Futboll Sport

Bledar Hodo: Vllaznia ka përvojë, Teuta personalitet

Teuta vazhdon me përgatitjet në terren në kuadër të përballjes me Vllazninë në “Niko Dovana”. Ky takim ka tërhequr vëmendjen e mbarë opinionit, pasi luhet për mbijetesë dhe dy ekipe me traditë në futbollin shqiptar do të diskutojnë qëndrimin në Kategorinë Superiore. Në një intervistë të dhënë për “Panorama sport”, ish-kapiteni i bregdetarëve, Bledar Hodo, e quan ndeshje vendimtare.

Sa përcaktuese është ndeshja me Vllazninë?

Teuta ndodhet në një moment të vështirë në klasifikim, edhe pse në javët e fundit ka marrë pikë dhe situata duket mjaft e mirë. Kjo ndeshje vlen për vijimësinë.

Çfarë nuk ka shkuar, sipas jush, në këtë edicion me Teutën?

Ka disa arsye, duke filluar nga lojtarët që janë afruar, ku pjesa më e madhe luajnë për herë të parë bashkë dhe disa nuk e njohin fare Superioren. Megjithatë, atmosfera duket mjaft e mirë. Besoj se do të mbijetojnë, pasi në javët e fundit kanë treguar personalitet në fushë.

Si Teuta edhe Vllaznia po kalojnë një moment të mirë, do të jetë vendimtar faktori fushë?

Ekipi që luan në shtëpi është gjithmonë pak më i favorizuar prej faktit se ka edhe mbështetjen e tifozëve, por e njeh më mirë edhe fushën. Ndeshje të tilla kanë shumë emocione brenda, pasi edhe vetë futbollistët janë të ngarkuar prej faktit se e dinë rëndësinë e takimit. Ndoshta Vllaznia ka më shumë eksperiencë nisur nga dueli i vjetshëm me Tiranën.

Pavarësisht fitoreve në ndeshjet e fundit, tifozët e kanë braktisur ekipin. Sa e rëndësishme është prezenca e tyre në stadium?

Sigurisht, ata kanë të drejtë që jenë të zhgënjyer, por në këtë moment duhet të kthehen në stadium për të mbështetur ekipin.

Ndeshja do të vendoset nga një gol apo prisni spektakël?

Nga rëndësia që ka ky takim, nuk mendoj se ekipet do të luajnë hapur, veçanërisht Vllaznia që do të kënaqej edhe me një barazim. Besoj se nuk do të ketë gola, vetëm në rast se shënohet shpejt.

Teuta e ka mposhtur dy herë Vllazninë këtë sezon, a ndikon ky fakt?

Në ndeshje të tilla pakkush mendon për të shkuarën. Statistikat ndihmojnë psikologjikisht, gjithsesi rezultati i mbetet fushës.

Keni nisur kursin e UEFA-s për trajner, e shikoni veten në krye të Teutës një ditë?

Ka pak kohë që kam filluar kursin UEFA A, i kam kushtuar jetën futbollit dhe nuk mund të rri larg nga fusha e blertë. Së ardhmes asnjëherë nuk i dihet.

Statistikat tregojnë që mesfushorët bëhen trajnerë të zotë…

Shpresoj, duhet shumë punë dhe jam i kënaqur me atë që kam bërë si futbollit, por tani kam një mision tjetër. Jam në hapat e parë, më pret një rrugë e gjatë (qesh).

Related posts

E BUJSHME/ Ancelotti e shijon “fshehurazi”, objektivi i tij luan në Serie A dhe e dashuron Spanjën

Delo.autor

RONALDO I SHQIPËRISË/ Grezda “nxeh” motorët, pritet titullar edhe ndaj Rapidit

Isa.Autor

SHËNOHET GOLI I VITIT/ ROBBEN triblon 5 lojtarë dhe “fshinë merimangat” e portës (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment