Sergio Ramos rrezikon seriozisht të mos luajë në dy ndeshjet gjysmëfinale të Uefa Champions League. Real Madrid siguroi kalimin në këtë fazë, pas ndeshjes me Juventusin, e cila shkaktoi polemika të shumta, për atë penallti të dhënë në favor të madrilenëve në minutat e kohës shtesë, kur bardhezinjtë po kryesonin me rezultatin 3-0.
Pjesë e këtyre polemikave, ose debateve të shumta që u zhvilluan në “Santiago Bernabeu” mes dy skuadrave ishte dhe kapiteni Sergio Ramos. Mbrojtësi nuk luajti në këtë sfidë për shkak se kishte plotësuar numrin e kartonëve. Siç raportojnë mediat spanjolle, shfaqja brenda fushës në ndeshjen me bardhezinjtë mund t’i kushtojë shumë 32-vjeçarit.
Episodi do t’i prezantohet Komisionit Etik dhe të Disiplinës në UEFA, dhe diçka e tillë mund ta privojë Real Madrid nga shërbimet e kapitenit të skuadrës në dy ndeshjet e ardhshme të fazës gjysmëfinale. Kjo sepse lojtarëve të skualifikuar nuk i lejohet në asnjë mënyrë të paraqiten në tunelin për në dhomat e zhveshjes.
Ndërsa mbrojtësi i kombëtares spanjolle pati edhe një përballje me trajnerin Massimiliano Allegri për episodin e 11 metërshit: “Ai më thoshte se penalltia ishte e qartë” deklaroi tekniku i bardhezinjve në fund të ndeshjes “Unë i thashë që nuk ishte e vërtetë. Dhe se kështu duhej dhënë edhe penalltia për Cuadrado.”
Sipas gazetës “Cope”, delegati i UEFA-s ka regjistruar të gjithë episodin dhe me shumë mundësi lojtari do të mungojë në dy takimet e rëndësishme gjysmëfinale të Champions League për Realin e Madridit.
Një ngjarje e ngjashme ka ndodhur edhe më parë: Në vitin 2014, Xabi Alonso, i skualifikuar edhe ai, hyri në fushën e lojës pas golit të Gareth Bale gjatë kohës shtesë në finalen kundër Atletico Madrid, dhe për pasojë humbi ndeshjen në Superkupën e Evropës. Në fakt Sergio Ramos njihet për temperamentin e tij, pasi mban edhe rekordin te “Los Blancos”e lojtarit me më shumë kartona të verdhe të marrë gjatë karrierës së tij.