Idriz Voca dhe Edon Zhegerova janë dy risitë e Kosovës për dy miqësoret e muajit mars ndaj dy përfaqësueseve afrikane. Mesfushori i Luzern dhe ai Genk bëjnë pjesë në listën e të grumbulluarve të trajnerit të ri Bernard Challandes të paktën duke iu referuar lajmeve që shkruajnë mediat kosovare sepse zyrtarisht trajneri zviceran nuk i ka bërë publikë emrat për dy takimet e rradhës, ndaj Madakaskarit në 24 mars dhe Burkina Fasos, 3 ditë më pas, sfida këto që do të luhen në Paris të Francës.
Nuk mungojnë emrat e rëndësishëm në listën e trajnerit të ri. Në portë përveç kapitenit Samir Ujkani, Challandes ka ftuar edhe Bledar Hajdinin dhe Faton Malokun dy portierë që aktivizohen në Vala Superligën e Kosovës.
Në mbrojtje spikasin emrat e Rrahmanit, Kollollit, Vojvodës, Paqaradës, ndërsa janë thirrur edhe veterani Armend Dallku por edhe Fidan Aliti i Skënderbeut e Lirim Kastrati. Në mesfushë përveç dy risive Voca dhe Zhegerova janë grumbulluar edhe emrat me peshë, si Herolind Shala, Valon Berisha, Bernard Berisha, Hekuran Kryeziu, Milot Rashica, Besar Halimi, Bersant Celina dhe Arbër Zeneli. Ndërkohë peshën e sulmit në këto dy sfida do ta mbajnë Vedat Muriqi, Atdhe Nuhiu dhe Elbasan Rashani.