Futboll Sport

10 grupimet ultras më të rrezikshëm në botën e futbollit

Futbolli është shndërruar në një prej elementëve më fondamentale të jetës njerëzore. Sporti më popullor në mbarë botën vazhdon të mbërthejë pas vetes miliarda njerëz ku asnjëherë nuk mungojnë lajmet e ditës për ngjarjet futbollistike. Ky sport ka aftësinë të depërtojë lehtësisht brenda mendimeve dhe emocioneve të njerëzve duke rrëmbyer zemrat dhe mendjet e tyre. Janë të shumta këndvështrimet me të cilat mund të perceptosh influencën e këtij sporti, por nëse ekziston një aspekt që i jep gjallëri dhe jetë futbollit janë padyshim tifozët.

Trashëgimia, suksesi dhe lavdia e një klubi nuk mund të jetojnë dot pa shpirtin e tifozerive të cilët japin identitetin e vërtetë një skuadre duke e transformuar në një nga simbolet e historisë së futbollit. Organizimi unik, orkestrimi i koreve të fansave në çdo stadium krijojnë një simfoni fantastike që gjithmonë të magjeps. Megjithatë futbolli nuk bën përjashtim nga influencimi i tendencave negative të ekstremizimit të frymës së tifozerive duke ngjallur kritika për devijimin nga boshti i konkurrencës, spektaklit dhe fair-play-t. Është një temë e gjatë se si ky sport amplifikon sentimentet e shumë njerëzve duke ngjizur aspektet e diferencave klasore, radikalizimit ideologjik dhe konfliktualitetit nacionalist.

Ata që njihen si “fanatikët apo ultrasit e një klubi” janë të përgatitur për të shkelur ҫdo rregull dhe normë të korrektësisë në lojë me synimin e vetëm transformimin e stadiumeve në qendra fertile të propagandimit të dhunës dhe urrejtjes. Imazhi që kjo kategori ka krijuar i ka dhënë futbollit një iluzion kontradiktor për atë se ҫfarë duhet të promovojë dhe tendencave ekzistuese me të cilët ultrasit këmbëngulin të identifikohen. Huliganizmi dhe vandalizmi kanë gjetur hapësirë brenda futbollit duke dalë shpeshherë në plan të parë. Sot është vënë në pikëpyetje e ardhmja e frymës që duan të përqafojnë tifozët dhe adhuruesit e këtij sporti.

“Sportskeeda” ka renditur “10 grupimet më fanatike të klubeve në botë” duke matur shkallën e agresivitetit dhe përjashtimit që ata imponojnë në realitetin sportiv.

1. Galatasaray (ultrAslan/Luanët)

Turqia njihet si njëra prej epiqendra të fanatizmit futbollistik. Thuajse ҫdo skuadër e vendit shoqërohet me seksionin e ultrasve. Dhe ekipi më i suksesshëm në historinë e shtetit euro-aziatik përkrahet nga një prej grupimeve më radikale në mbarë botën. “ultrAslan” u themeluan në vitin 2001 pas shkrirjes së disa grupimeve pro-Galatasaray-t për të krijuar një formacion unitar.

Karakteristikë e tyre është zhurma që prodhojnë nga ovacionet e akorduara lart duke regjistruar një rekord “Guiness” për tingullin më të lartë të prodhuar nga një grupim njerëzish. Nga ana tjetër, ultrasit e “Aslanlar” (Luanët) janë kthyer në një faktor të rrezikshëm për incidentet e dhunshme që kanë shkaktuar jo vetëm në shtëpi, por jashtë stadiumit “Turk Telekom”. Tifozët verdhekuq janë gjithmonë të përgatitur për të ngjallur frikë te çdo skuadër që luan në shtëpinë e tyre. Mjafton vetëm slogani “Mirë se vini në ferr” për të kuptuar se çfarë atmosfere i pret çdo tifozeri dhe ekip kundërshtar që luan në tempullin e Galatasaray-t.

