Futboll

10 futbollistët që u dënuan se përdornin drogë (FOTO)

Futbolli modern të imponon një regjim strikt për lojtarët në mënyrë që të jenë në kondicion perfekt fizik për sezonin. Dekada më parë, futbollistët konsumonin pa asnjë lloj hezitimi substanca si duhani dhe alkooli madje dhe publikisht, por në ditët e sotme kryhen teste të herëpashershme që verifikojnë praninë e substancave të ndaluara.

Sado e papërfillshme të jetë masa e substancave të drogës, ndëshkimi është i pashmangshëm për ҫdo lojtar, pavarësisht se në çfarë mënyre e ka marrë. Reputacioni dhe karriera e tij vihen në rrezik serioz nga testimet pozitive. “Sportskeeda” rendit 10 lojtarët që janë dënuar për shkak se kanë konsumuar substance të ndaluara.

10) Edgar Davids

Ish-mesfushori i njohur holandez i Ajaxit dhe Juventusit në vitet ’90 rezultoi pozitiv në testin antidoping në vitin 2001 kur luante në Itali. U verifikua se në gjakun e tij gjendej substanca nandrolinë. Davids u pezullua për 16 muaj nga aktiviteti futbollistik, por ai e apeloi vendimin duke e ulur masën e dënimit në 4 muaj. “Tulipani” pretendoi se shkak i gjetjes së substancës nandrolinë ka qenë mjekimi i homeopatisë (mjekësi alternative që konsiderohet pseudoshkencë) që lojtari ndoqi për vite me radhë.

 9) Jake Livermore

Në Angli është një nga precedentët më të rëndë në historinë e futbollit britanik. Livermore kreu testin antidoping në vitin 2015 pas ndeshjes që ekipi i tij Hull City luajti ndaj Crystal Palace-it. Befas, karriera e tij mori në tatëpjetën kur u zbulua se ai kishte marrë kokainë. Ai u pezullua deri në fund të sezonit. Në shtatorin e atij viti, Komisioni i Disiplinës pranoi të dëgjonte pretendimin e lojtarit dhe vendosi të hiqte masën e pezullimit. Mesfushori u rikthye në fushën e lojës. Steve Bruce, në atë kohë trajner i Hull City pretendoi se ish-lojtari i tij kishte konsumuar drogë për shkak se po përjetonte një periudhë të rëndë psikologjike pas vdekjes së djalit të sapolindur.

8) Stan Lazaridis

Lazaridis ka luajtur për Australinë dhe një pjesë të mirë të karrierës e ndërtoi në Angli tek skuadrat e West Ham-it dhe Birminghamit. Në 2007, ai ishte kthyer në vendlindje për të kryer dhe pjesën e fundit të karrierës me ekipin e Perth Glory, por nuk pati kënaqësinë të përjetonte një fund dinjitoz të eksperiencës së tij në futboll. Ai rezultoi se kishte përdorur finasterid, një substancë që luftonte sëmundjen e rënies së flokëve. Lazaridis pretendoi se e kishte marrë substancën në mirëbesim dhe nuk ishte në dijeni se ishte një lëndë e jashtëligjshme në Australi. U pezullua për 1 vit, por nuk pati ndërmend të humbiste kohë për t’i dhënë  lamtumirën futbollit, duke u tërhequr nga loja përpara skadimit të pezullimit.

7) Deco

 

Rasti më i pazakontë kur dënimi është zbatuar për tërheqjes nga loja. Në 2013, braziliani i natyralizuar në portugez Deco kishte zgjedhur ekipin e Fluminenses për të luajtur ditët e fundit si futbollist profesionist. Pas la gjurmë te Porto, Barcelona dhe te Chelsea, ish-mesfushori duhej të përballej me një situatë të pazakontë. Ai rezultoi pozitiv në mars të 2013 në testin antidoping dhe u provua se kishte konsumuar furosemidë, një substancë që fsheh gjurmët e substancave të tjera në organizëm. Portugezi vazhdoi të luante dhe 4 ditë të tjera deri në daljen në pension. Vendimi për t’u lënë jashtë ҫdo aktiviteti futbollistik erdhi në fuqi menjëherë pas dhënies së lamtumirës fushës së jeshile. Lojtari provoi të rrëzonte akuzat duke këmbëngulur se lënda e ndaluar ishte shkaktuar nga kontaminimi i vitaminave që merrte. Situata krijoi një përshtypje negative te shumë tifozë që kanë ndjekur karrierën e tij.

6) Abel Xavier

Një tjetër portugez në “listën e zezë” e të damkosurve. Xavier pati një karrierë që njohu shumë destinacione si Benfica, Bari, Real Oviedo, PSV Eindhoven, Everton, Liverpool, Galatasaray, Hannover 96, Middlesbrough, Roma dhe Los Angeles Galaxy. Por Anglia u kthye në makthin e tij. Në vitin 2005, pas përfundimit të një ndeshjeje e vlefshme për Kupën UEFA (Europa League sot), mbrojtësi i Middlesbrough rezultoi se kishte konsumuar steroide anabolike. Federata Angleze e pezulloi për një vit e gjysmë nga futbolli, duke u bërë rasti i parë në Premier League që dënohej për përdorimin e lëndëve narkotike jo psiko-aktive.

