Futboll Kategoria Superiore

Takaj në Zvicër, zbulohen prapaskenat për Skënderbeun. Shans për të evituar dënimin ekstrem

Klubi i Skënderbeut është duke menduar gjithnjë e më shumë për mbrojtjen që do të bëjë në UEFA. Në një kohë që ecuria e skuadrës në kampionat mbetet fantastike, sigurisht ajo që i shqetëson më shumë drejtuesit bardhekuq është dënimi i mundshëm nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në qeverinë e futbollit europian.

Aktualisht, seanca dëgjimore që pritet të zhvillohet, ka një rëndësi të madhe dhe në këto kushte, drejtuesit e klubit, me në krye presidentin Ardjan Takaj, janë zhvendosur prej ditësh në Zvicër, aty ku dhe UEFA ka selinë.

Ashtu siç ka paralajmëruar “Panorama Sport”, edhe studio ligjore e kontraktuar për këtë çështje është me qendër në shtetin helvet. Thuajse gjatë gjithë javës së kaluar, Takaj ka pasur takime të shpeshta me përfaqësuesit e studios ligjore, duke u marrë me dosjen që inspektorët e UEFA-s kanë përpiluar për dënimin e Skënderbeut.
Burime të sigurta pranë drejtuesve tregojnë se besimi është i madh që mund ta kalojnë këtë moment me një dënim shumë më të butë dhe jo me 10 vite dhe 1 milion euro gjobë.

Kjo edhe për vetë faktin se përfaqësuesit ligjorë zviceranë japin siguri të madhe se dënimi i kërkuar nga inspektorët e UEFA-s nuk është i mundur, duke u bazuar në këtë dosje.

Nisur nga mangësia e fakteve (përgjime apo të penduar) dhe bazimin vetëm në dyshime të arsyeshme, dënimi mund të jetë sa një e treta e pretencës së kërkuar. Të paktën, kjo është garancia e dhënë nga studio që ka marrë përsipër të mbrojë korçarët.

DËNIMI Ditët e fundit në kampin bardhekuq është duke u folur për një dënim jo më të madh se tri vite pezullim nga Europa dhe një gjobë që varion nga 250 mijë euro deri në 400 mijë euro. Duke parë kërkesën ekzemplare të inspektorëve të Etikës, ky dënim do të ishte një lehtësim për bardhekuqtë.

E gjithë kjo hipotezë mësohet se është bërë e ditur për drejtuesit nga avokatët e studios ligjore. Të njëjtat burime bënë të ditur se në kushtet kur nga 9 inspektorë që do të jenë pjesë e seancës së parë dëgjimore, vetëm 2 prej tyre kanë kërkuar dënimin maksimal, kësisoj nuk janë të bindur se me ato prova në dosje një dënim me 10 vite do të ishte i mundshëm.

Related posts

ANDORRË-SHQIPËRI/ Shtangen kuqezinjtë, shënon Andorra

Delo.autor

12-0 NË 4 NDESHJE/ Të besuarit e Pochettinos mposhtin Hudderlandin dhe marrin vendin e tretë

Delo.autor

Fiorentina kujton dhe nderon Astorin, të gjithë në fushë më fanellën nr.13

Q.Autor

Leave a Comment