Futboll

Shkalla i jep oksigjen Teutës, kurbinasit bien në fund

Teuta-Laçi 1-0
Golat: Shkalla 85’
Teuta: Moçka, Alhasan, Shkalla, Hrkaç, Gjeorgjievski, Hila, Dediç, Lajthia (Bilali 54’), Çyrbja, Beqja (Hakaj 62’), Latif (Peqini 69’). Trajner: Gentian Begeja
Laçi: Vata, Fangaj, Lulaj, Gjoni, Sefgjini, Jonuzi, Eskerda, Lushkja (Shtubina 46’), Nika (Xhixha 66’), Uzuni, Rexhinaldo (Kallaku 75’). Trajner: Gentian Mezani
Gjyqtar: Laver Alla
Gjyqtarë të verdhë: Lajthia 39’ / Rexhinaldo 44’, Lulaj 45+1’

Në “Niko Dovana” është luajtur një ndeshje shumë e bukur, ku të dyja skuadrat kërkonin maksimumin. Durrsakët për të ushqyer shpresat e mbijetesës, zonë në të cilën “notojnë”, ndërsa kurbinasit për të mos u tundur nga “podium” i kreut, në kërkim të Kupave të Europës. Teuta ka qenë më kërkuese, duke insituar në portën e të riut Vata, që ka bërë pritje shpëtimtare. Në minutën e 15-të, Laçit i vjen në ndihmë edhe shtylla e portës. Goditja e Beqjas nga jashtë zone sjell drithërima për miqtë. Reagimi i parë i rrezikshëm i bardhezinjve vjen në minutën e 23-të, me protagonist Myrto Uzunin. Sulmuesi berates krijon një situatë kaotike në zonën durrsake, ku vepron me zgjuarsi Moçka, duke e zotëruar topin në dy kohë. Më tej, në pjesën e parë, Latif dhe Alhasan i janë afruar golit, por kanë gabuar në finalizim.

Fundi i 45 minutave të para shënon një tjetër mundësi të artë të “djemve të detit” për të shënuar. Dediç nuk arrin ta mposhtë Vatën, edhe pse fare pranë portës mike. Pjesa e dytë nis me zëvendësime, teksa trajnerët mundohen të rregullojnë diçka në funksionimin e skuadrave të tyre. Tashmë kurbinasit janë më kërkues, e kanë hedhur vështrimin më tepër drejt gjysmëfushës vendëse. Durrsakët detyrohen të shtrëngohen në prapavijë, sepse nuk gjejnë dot hapësira e mundësi për të dalë në fazën ofensive. Në minutën e 57-të, Laçi jep spektakël. Pas disa kombinimeve të bukura mes Uzunit, Jonuzit dhe Eskerdës, mesfushori brazilian tenton portën e Moçkës. Mbrojtja pengon topin, por godet edhe Nika, që reklamon për penallti. Gjyqtari bën shenjë për të vazhduar.

Gentian Begeja nuk vonon dhe i bën të tria zëvendësimet, duke parë se skuadra e tij ka humbur ekuilibrat në këtë pjesë loje dhe po vuan presionin e kundërshtarit. Të njëjtën gjë nuk heziton ta bëjë edhe Mezani, duke freskuar repartin e përparmë. Gjsymëorëshi i fundit i sheh skuadrat në kërkim të maksimumit, duke dalë disi nga detyrat taktike. Sulmet janë të dendura, san ë njërën portë, në tjetrën. Portieri Vata vijon të mbetet një pikë e pakalueshme për bregdetarët, ndërsa Laçi organizohet më mirë, e qarkullon topin, por vuan në finalizim.

Ndryshe shfaqet shtatlarti Shkalla, në minutën e 85-të, kur ia del ta mposhtë më në fund portierin mik, duke zhbllokuar shifrat dhe dhënë qetësinë të tijve. Nuk ka shumë kohë për reagim të Laçit, ndaj fitorja minimale, por mjaft e vuajtur, e “djemve të detit” mbetet në fuqi deri në fund. Tri pikë me shumë vlerë për Teutën, që vijon të mbetet e parafundit në klasifikim, por nuk zhbilancohet më shumë në distancë nga Vllaznia.

Related posts

Karrierë “raketë” e Odise Roshit, nga Apolonia tek shiriti me Kombëtaren

Sadik.Autor

PAS 11 MINUTASH LOJË/ Bonucci gabon në zonë, Crotone surprizon Kampionët e Italisë (VIDEO)

Delo.autor

MERKATOJA E JANARIT NË SUPERIORE/ Nga afrimet tek largimet, ja lëvizjet e skuadrave deri më tani…

Delo.autor

Leave a Comment