Futboll

Dibala është “Zot i transfertave”, Totenhemi i paralajmëruar. Argjentinasi rikthehet të shkëlqejë

Mund ta quani “Zoti i transfertave”. Paulo Dibala u rikthye titullar për Juventusin në ndeshjen e të shtunës në kampionat kundër Lacios dhe, pas shumë vuajtjeve dhe një 90-minutëshi që pritej të përfundonte me rrjeta të paprekura, numri 10 i bardhezinjve nxori nga repertori i tij një “perlë” në minutën e 93-të: kalim i topit poshtë këmbëve të mbrojtësit kundërshtar, i rezistoi markimit të ashpër dhe, në rënie e sipër, godet saktë në kuadrat, duke mposhtur Thomas Strakohësh, e gjitha kjo në një fragment sekondi dhe në vetëm pak hapa të hedhur.

Juventusi në këtë mënyrë mund Lacion dhe duke përfituar nga humbja e Napolit, por mbi të gjitha nisur edhe nga fakti që ka një ndeshje më shumë për të luajtur (me Atalantën) se rivalët për titull, e sheh veten virtualisht në krye të renditjes, me 2 pikë më shumë se skuadra e Elseid Hysajt. Dhe natyrisht që me një Paulo Dibala më shumë në grup, pas një dëmtimi të gjatë, tani trajneri Masimiliano Alegri mund të ëndërrojë edhe suksesin në “Uembli”, sot kundër Totenhemit.

Pasi e nisi me një vrull të frikshëm, duke shënuar 12 gola në 10 javët e para të sezonit, Paulo Dibala u ndal, duke kaluar një periudhë të vështirë, mbi të gjitha për probleme të jetës private, si ndarja e përkohshme nga e fejuara legjendare dhe akoma më shumë, një denoncim multimilioner i ish-sponsorit të tij teknik, “Puma”. Por, ndërsa këto probleme jashtë fushe tashmë duket se janë korrigjuar, duke qenë se argjentinasi është rikthyer me Antonelën dhe pritet të gjendet një akord konsensual me “Puma”- n, sulmuesi ka rinisur që të shënojë gola me peshë për Juventusin, si ai kundër Lacios.

Pa dyshim që ai gol i realizuar në portën e Thomas Strakohësh, atij që e frenoi pikërisht numrin 10, në Torino, në ndeshjen e fazës së parë, ishte një sinjal i drejtpërdrejtë edhe për kundërshtarin e 1/8-ave të Champions-it, Totenhemin. Edhe pse barazimi 2-2 në “Allianz Stadium” është shumë i rrezikshëm për “Zonjën e Vjetër”, me Paulo Dibalën në formë, fitorja e detyrueshme në Londër nuk është e pamundur. Përveç cilësive teknike të 24- vjeçarit, janë statistikat e tij ato që paralajmërojnë seriozisht Herri Kejnin me shokë. Paulo Dibala, të paktën sivjet, e meriton pseudonimin e “Zotit të transfertave”.

Nga 18 golat sezonalë të shënuar (15 në kampionat, 1 në Kupën e Italisë dhe 2 në Superkupën e Italisë), 12 prej tij janë realizuar jashtë Torinos (10 në kampionat dhe 2 në Superkupën e Italisë kundër Lacios në Romë). Sivjet, të qenit larg shtëpisë së tij e bën më agresiv “diamantin” e formacionit të Masimiliano Alegrit, i cili ka vënë në shënjestër Totenhemin dhe pa dyshim që në stadiumin “Uembli”, pritet të shihet një tjetër Juventus, shumë herë më agresiv dhe, pse jo, shumë herë më i paparashikueshëm me një Dibala më shumë. Prandaj, tani më shumë se kurrë dhe pas një mungese të gjatë nga fusha e lojës, i takon Paulos që të marrë për dore “Zonjën e Vjetër” dhe të ruajë trendin e tij, atë të golave në transfertë, të cilët i nevojiten si oksigjeni Juves sonte në mbrëmje, në orën 20:45, përballë Totenhemit. Ndryshe, Dibalës dhe bardhezinjve do u duhet që t’i thonë lamtumirë shumë shpejt Ligës së Kampioneve.

Related posts

PËRLOTET I BIRI I LIUT/ Lojtarë e tifozë nderojnë Ali Memën: Kur jeton në zemrën e familjes… (VIDEO)

Delo.autor

Salah i ri do të luajë në Serie A me ekipin që ka bërë historinë në futbollin italian

Isa.Autor

I thyen këmbën kundërshtarit, sulmuesi i WBA “shpërthen” në lot pas skenës “horror”

Q.Autor

Leave a Comment