Champions League Futboll

Nga Cardiffi e deri në Torino, ja pesë diferencat e Realit me Juven

Pothuajse një vit më parë, Real Madrid mundi Juventusin me rezultatin e thellë 4-1 në “Cardiff” në finalen e Champions League. Cristiano Ronaldo ishte autor i dy golave në atë takim ndërsa Marco Asensio dhe Casemiro shënuan nga një gol. Ndryshe nga sezoni i kaluar bardhezinjtë do të përballen këtë herë në fazën çerekfinale me kampionët në fuqi të Champions.

Juve me mungesa

Pas dështimit në stadiumin e Uellsit, “Zonja e Vjetër” do të kërkojë sonte në “Allainz Stadium” një rezultat pozitiv ndaj djemve të Zinedine Zidane, të cilët gjithashtu duan që të largohen me fitore nga Torino. Këtë herë Allegri do të jetë me mungesa të theksueshme, pas largimit të Leonardo Bonuccit te Milan dhe Dani Alves tek Paris Saint Germain, tekniku italian nuk do të ketë në dispozicion Miralem Pjanic dhe Mehdi Benatia që janë të pezulluar ndërsa Alex Sandro është në dyshim të madh. Një minus i madh për kampionët e Serie A ndërkohë që tekniku francez i madrilenëve ka zbritur i qetë në tokën italiane praktikisht pa asnjë lojtar të dëmtuar.

Rikthimi i Vazques

Zidane ka rikthyer Lucas Vazques, i cili vitin e kaluar ka “ngrohur” stolin me James Rodriguez, Fabio Coentrao, Mariano, Pepe dhe Ruben Yanez. Dallimi mes spanjollit dhe lojtarëve në fjalë është se ai vazhdon ende në klub dhe është një nga më të preferuarit e Zizu.

Rëndësia e titullit

Juventus ashtu sikurse edhe Real Madrid u shpallën kampionë respektivisht në Serie A dhe La Liga sezonin e kaluar, 2016 – 2017. Këtë edicion futbollistik të dyja po përjetojnë emocione të ndryshme. “Zonja e Vjetër” është katër pikë para Napolit në renditje duke kryesuar e vetme renditjen në kampionat ndërsa Reali e ka humbur garën për titull këtë vit, pasi Barcelona është shkëputur me një diferencë të madhe në krye të tabelës. Ndaj, “Los Blancos” janë të fokusuar totalisht tek trofeu i Champions, për të koleksionuar të 13-in në “Santiago Bernabeu”.

“Finalja” 180 minutëshe

Mund të jetë e drejtë që krahasimet me finalen e “Cardiff” janë më pak të rëndësishme se sa gjysmëfinalja e sezonit 2014/2015, ku Juve siguroi një fitore totale 3-2 për 180 minuta ndaj gjigatëneve spanjollë. Kjo çerekfinale ka dy anë, italianët presin fillimisht madrilenët dhe më pas udhëtojnë drejt kryeqytetit spanjoll, një fushë ku kanë treguar se e përballojnë mjaft mirë.

Bastet

Në finalen e Uellsit, skuadra e drejtuar nga Zidane ishte favorite me koeficient 1.8 ndërsa bardhezinjtë 2.2. Këtë herë “Los Blancos” e ka koeficientin e fitores 1.4 dhe Juve 2.75. Duket qartë që bastet favorizojnë madrilenët për këtë përballje, bazuar edhe në paraqitjet e tyre së fundmi në Ligën e Kampionëve por dhe në finalen e vitit të kaluar, ku spanjollët triumfuan bindshëm ndaj italianëve.

Related posts

BOTËRORI 2022/ Muriqi “shpëton” Kosovën nga humbja Greqisë në frymën e fundit

Delo.autor

“TË GJITHË DO TË DËNOHEN NË…”/ Presidenti i klubit kosovar “shpërthen” pas humbjes ndaj vendit të fundit (FOTO)

Delo.autor

NDËRRON JETË KËNGËTARJA E NJOHUR/ Neymar i shokuar për humbjen e mikeshës: Refuzoj ta besoj

Delo.autor

Leave a Comment