Futboll

Surprizë e bukur për FSHF-në, Duka merr një çmim tjetër

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u nderua me çmimin si Ambasador Nderi i shoqatës së Fëmijëve Autikë, “Fëmijët Shqiptarë”, të drejtuar nga Dr. Liri Berisha. Zyra e shtypit e Federatës vuri në pah organizimin dhe mbarëvajtjen e takimit ndërmjet presidentit Armand Duka, dhe Liri Berishës.

“Mirënjohje, emocion, krenari dhe mbështetje e madhe. Kështu e etiketoi Presidentja e Fondacionit të Fëmijëve Autikë, “Fëmijët Shqiptarë”, Dr.Liri Berisha, suportin e FSHF në vizitën e kortezisë që ajo zhvilloi në selinë e institucionit, në prezencën e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka dhe sekretarit të përgjithshëm, Ilir Shulku.

Vetë zonja Berisha i përcolli presidentit Duka, në emër të prindërve dhe të gjithë Fondacionit, mirënjohjen më të thellë, për këtë bashkëpunim të nisur, ku para pak javësh skuadra kombëtare e futbollit, së bashku me trajnerin Christian Panucci, ishte mes këtyre fëmijëve në një aktivitet që rriti shumë ndërgjegjësimin shoqëror për këtë shtresë.

Vetë dr.Liri Berisha i akordoi Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, çmimin “AMBASADOR NDERI” i Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, në shenjë mirënjohje për mbështetjen aktuale dhe të vazhdueshme nga ana e FSHF-së për këta fëmijë autikë, të cilët ditën kur i vizitoi ekipi kombëtar përjetuan shpresë, gëzim, dhe emocion.

Zonja Berisha si Presidente e këtij Fondacioni theksoi se “prezenca e ekipit kombëtar në ambientet e Qendrës ishte një sinjal shprese, ku u dhanë mesazhe shumë të forta nga lojtarët për ndërgjegjësimin e shoqërisë, duke i rikujtuar të gjithëve që një sëmundje e tillë nuk është thjesht dhe vetëm një dhimbje e vazhdueshme e prindërve të këtyre fëmijëve, por e tërë shoqërisë. Ajo ditë ishte një mbështetje e madhe si për fëmijët, dhe për prindërit, dhe këtë ju jemi mirënjohës”.

Presidenti Duka nga ana e tij i garantoi zonjës Berisha, dhe nëpërmjet saj, edhe të gjithë prindërve që FSHF do të vazhdojë të jetë gjithmonë e gatshme për thirrje të tilla sensibilizuese për shoqërinë, për fëmijët autikë, dhe jo vetëm: “Ne si FSHF gjithmonë të tilla nisma i kemi mbështetur me shumë kënaqësi, për të dhënë të gjithë një mesazh nëpërmjet futbollit.

Dhe do të vazhdojmë së bashku për ta ngritur këtë mesazh akoma më lart në nivel shoqëror për të qenë sa më afër me këta fëmijë. Edhe me Fondacionin tuaj mbështetja e FSHF-së nuk do të mungojë në asnjë moment, duke planifikuar një investim për të ngritur edhe aty pranë jush për këta fëmijë një fushë futbolli, por edhe për të sjellë çdo gjë tjetër të futbollit për ta.

Do bëjmë maksimumin tonë, në një bashkëpunim të shpeshtë, për të gëzuar fëmijët dhe prindërit bashkë, si dhe për të rritur ndjeshëm ndërgjegjësimin publik, natyrisht me çdo mjet e mundësi që kemi”,- përfundoi Presidenti Duka. Në fund dhuratat respektive nuk mund të mungonin. Një fanellë e ekipit kombëtar me emrin e Fondacionit, si dhe Albumi i Europianit për kreun e Fondacionit, dr.Liri Berishën, e cila vetë ajo, nga ana e Fondacionit kishte sjellë një punim nga vetë fëmijët autikë, si një dhuratë kujtim për Presidentin e FSHF-së”, – shkruhet në njoftimi e FSHF-së.

Related posts

5 GOLA NË DY NDESHJET E FUNDIT/ Ernest Muçi: Ia dalim me Jang Bojsin, Shqipëria e gjitha me ne…

Delo.autor

SPECIALE/ Botërori 1966: Anglia triumfon falë “dorës” së arbitrave

Isa.Autor

VALË E MADHE INFEKTIMESH ME COVID-19/ Premier League në ajër. Rrezikohet pezullimi i kampionatit

Delo.autor

Leave a Comment