Futboll

Sinan Idrizi: Po të kisha dyshime i çoja në Prokurori

Humbja në stadiumin “Flamurtari” përball Skënderbeut në kampionat jo vetëm që ka lënë shije të hidhur te stafi dhe drejtuesit, por edhe tifozët i janë kthyer kundër kuqezinjve, të cilët gjatë vitit 2018 kanë marrë dy fitore, një në kampionat kundër Lushnjës dhe një në Kupë ndaj Skënderbeut.

Është situatë e paparashikueshme te kuqezinjtë, të cilët kanë precipituar nga vendi i dytë në të gjashtin në tabelën e klasifikimit dhe janë larg zonës së Europës. Megjithatë, duhen edhe 7 javë deri në mbylluje të kampionatit për të rikuperuar gjithçka. Kjo është diskutuar sot në mbledhjen e zhvilluar në zyrat e klubit kuqezi, ku është folur me tone të larta rreth rezultateve që ka marrë kjo skuadër për vitin 2018. Sinan Idrizi tregon disa fakte nga mbledhja e bërë, ku thotë se kanë gjetur gjuhën e përbashkët për t’i kërkuar ndjesë qytetarëve të Vlorës për paraqitjen e bërë gjatë muajve të fundit dhe sidomos në takimin kundër Skënderbeut.

“Ishte një mbledhje me tone të larta, jo dhe aq. Ishte thjesht një arsyetim dhe një kërkesë mes aktorësh të barabartë jo në pozitat e punëdhënësit dhe punëmarrësit, por e aktorëve që ndiejnë dhe mbajnë një fanelë. Thjesht kërkuam që të dimë përgjegjësitë  e njëri tjetrit se ku janë e ku shkojnë, ato që shkojnë dhe ato që nuk shkojnë. Dhe, ata që marrin përsipër ato që ne duhet të bëjmë”.

Thirrja – “Normalisht unë prisja të më thërrisnin lojtarët mua, mirëpo e pash që të gjithë ishin më tepër se të agravuar nga ana e ndjeshmërisë. Ishte gjëja e parë që mua më pëlqeu dhe e them me zë të lartë se këta janë një grup djemsh në dallim nga të tjerët që kanë bërë gjërat më mirë nga sa duhet të bënin në kuptimin e fanelës. Jam bërë pak i bezdisur me termin e fanelës, por për mua çdo gjë fillon dhe mbaron aty. Folëm gjerë dhe gjatë dhe është kjo histori që thjeshtë të dalim sa më shpejtë nga kjo gjendje dhe të tjerat janë gjëra që mbeten në kuptimin e të kaluarës”.

Ndjesa – “Konkluzion për këtë situatë nuk ka, tani unë dua përgjigjen në fushë që nga ndeshja e të shtunës. Kur them ‘unë’, nuk them unë si individ, por për atë që përfaqësojmë, stemën e Flamurtarit. Lojtarët nuk mund të më japin premtim, por thanë se e kanë obligim sepse të gjithë janë të kënaqur këtu në Vlorë. Madje, e thonë me zë të lartë duke pranuar se është ambienti më i mirë që kanë parë në Shqipëri. Por, kur vjen puna te ky ambient, falja që mund të na bëjë tifozeria vlonjate dhe qytetarët vlonjatë, janë vetëm rezultatet në fushë. Problemi më i madh nuk qëndron tek një humbje që bën ndaj skuadrës që udhëheq kampionatin shqiptar, por fyerja më e madhe që ne si klub i kemi bërë qytetarisë vlonjate ishte ajo pashpirtësia e garës që ne demonstruam në ndeshjen e shkuar. Dhe në këtë pikë kërkoj ndjesë në emër të klubit për rastin e ndeshjes së fundit”.

“Lojtarët kanë një përgjigje të përbashkët të gjithë: Ndjehemi shumë mirë dhe përgjigjen tonë do e merrni në fushë. Dhe, unë ua kam bërë të qartë nëse kini parasysh para dy vitesh që kundër Skënderbeut humbëm në ditën e fundit të kampionatit dhe skuadra nuk reagoi nga faktorë objektiv apo subjektiv, arsye që nuk i di akoma. Ju e dini që për këtë unë shkriva një ekip të gjithë sepse e përsëris që pas çdo humbje që mund t’i ndodhë ekipit tonë, unë në këtë rast përgëzoj fituesin. Por, kur humbja ka një pikëpyetje nga pas, atëherë nuk më mbetet gjë tjetër veçse të ngre dhe unë pikëpyetjet e mia. Por, ky ekip nuk ka pikëpyetje, ky ekip është grupi më serioz që kam parë deri më sot te Flamurtari”.

Masa e marrë – “Masë për largim lojtarësh unë e marr në momentin që shoh se realisht ka nga këta që kanë probleme. Lojtarë që Flamurtari i ka pasur në të shkuarën, nga ata që thyejnë dhe ligjet e fizikës në fushë. Ju e dini që jam i vetmi president që kam çuar ekipin tim në Prokurori. Pra, unë e nis çdo gjë nga vetja ime”.

Përgjigjja nga Prokuroria – “Nuk është problemi im. Ekipi dënohet për një ngjarje të tillë kur thuhet se ka një ndeshje të luajtur. Unë i çova në Prokurori dhe u thashë se kemi lojtarë të Flamurtarit të cilët deponojnë se është një ndeshje e bërë dhe ribërë në skedinat e bastit dhe prokuroria nuk vepron, atëherë ky nuk është faji im. Por, tek ky ekip këto gjëra nuk ekzistojnë”.

Rinovimet – “Lëkundje nuk kam, por kam vetëm një dilemë të vogël. E them sepse ne duhet të kishim mbyllur kontratat deri tani. Të paktën me një pjesë të madhe të tyre duhet të kishim mbyllur kontratat. Pjesa më e madhe e grupit është në ‘pole position’. Jemi të vonuar.

Afrimet e janarit – “Nuk është pritshmëria që ne kishim për të gjithë këta, por nuk mund të themi që Muarem është i dështuar. Është ndeshja e dytë që luan te Flamurtari. Ka ardhur pas një dëmtimi, pas një periudhe që nuk është aktivizuar për dy apo tre muaj. Një lojtar që ka karakteristika të tilla nuk mendoj se duhet ta pikëzojmë kaq lehtë. Pastaj te pjesa tjetër, te dy nga djemtë e tjerë, madje te njëri mund të kem mendime jo fort pozitive. Por, kjo është histori tjetër që i ngelet kohës”.

Related posts

“PINË ÇAJ BASHKË”/ Messi e Pogba kalojnë kohën në Dubai

Isa.Autor

Legjenda braziliane kthehet në Itali, mesazhe dashurie për Milan

Sadik.Autor

Lopetegui e nis me fitore/ Carvajal dhe Bale i japin fitoren në DERBI Real Madridit (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment