Futboll Sport

Idrizi flet pa “doreza”: Flamurtari, kurrë ekip zvarranikësh dhe pushtetarësh

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka falënderuar Shpëtim Duron dhe ndihmësin e tij, Beqiri, për punën e bërë në Vlorë, ndërkohë që për javët e mbetura të këtij kampionati, kuqezinjtë ia ka besuar dyshes Behari-Ruci. Ai njofton nisjen e procedurave të rinovimit me lojtarët aktualë, por edhe përfshirjen në merkato, për të sjellë emra më cilësorë për edicionin e ardhshëm. Ja deklarimi i tij i plotë për gazëtarët, ditën e sotme:

“Kemi bërë një zgjidhje brenda llojit. Nga stafi ekzistues ia kemi besuar drejtimin e Flamurtarit për javët e mbetura të kampionatit Ardi Beharit dhe Vasil Rucit. Ata janë prej kohësh në klub dhe njohin më së miri gjithçka. Nuk do të ketë ndryshime të tjera në stafin e ish-trajnerit Duro. Janë larguar Duro dhe Beqiri, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për punën e bërë te Flamurtari dhe korrektësinë që treguan gjatë kohës që ishin me ne.

Kështu vendosëm për drejtimin e skuadrës në vazhdim, sepse ishin ne, që i dinim më mirë hallet e Flamurtarit. E përsëris, një zgjidhje brenda llojit ishte më e mira për momentin. Më mbrapa do të flasim. Behari apo Ruci i parë? Kjo është si historia me Hoxhë Ali dhe Ali Hoxhë, mos t’u hyjmë kësi historish. Ne kemi një ekip shumë të mirë. Pati një moment jo të mirë, një situatë të pakëndshme, por lojtarët e Flamurtarit duhet të tregojnë veten e tyre.

E përsëris dhe e them me zë të lartë: Ky është ekipi më korrekt që unë kam pasur te Flamurtari. Në këtë ekip nuk ka bastexhinj, as gëzhoja të vjetra. Nuk ka lojtarë skedinash. Jam më tepër se i zhgënjyer nga rezultatet, por mendoj se kemi akoma kohë për të dhënë atë që duhet. Mendoni një gjë. Unë nuk fyej askënd, por Flamurtari ka një fanellë, që i ka të gjitha brenda saj. Ne nuk jemi një ekip i krijuar pas viteve 1990-të, që kemi fituar tituj në kohën e demokracisë.

Ne kemi një histori, kemi një qytet, kemi një peshë, kemi një fanellë. Kur them kjo fanellë, i kemi thënë të gjitha. Vlora nuk ka pasur kurrë ekip zvarranikësh, as ekip pushtetarësh. Flamurtari ka qenë një ekip vlonjatësh, që në kuptimin klasik kanë bërë atë që duhej të bënin para viteve 90-të. Thjesht e kanë lartësuar këtë fanellë. Pikën më të dobët si administrator kam ruajtjen e vlerës së fanellës.

E ardhmja? Pjesa më e madhe e lojtarëve aktualë do të fillojnë që të hënën kontaktet me klubin për rinovimin e kontratës. Ekipi është shumë i mirë, nuk duhet të bëjmë nihilistin tani, të shfryjmë çdo gjë. Do të jemi në kontakt edhe me lojtarë të tjerë, të nivelit akoma më të lartë, për ta rritur standardin e Flamurtarit sezonin e ri”.

Related posts

PRAPASKENA/ Manchester United nuk dorëzohet për Sanchon, rrit ofertën për Dortmund

Delo.autor

Kategorisë Superiore/ Golin më të bukur e shënon futbollisti që nuk do luaj më në…

Isa.Autor

HARROJNË HUMBJEN NË CHAMPIONS/ Të besuarit e Guardiolës mposhtin Palace dhe marrin kreun

Delo.autor

Leave a Comment