtimet që kanë prishur humorin në skuadër.

Si të mos mjaftonte mungesa e Shehit dhe Jashanicës, bardhekuqve u është shtuar edhe Sabjen Lilaj. Mungesa këto mjaft të rëndësishme për trajnerin në pjesën e mbetur të kampionatit. Për Ilir Dajën dy dëmtimet e fundit normalisht që do të jenë mungesa, të cilat do të ndihen, pasi janë lojtarë të rëndësishëm për ekipin, por që Skënderbeu gjithsesi ka në dispozicion lojtarët për të bërë rrotacionin në këto takime.

“Sigurisht që janë mungesa, të cilat do të ndihen. Siç e thatë dhe ju, mungon kapiteni dhe lojtari i vitit në Shqipëri që nuk është mungesë e pakët për ne. Gjithsesi, do të mundohemi që rrotacionin në këto takime ta shtrijmë edhe në pjesë të tjera të ekipit, duke u dhënë mundësinë lojtarëve të tjerë të tregojnë se janë gati për këtë fanellë.

Natyrisht që mundësia do t’iu jepet në bazë të asaj çka tregojnë në stërvitje, por, mbi të gjitha, duhet që të justifikojnë besimin dhe të meritojnë këtë fanellë”, theksoi fillimisht trajneri për të vijuar më pas diskutimin në lidhje me faktin që ende ka nga ata që mendojnë se kampionati varet i gjithi në dorën e Skënderbeut edhe për mbijetesën.

TRANSFERTA – Korçarët do të luajnë në fundjavë ndaj Vllaznisë, skuadër e cila rrezikon mbijetesën. Megjithatë, Daja konfirmon se skuadra e tij do të vazhdojë të kërkojë fitore siç ka bërë në javët e fundit. “E kam thënë dhe po e përsëris. Ne nuk kemi asnjë aleat, nuk kemi pasur dhe nuk do të kemi.

Skenderbeu2

 

Prandaj, nuk kemi pse t’i dhurojmë diçka dikujt. Do të luajmë njësoj siç kemi bërë deri më tani, duke ruajtur linjën tonë të kampionatit, duke u përpjekur për të marrë maksimumin, me qëllim që ta mbyllim sa më shpejt kampionatin. Normalisht që na vjen keq për pozitën ku ndodhet Vllaznia apo ekipet e tjera në renditje, por do të jemi të drejtë.

Në fund të fundit, Skënderbeu vendos fatin e vet në kampionat dhe jo atë të ekipeve të tjera”, theksoi prerë trajneri i Skënderbeut që, edhe një herë tjetër, largoi fjalët që qarkullojnë rëndom për këtë fund kampionati.

TITULLI – Duket se titulli tashmë është një pronë, e cila çdo ditë e më shumë po shkon drejt Korçës për shkak të shkëputjes së krijuar. Me 15 pikë diferencë nga vendi i dytë dhe dhjetë ndeshje për t’u luajtur deri në fund të kampionatit, Skënderbeut i duhen 5 fitore për të mbyllur matematikisht titullin.

Korca

Dhe me një llogari të thjeshtë, nëse fiton 4 ndeshjet e radhës, përfshi atë ndaj Kukësit, Skënderbeu e fiton titullin ndaj kampionëve në fuqi. Gjithsesi, Daja nuk sheh hakmarrje në këtë pjesë.

“Ne si klub kemi një filozofi që shohim vetëm punën tonë dhe normalisht nuk shohim asnjë hakmarrje me ekipet e tjera. Ne shohim çfarë mund të bëjmë më mirë për ekipin tonë dhe të japim maksimumin në çdo përfaqësim që bëjmë. Sigurisht, duke shtuar këtu edhe promovimin e lojtarëve, për shkak të marketingut të klubit që tashmë e ka kthyer në një traditë”, përfundoi Daja.

Related posts

Eliminimi i Zvicrës/ Behrami ndryshon mendje në lidhje me qëndrimin në kombëtare

Isa.Autor

ARBITRI KRYESOR NUK DËGJOI VAR-IN/ Inter-Juve, dy shurdhë zbardhin skandalin e 2018

Delo.autor

TË TRE TË INFEKTUAR NGA KORONAVIRUSI/ Habit e fejuara e Dybala: Jam sërish pozitive, nuk e di ç’po ndodh

Delo.autor

Leave a Comment