Futboll

Vllaznia nuk mposhtet, Partizani shpërdoron shumë në Shkodër

Vllaznia: Sherri, Gocaj (Gurishta 67’), Malota, Berisha (Pjeshka 62’), Mersini, Tafili, Krymi, Çinari (Kalaja 60’), Vucaj, Lika, Sukaj. Trajner: Ernest Gjoka
Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Gojkovic, Belica, Kotobelli, Mala (Culum 77’), Batha, Trashi, Asani (Cardoso 60’), Progni, Bardhi (Cani 86’). Trajner: Klevis Dalipi
Gjyqtar: Klajdi Kola, Ridiger Cokaj, Dorjado Myftari, Blerim Ziri, Olsi Sokoli

 

U luajtën tri ndeshjet e para të javës së 25-të të Superiores. Vllaznia vuan jo pak ndaj Partizanit, por ia del ta mbajë të paprekur portën e vet, duke marrë një pikë me vlera në luftën për mbijetesë. Me rëndësi është që skuadra e Ernest Gjokës ka disa ndeshje që nuk mundet dhe pëson gol.

Shenjë e një qëndrueshmërie dhe ekuilibri, edhe pse Trashi, Bardhi dhe Progni për Partizanin janë treguar vërtet shumë “altruistë” ditën e sotme, duke shpërdoruar pa fund. Luftëtari ka përmbysur kampionët e vendit në fuqi, duke u rikthyer te suksesi pas asaj tronditjeje pararendëse në transfertën me “demat e kuq”.

Guri është shumë pak për Kukësin, që të dilte të paktën me një barazim nga “qyteti i gurtë”. Lushnjës i ka “mbaruar benzina” dhe pret pa “derman” të kthehet andej nga erdhi, në Kategorinë e Parë. Në anën tjetër, Laçi merr tri pikët e radhës në transfertë dhe konsolidon pretendimet për zonën europiane.

Kryesfida e këtij “stacioni” të garës është zhvilluar e fortë, në “Loro Boriçi”. Me të dyja skuadrat në kërkim të maksimumit, loja ka qenë e ethshme, me dyluftime burrërore, kryesisht në mesfushë.

Aksionet në drejtim të portave respektive janë të shpeshta, por mungon efikasiteti në fazën e fundit, qoftë në pasimin final, por edhe në goditjen e kuadratit të kundërshtarit. Mjafton të themi se vetëm në minutën e 36-të ka ardhur rreziku i parë në këtë ballafaqim.

Eshtë Sukaj, që përfiton nga një gabim i mbrojtjes së kuqe, godet fort mbi vijën e 16-metërshit, por portieri Alban Hoxha pret në pozicion. Dy minuta më vonë kundërpërgjigjet Asani për të kuqtë, me goditje nga distanca, por pa problem për Sherrin. Në mbyllje të pjesës së parë vendësit mund të kishin përfituar nga një lëmsh në zonën e portës së Partizanit. Krosim nga këndorja, topi gjen këmbët e Sukajt, që mes mbrojtësve miq, te pika e penalltisë, godet me kurriz nga porta.

Topi devijohet edhe nga Krymi, por duke mos e dërguar dot në rrjetën e Hoxhës. Pjesa e dytë është edhe më e bukur, me më shumë ritëm. Lojtarët, nga të dyja kahjet, nuk rreshtin së kërkuari avantazhin. Tentohet tashmë edhe nga goditjet standarte. Minuta e 58-të evidenton mefshtësinë e Jurgen Bardhit. Pas asistit që merr nga Progni, lojtari i ri i të i kuqve vihet vetëm për vetëm me portierin Sherri. Do që ta shmangë edhe atë, por gabon, duke shpërdoruar një rast të artë për gol.

Pas minutës së 60-të, të dy trajnerët fillojnë nga zëvendësimet, duke tentuar të ruajnë ritmin fizik, por edhe të “meremetojnë” diçka në ato pika që çalojnë. Në fakt, Gjoka i bën dy zëvendësime të detyruara, për shkak dëmtimesh të Berishës dhe Gocajt. Përpjekjet dhe rastet shtohen, sidomos në portën shkodrane, ku Sherri duhet të përveshë mirë mëngët karshi goditjeve nga të gjitha mpozicionet të kundërshtarëve.

Te Vllaznia, me kalimin e minutave, shihet njëfarë rënie fizike, ndaj edhe dalja në fazën ofensive e vendësve është e ngadaltë, pa kthjelltësinë e nevojshme. Kjo u jep epërsi territoriale kryeqytetasve, që ndërtojnë manovra të shumta drejt golit në çerekorëshin e fundit, por mungon njeriu-gol. Klevis Dalipi hedh në fushë edhe serbin Culum, në minutën e 77-të, duke tentuar të shfrytëzojë shtatlartësinë e tij. Disa minuta janë edhe për Çanin, por shtatlarti nuk mund të bëjë asgjë, sepse Trashi me shokë kanë shpërdoruar pa fund më herët, duke mos përligjur dot me fitore përpjekjet e kryeqytetasve.

Related posts

FLET PËR TË ARDHMEN E HAZARDIT/ Sarri: Respektoj vendimin e tij, por nuk…

Delo.autor

LIVE/ Partizani-Tirana: Bardheblutë me FAT, traversa i mohon golin Asanit në pjesën e parë (VIDEO)

Isa.Autor

PENALLTI NË FRYMËN E FUNDIT DHE ME POLEMIKA/ Enea Jorgji protagonist në Europa League (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment