Futboll

Gjoka kërkon guxim e sakrificë nga kuqeblutë në transfertën e Kamzës

Vllaznia ka lënë pas një “finale” dhe gjen përpara një tjetër të tillë. Atë me Kamzën, që do të luhet nesër. Kuqeblutë duhet të luajnë për të marrë një rezultat pozitiv, ndaj jo më kot trajneri Ernest Gjoka e konsideron shumë të rëndësishme këtë transfertë. Madje, edhe më të vështirë se ajo që kaloi me Flamurtarin. Ja si u shpreh trajneri i Vllaznisë në konferencën për shtyp para ndeshjes në Kamëz:

Profesor, keni kërkuar qetësi nga skuadra këto ditë. E nevojshme kjo në këtë pragndeshje?
Kam kërkuar qetësi nga skuadra, sepse në radhë të parë kjo është profesionale. Pastaj, pas ndeshjes që kaluam me sukses, duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm, sepse kemi hyrë në një fazë të kampionatit ku tashmë nuk lejohen gabimet. Prandaj, duhet të jemi të qetë dhe të përgatitemi për ndeshjen e radhës, që është akoma më e vështirë se ajo që kaluam.

Që nga transferta me Lushnjën janë konsideruar finale të gjitha ndeshjet për Vllazninë. E tillë do të jetë edhe kjo ndaj Kamzës?
E kemi thënë edhe më përpara, jemi të dënuar që ta kemi çdo ndeshje si finale. Prandaj, edhe këtë javë është një tjetër përballje e vështirë, një tjetër përpjekje, një tjetër sakrificë, në të cilën duhet patjetër të bëjmë një hap pozitiv.

Pas Flamurtarit duket se ka ndryshuar diçka për mirë tek Vllaznia, apo jo?
Po mundohemi që çdo ditë të bëjmë diçka të mire, por kampionati është shumë i egër dhe shumë i fortë. Nëse nuk jemi seriozë e të vëmendshëm, mund të kthehemi sërish mbrapsht, aty ku ishim. Prandaj, duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm në çdo ndeshje që kemi përpara.

A keni frikë nga euforia e skuadrës pas fitores së fundit?
Nuk është çështje euforie, por sigurie dhe profesionale, sepse Vllaznia ka lënë shumë pikë rrugës dhe tashmë duhet të mbushim atë gropë të madhe, që është krijuar para disa kohësh. Prandaj them që duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe seriozë. Nuk ka çështje euforie.

Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet, por kjo ndaj Kamzës duket shumë përcaktuese mesa duket…
Çdo ndeshje që kemi kaluar deri më sot ka qenë një pikë kyçe, prandaj edhe Kamza është e tillë. Pas çdo ndeshjeje pozitive, vjen një tjetër akoma edhe më e vështirë. Nëse nuk arrijmë ta kalojmë me pozitivitet edhe këtë ndeshje, mbesim prapë në vend-numëro. Kjo është ajo që na shqetëson, prandaj themi se çdo ndeshje është finale. Kjo në Kamëz është një finale tjetër, sepse, e para, një rezultat pozitiv i yni do të na jepte mundësinë të krijojmë sa më shumë shkëputje nga ai që kemi prapa. Dhe e dyta, të afrohemi sa më shumë me kundërshtarin, që e kemi më lart në renditje.

Nëse fitoni në Kamëz, a mund të mendojë Vllaznia për më shumë, përveç mbijetesës?
Problemi shumë i madh për ne është të sigurojmë mbijetësën për momentin. Duhet të jemi seriozë dhe t’i marrim me radhë gjërat. Për Vllazninë ky është objektivi aktual.

Formacioni duket i plotë për këtë ndeshje, diçka pozitive kjo për ju si trajner…
Formacioni është i plotë. Jemi në një moment kur shumë lojtarë të Vllaznisë janë në gjendje optimale dhe në fakt kam edhe një keqardhje në këtë mes, por përzgjedhja është për 11 lojtarë. Dikujt i bie që të jetë edhe në stol, por duhet të jetë gati në çdo moment, sepse Vllaznia do të ketë nevojë për secilin prej tyre.

Trepikëshi do të ishte diçka shumë e mirë për Vllazninë, por a do të jeni të kënaqur edhe me një barazim?
Vetëm humbjen nuk duhet të mendojmë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, shumë rracionalë, shumë seriozë, shumë guximtarë, që të mos dalim pa diçka nga fusha e Kamzës.

Related posts

I vetëm kundër të gjithëve/ Messi është lojtari më i mirë në botë

Sadik.Autor

PAS 5 SEZONESH/ Toni Kroos “trazon ujërat” te Real Madridi, gjermani përgatit largimin

Delo.autor

LIVE/ Laçi-Tirana, Kurbinasit kërkojnë golin e parë. Starova nxjerr një sulmues për një…

Delo.autor

Leave a Comment