Futboll

Rexhinaldo mes lotëve në stërvitje, Mezani zbulon arsyet e pezullimit

Te Laçi ka një çështje Rexhinaldo, me lojtarin që është i pezulluar nga klubi dhe do të vijojë të stërvitet i diferencuar. Ndërsa ekipi punonte në fushë, golashënuesi më i mirë i kurbinasve u shfaq i përlotur ndërsa bisedonte me presidentin Laska. Në momentin kur ekipi përfundoi seancën e së mërkurës, Rexhinaldo nisi stërvitjen i diferencuar me trajnerin Mezani. Drejtuesi i stolit shpjegoi edhe arsyet e ndëshkimit ndaj sulmuesit nga Mozambiku.

Gentian Mezani

“Janë një mori gabimesh nga Rexhinaldo, duke nisur nga ndeshja e Durrësit ku nuk donte të vazhdonte të luante, për të vazhduar me largimin pa leje nga hoteli ku ishte grumbulluar skuadra. Asgjë nga ajo që është shkruar në media nuk është e vëtetë, nuk ka ndodhur absolutisht asgjë. E largova unë nga dhomat e zhveshjes, sepse në bazë të pyetjeve që i kam bërë dhe përgjigjeve që nuk më janë dhënë, mendova që nuk ishte e duhur që ai të ishte pjesë e analizës së ndeshjes me Partizanin. E kemi marrë një vendim të tillë pas veprimeve që ka bërë Rexhinaldo, pa u konsultuar me klubin, me mua si trajner apo me stafin dhe lojtari do të vazhdojë të stërvitet i diferencuar deri në një vendim të dytë”.

Mezani e pranon se Rexhinaldo është një element tejet i rëndësishëm për Laçin, por kërkon profesionalizëm nga lojtari.

Gentian Mezani

“Për momentin është mirë që Rexhinaldo të kuptojë që në një klub profesionist duhet të sillet si profesionist. Në këtë moment them që në tre javët e fundit ai nuk ka qenë profesionist, edhe pse është një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin tonë. Por, padiskutim që kur ka gabime duhet të ketë edhe ndëshkime”.

Rexhinaldo do të mungojë prej trasfertës së fundjavës në fushën e Luftëtarit, aty ku Laçi do të kërkojë të rikthehet te ecuria pozitive në kampionat. Objektivi mbetet një biletë në Kupat e Europës, ndërsa ambicia e trajnerit Mezani është edhe kualifikimi në finalen e Kupës.

Gentian Mezani

 “Ndeshjet ne do ti marrim me radhë. Luajmë me Luftëtarin, skuadër që është një pikë larg nesh dhe për aq kohë sa janë aty e kanë objektiv dhe do të provojnë të luajnë në kupat e Europës. Ne do të bëjmë më të mirën, të provojmë të marrim maksimumin. Është shumë e rëndësishme që të kthehemi te fitorja apo te rezultatet pozitive pas dy humbjeve që na kanë dëmtuar shumë sepse rivalët në kampionat po afrohen dhe rrezikojmë shumë në pjesën e kampionatit. Do të preferoja kualifikimin në Europë pavarësisht se nga vjen, megjithatë nuk diskutohet që do të ishte shumë mirë për Laçin nëse do të luante në finalen e Kupës”.

Related posts

I SHUMËKËRKUAR NË TREG/ Bellingham zgjedh ekipin e ri

F.autor

NUK PRITI ASNJË PENALLTI/ Nëse De Gea do të ndiqte instruksionet, Manchester United fitonte trofeun

Delo.autor

SHUMË YJE MUND TË LARGOHEN NGA BLUTË/ Çelsi projekton Brojën titullar

F.autor

Leave a Comment