5) Adrian Mutu

Ish-futbollisti rumun renditet ndër talentet që nuk e prekën kurrë majën e suksesit. Arsyet që kanë kushtëzuar deformimin e karrierës së tij janë niveli i ulët disiplinor dhe abuzimi me substancat narkotike. Në vitin 2003 ai mbërriti në Londër te skuadra e Chelsea-t si një futbollist me cilësi premtuese por aventura britanike dështoi herët kur sulmuesi u provua se kishte përdorur kokainë në vitin 2004. Pas përfundimit të sezonit, klubi e largoi lojtarin i cili duhej të zbatonte pezullimin 7-mujor dhe të paguante një gjobë prej 20.000 £ ndaj Federatës Angleze. Ai u transferua në Itali te Juventus dhe më tej veshi fanellat e Fiorentinës dhe Cesenas.

4) Jermaine Hue

Xhamajkani u dënua në vitin 2013 me 9 muaj pezullim pasi u vërtetua se kishte marrë substancën deksametasonës, një lloj steroidi pas përfundimit të një ndeshjeje kualifikuese ndaj ekipit të Hondurasit e vlefshme për Kupën e Botës “Brazil 2014”. Lojtari ishte në prag të përfundimit të karrierës profesioniste në moshën 35-vjeҫare, por zhgënjimi nga pafuqia për të provuar pafajësinë e detyruan të largohej para kohe nga loja.

3) Chris Armstrong

Armstrong është lojtari i parë në historinë e Premier League-s që është dënuar për përdorimin e lëndëve narkotike. Në 1995, në periudhën kur luante për Crystal Palace-in, testet antidoping gjetën gjurmë kanabisi në organizëm. Por ai këmbënguli të përfundonte një seancë rehabiltimi nga droga dhe pas një muaji u rikthye në fushë. Ai nënshkroi pas përfundimit të sezonit 1994/1995 me ekipin e Tottenhamit ku qëndroi për 7 vjet. Armstrong është lojtari më i kushtueshëm në historinë e klubit të Crystal Palace-it.

2)Gerard Kinsella

Britaniku pati fatin e keq të dënohej në një moshë shumë të re, kur shumë lojtarë synojnë të nënshrkuajnë me një ekip elitar. Në vitin 2013, në kohën kur ishte 21 vjeҫ, Kinsella rezultoi pozitiv në testin antidoping duke i gjetur gjurmë steroidi anabolik në organizmin e tij. Dënimi ishte drastik, 2 vjet larg fushave. I riu pretendoi se kishte marrë substancën në formë injeksioni për të lehtësuar dhimbjet në shpatull. Pas përfundimit të dënimit, ai iu rikthye stërvitjes, por ka hasur në pengesa sforcuese për të nënshkruar me një ekip të ri.

1) Diego Armando Maradona

Për shkak të famës së madhe që gëzon si njëri prej ikonave më të mëdha të historisë futbollit dhe persekutimit që e ndoqi për vite me radhë nga përdorimi i substancave narkotike, rasti i Maradonës mbetet më dramatiku nga të gjithë. Në kulmin e shkëlqimit me Napolin dhe Argjentinën, në vitin 1991 ai u arrestua nga policia italiane për trafikim kokaine. Për më tepër ai rezultoi se kishte konsumuar një lëndë të tillë dhe u largua mes turpit dhe zhgënjimit nga qyteti që e konsideron një Perëndi. Për 15 muaj ai u end jashtë fushave dhe nënshkroi me Sevillan. Në vitin 1994, Diego arriti të kapte formën optimal fizike për të marrë pjesë në Kupën e Botës, të fundit në karrierë. Në rolin e kapitenit të Argjentinës, ai luajti dy sfida ndaj Nigerisë dhe Greqisë në fazën e grupeve. Por festimi histerik pas golit ndaj ekipit helen zgjoi dyshime te organizatorët e Botërorit. Pas testeve antidoping, u zbulua se kampioni i botës në 1986 kishte marrë substancën e ndaluar të efedrinës, që ndikonte në reduktimin e nivelit të yndyrës dhe shmangien e lodhjes.

“El Pibe de Oro” u betua se kurrë nuk kishte marrë qëllimisht një lëndë të tillë. Ai u detyrua të ndiqte nga shkallët e stadiumit skualifikimin e Argjentinës në fazën e të 16-ave ndaj Rumanisë. Një fund i pamerituar për një lojtar të denjë, që shumë e konsiderojnë si “Zoti i Futbollit”.

Related posts

LIVE/ Chelsea-Eintracht Frankfurt, Jovic barazon shifrat për miqtë

Delo.autor

MERKATO E BUJSHME/ Manchester United gati 60 milionë euro për të transferuar yllin e Real Madrid…

Delo.autor

SUPERIORE/ Formacioni më i mirë dhe më i dobët, ja futbollistët që spikatën në javën e 19-të…

Delo.autor

Leave a Comment