Futboll Sport

Droni në futboll, njihuni me njeriun që revolucionarizoi stërvitjen e të mëdhave

Aplikimi i teknologjisë në të gjitha fushat e jetës nuk mund të lërë pa prekur dhe futbollin. Asistimi i kamerave në ndihmë të gjykimit (VAR) ka sjellë rezultate impresionuese në përmirësimin e menaxhimit të ndeshjeve. Prej disa kohësh po shikohet me vëmendje mundësia e shfrytëzimit të avantazheve që ofron teknologjia audiovizive në mënyrë që të mos mbetet e kufizuar vetëm në fushën e arbitrimit.

Tekniku i akademisë së Charlton Athletic, David Powderly ka gjetur një metodë të produktive për të ndihmuar në zhvillimin e seancave stërvitore. Britaniku, i licencuar si trajner në kategorinë A nga UEFA prej tre vitesh ka përhapur përdorimin e dronit për të përmirësuar taktikat stërvitore.

Disa ekipe si Barcelona, Tottenham, Chelsea dhe Atletico Madrid janë familjarizuar me asistimin e kësaj pajisjeje teknologjike, e cila ka përmirësuar ndjeshëm zhvillimin e sesioneve stërvitore, rreshtimin e lojtarëve dhe sigurimin e rezultateve pozitive në ndeshjet e kompeticioneve madhore. 30-vjeҫari Powderly ka folur gjatë për ndikimin e kësaj pajisjeje në evoluimin e lojës së futbollit.

“Gjithmonë kam kërkuar përmirësimin e stërvitjes së lojtarëve të mi dhe perceptimin e lojës. Për të qenë dikush që kërkon gjithmonë përmirësimin e anës taktike të lojës, unë studiova mënyrat e ndryshme të vështrimit të një ndeshjeje”, shprehet për “The Sun”, Powderly.

I pari që ka kërkuar shërbimet e kësaj pajisjeje ka qenë tekniku i Manchester City-t Pep Guardiola në vitin 2015 menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së parë gjysmëfinale midis Barcelonës dhe Bayernit të Munichut. Katalanasi synonte markimin e lojtarëve kundërshtarë një me një në “Allianz Arena” dhe në ndihmë i erdhi droni.

Por si lindi ideja e ndërhyrjes së këtij instrumenti në fushën e lojës?

“Mbaj mend që Gary Neville u befasua nga droni. Ai donte të shihte se si funksiononte pajisja dhe kamerat e televizionit u ngjitën lart për të dhënë një pamje ajrore të fushës. Çdo lojtar preferon pamjen ballë për ballë, përveç portierëve. Mendova: Të kesh një pamje të tillë në stërvitje do të ishte fantastike sepse je në gjendje të shikosh gjithçka”, rrëfen David historinë se si i lindi ideja për të vënë në jetë përdorimin e kësaj mrekullie teknologjike.

Fillimisht ai përdorte kamerat “GoPro”, por hasi në probleme sepse kamerat dëmtoheshin nga erërat e forta. Ai  bleu një pajisje “DJI Phantom 3 “ për 1300 £ në nëntor të 2015 3muaj pasi  pa një reklamë në YouTube të pajisjes vizuale. Menjëherë ai e vuri në punë pajisjen në seancat stërvitore të ekipit të akademisë së Charltonit. U kuptua se pajisja do të ishte shumë efektive për të gjitha ekipet e futbollit. Në vitin 2016 ai u ftua të merrte pjesë në Konferencën Vjetore të Trajnimit në Gjenevë për të demonstruar ndikimin e dronit në lojën e futbollit.

Menjëherë klube të njohura të futbollit europian si Tottenham, Barcelona, Feynoord kërkuan shpjegimin e asistimit të kësaj pajisje teknologjike. Çështjes se përse shumë trajnerë dhe futbollistë po kthejnë akoma dhe më tepër sytë nga favorizimi i kësaj pajisjeje, Powderly ka këtë përgjigje:

“Ka taktika në mënyrën se si doni të sulmoni, diçka në të cilën Guardiola është shumë i zoti. Futbollistët që zënë krahë të ndryshme të fushës në momente të caktuara, krijojnë zgjerim të hapësirave…trajnerët duan të shohin nëse është e mundur që të mbulojnë të gjithë fushën në një kohë. E di që futbolli është diçka që i përket rastit, por është si lojë e shahut. Ti je i aftë të pozicionosh lojtarët e tu në vende të caktuara dhe të mund të praktikosh lëvizjet dhe modelet e ndryshme në trajnim”, – shpjegon David Powderly avantazhet e vënies në zbatim në stërvitje të dronit.

Sipas tij synimi i trajnerëve është që pajisja të jetë e aftë të regjistrojë minutazhin e plotë të një ndeshjeje. Praktikisht, droni është shumë i lehtë për t’u përdorur. Pas çdo 15 minutash, pajisja mund të furnizohet me bateri për vetëm një minutë dhe vazhdon regjistrimin e stërvitjes pa problem.

Por ende nuk është eksperimentuar me potencialin e kësaj pajisjeje për të regjistruar 90-minutëshin e një takimi. Britaniku që ka fituar “licencën” e eksperimentimit të dronit në lojën e futbollit deklaron se trajnerët janë më të vullnetshëm për të pranuar aplikimin e teknologjisë së dronit ndryshe nga futbollistët.

“Mendoj se trajnerët janë më largpamës kur flasim për teknologjinë e re në lojë. Ata po kërkojnë mënyra të ndryshme për të përmirësuar stilin e tyre stërvitor dhe se në ҫfarë aspekti janë të aftë. Klubet e mëdha kanë financa të fuqishme dhe dronet nuk janë të kushtueshëm. Ka të bëjë se si do të përfshihet kjo teknologji në lojë. Trajnerët e futbollit duan të dinë se cila është gjëja tjetër që duan të përmirësojnë tek lojtarët dhe taktikat e tyre. Ka mënyra të ndryshme për të ndihmuar lojtarët të mësojnë në formën e thjeshtë dhe sa më shpejtë të jetë e mundur. Ndonjëherë është më bindëse t’u tregosh lojtarëve filmimet dhe u lejon atyre të kuptojnë se ku duhet të vendosen në fushë sesa t’ua shpjegosh me fjalë”, – vë në pah përparësitë e stërvitjes nëpërmjet dronit dhe perspektivës së tij Powderly.

Me shumë gjasa kjo teknikë e re do të përqafohet nga çdo ekip në një kohë të afërt. Fillimisht kjo teknologji duhet të fitojë terren në ligat inferiore të futbollit për t’u ngjitur në shkallën më të lartë të nivelit elitar. Një revolucion i vërtetë që e gjithë bota e futbollit do të përfshihet!

Related posts

“THANË SE DO DËSHTOJ SI TË GJITHË TEK MILAN”/ Ibrahimovic: Maldinit do i bëj presion, jam më i ri se Zlatani i 2012

Delo.autor

GOLI NDAJ SEVILLAS/ Griezmann shënon me një goditje dënimi magjike (VIDEO)

Delo.autor

Roma nuk ndalet në merkato, zyrtarizon edhe mesfushorin Italian

Sadik.Autor

Leave a Comment