Futboll

Klevis Dalipi: Partizani synon edhe vendin e dytë, sulmi të bëjë më shumë

Klevis Dalipi ka dalë në një konferencë për shtyp ditën e sotme, ku ka bërë prognozën e tij për ndeshjen e radhës në kampionat, që të kuqtë do ta luajnë në “Selman Stermasi”, ndaj Flamurtarit. “Sigurisht, na pret një ndeshje mjaft e vështirë me Flamurtarin, duke marrë parasysh faktin se ka edhe një trajner shumë të mirë, i cili e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar. Ne vijmë nga një moment shumë i mirë, jo për nga rezultati që kërkonim në Shkodër, por ajo që më kënaq për vazhdimësinë është loja dhe ajo çka lojtarët prodhojnë në fushë. Për këto 10 ditë, që gjithsesi nuk është kohë e mjaftueshme, dua t’i përgëzoj lojtarët, të cilët kanë kuptuar gjithçka nga ajo çfarë kemi bërë së bashku në stërvitje. Përsa i përket Flamurtarit, do të thoja që ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment, edhe faktorin-fushë, pasi luajmë në Tiranë dhe tifozët do të jenë të shumtë. Duhet të bëjmë lojën tonë dhe të rikthehemi tek ajo që presim, fitoret”, – tha në fillim të fjalës së tij Dalipi, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve.

A mund të jetë sfida ndaj Flamurtarit përcaktuese për fatet e sezonit? 
Eshtë një ndeshje shumë e rëndësishme, por nuk mund të jetë përcaktuese për sezonin, pra për të siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës. E përsëris se ajo që më kënaq është paraqitja e ekipit. Me lojën që prodhuam në Shkodër, nëse do të kishim marrë 3 pikët, padyshim do të na ndihmonin në realizimin e objektivit. Loja është është treguesi më i mirë se çfarë është në gjendje të bëjë skuadra në ndeshjet në vijim. Uroj që dy pikët që lamë në Shkodër, të cilat i konsideroj të humbura për lojën që zhvilluam, t’i rikuperojmë në ndeshjet në vazhdim. Skuadra është përgatitur shumë mirë, mjafton që lojtarët të shprehen dhe të japin më të mirën e tyre, sidomos sulmi. Pres që lojtarët sulmues të bëjnë diçka më tepër ndaj Flamurtarit, duke marrë parasysh që edhe skuadra po funksionon shumë mirë.

Çfarë mund të ndryshoni në këtë takim, duke marrë parasysh edhe 4 përballjet e mëparshme me Flamurtarinnë kampionat dhe kupë?
Situata ndryshon, pasi në ndeshjen e kthimit të Kupës ne luajtëm për gjithçka, sepse vinim pas një rezultati negativ në Vlorë. Kemi zhvilluar ndoshta një prej ndeshjeve tona më të mira. Por, unë nuk do t’i kthehem më të kaluarës. Mendoj se sfida e së hënës do të jetë shumë deçizive për ne.

A do të ketë ndryshime në formacion?
Ne kemi në përbërje shumë elementë të mirë. Për këtë fakt, unë kam shumë vështirësi në zgjedhje. Duke patur shumë lojtarë të mirë në përbërje, duke shtuar edhe rikthimin e Çanit, teksa për pak ditë presim edhe rikthimin e Telushit, kjo gjë nga njëra anë mi vështirëson zgjedhjet. Megjithatë, kjo situatë më ndihmon, pasi kam në dispozicion shumë lojtarë, të cilët mund ta bëjnë mjaft mirë edhe titullarin, por edhe mund të presin kur të aktivizohen, në ato minuta që do t’iu kërkohen.

Rikthehet Çani, por ende nuk po shohim në fushë Abdurahimin?
Abdurahimi po stërvitet mjaft mirë dhe sigurisht që edhe ai bën pjesë në planet e mia, por thjesht nuk po i jepet mundësia, për vetë faktin që në dispozicion janë vetëm 3 zëvendësime dhe nuk ka qenë pjesë e tyre.

Si e shikoni kalendarin, për më tepër që javët e fundit janë luajtur në një hark të ngjeshur kohor?
Kalendari sa vjen e vështirësohet në ndeshjet në vazhdim. Ne jemi të dënuar për t’i fituar ndeshjet dhe për të realizuar objektivin tonë. Duhet të mendojmë dhe t’i përgatisim ndeshjet një e nga një, të marrim maksiumimin e pikëve dhe në fund të arrijmë pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Të hënën do të përballeni me një tjetër ishbashkëpunëtorin tuaj,Shpëtim Duron?
Sigurisht, me Duron kemi punuar dhe kaluar një periudhë të mrekullueshme së bashku. Dua t’i bëj komplimentet e mia, pasi është një trainer që e njeh shumë mirë kampionatin shqiptar, bën përzgjedhjet e duhura. Sigurisht, kam përfituar nga bashkëpunimi që kemi pasur bashkë. Por, në ndeshje do të jemi kundërshtarë, ndërsa jashtë fushës si gjithmonë do të mbetemi miq.

I druheni gjykimit? 
Nuk dua ta prek këtë temë, pasi tashmë ka filluar një kapitull i ri. Klubi dhe ne si drejtues kërkojmë që lojtarët të fokusohen vetëm në lojë, të bëjnë atë që dinë më mirë. Nuk besoj se do të ndikojë arbitrimi, përkundrazi, mendoj se do të jetë një arbitrim pozitiv. Shpresoj që ndeshja të jetë spektakolare dhe fusha ta tregojë kush e meriton fitoren.

Nesë arrini një fitore ndaj Flamurtarit, a e mendoni si objektiv vendin e dytë?
Patjetër, ne gjithmonë e kemi theksuar që mendojmë pozitivisht dhe do të luftojmë deri në fund për ta arritur këtë objektiv.

Në rast se Partizani siguron pjesëmarrjen në Europë, a do ti besohet Dalipit skuadra edhe për sezonin e ri?
Unë kam gjithë besimin e presidentit Demi, drejtorit Rama, stafit, lojtarëve dhe njerëzve që punojnë në këtë klub. Sigurisht, do të ishte një hap madhor jo vetëm për karrierën time, por edhe për të ardhmen e Partizanit, sepse do të fillonte një kapitull i ri për një të ardhme të re.

Related posts

ZYRTARE/ Kërkohej nga Milani, mbrojtësi i Barcelonës transferohet tek klubi francez…

Delo.autor

E DASHURON KLUBIN LIVERPOOL/ Karius mesazh urimi pas triumfit në Champions (FOTO)

Delo.autor

FLAMURTARI-TIRANA/ Formacionet: Luhet kryendeshja e javës, Daja dhe Mema kërkojnë 3 pikët

Isa.Autor

Leave a Comment