Përplasjet më të egra “ultrAslan” i kanë shkaktuar në ndeshjet ndaj Tottenhamit, Arsenalit, Leeds United. Ndeshjet ndaj ekipeve rivale në Turqi kthehen në fushëbeteja kur prezenca e policisë është e përhershme. Jo pak herë, klubi është penalizuar për problemet që kanë krijuar fanatikët e paepur të Galatasaray-t.

2. Lazio (Irriducibili/ Të pakalueshmit)

Klubi italian ka krijuar një emër aspak të pëlqyeshëm për lidhjet e hershme me regjimin fashist të Benito Mussolinit. Seksioni i ultrasve lacialë njihen për pikëpamjet raciste, anti-semitike dhe fashiste duke i demonstruar hapur në çdo takim brenda dhe jashtë Italisë. Jashtë stadiumit “Olimpico” fanatikët e Lazios përfshihen në demonstrata të dhunshme kundër simpatizantëve dhe aktivistëve të majtë dhe anti-fashistë. Episodi më skandaloz që ka bërë lajm në mbarë botën ka qenë përplasja në një klub me tifozët e Tottenhamit në vitin 2012 duke lënë disa të plagosur. Ultrasit e kaltër provokojnë vazhdimisht futbollistët e huaj duke mos kursyer as lojtarët e ekipit të tyre. Urrejtja kundër skuadrës tjetër të kryeqytetit italian Romës i ka kaluar kufijtë brenda Apenineve duke u bërë i njohur si njëri prej rivaliteteve më të egra në botë.

3. Ylli i Kuq i Beogradit (Delije/Heronjtë)

Që në vitet e regjimit të Titos, klubi bardhekuq i Beogradit ka patur një bazë të gjerë përkrahësish. Në vitin 1989 u formua seksioni i njohur si “Delije” për të garantuar ruajten e trashëgimisë së skuadrës. Me nisjen e copëtimit të Federatës jugosllave në fillim të ’90-s dhe rritjen e konflikteve ndëretnike, tifozët ultra-nacionalistë serbë të Yllit të Kuq të Beogradit u angazhuan në mbrojtjen e komunitetit serb duke provokuar incidente në mbarë ish-Jugosllavinë. Kur nisën luftërat civile me formimin e shteteve të reja të Kroacisë, Sllovenisë dhe Bosnje Hercegovinës një pjesë e madhe e “Delije” u trajnuan si paramilitarë të Gardës Vullnetare Serbe për të shkaktuar masakra dhe shkatërrime në popujt jo-serbë. Ndeshja e njohur e 13 majit të 1990 midis Dinamo Zagrebit dhe Yllit të Kuq të Beogradit instaloi imazhin famëkeq të ultrave bardhekuq serbë të cilët provokuar incidente të dhunshme në stadiumin “Maksimir të Zagrebit”.

Përveҫ frymës raciste, “Delije” identifikohen dhe si armiqtë e përbetuar të seksionit të ekipit tjetër të Beogradit, Partizanit “Grobari”. Sa herë që të dyja skuadrat më të mira të Serbisë duelojnë midis tyre, formacionet e tifozëve fanatikë përleshen barbarisht duke e kthyer derbin e Beogradit në një prej rivaliteteve futbollistike më të rrezikshme në botë.

4. Millwall (Millwall Bushwackers/ Shkelësit e shkurreve)

Skuadra e sektorit të juglindjes së Londrës njihet më tepër për fanatizmin e tifozëve sesa për historinë dhe arritjet në futbollin anglez. Në vitet ’60-të dhe ’70-të “Bushwackers” renditeshin ndër grupimet huligane më famëkeqe në Angli për përplasjet dhe incidentet e pakontrolluara në disa qytete të ishullit britanik. Në 1965 në ndeshjen ndaj Brentfordit ultrasit e Millwallit provokuan kaos duke hedhur një granatë që nxiti përplasje të dhunshme midis tifozerive. Për 3 dekada huliganizmi dhe vandalizmi ishte një fenomen që shteti anglez e kishte gati të pamundur për t’i luftuar. Në vitet ’80-të huliganizmi i ultrasve të skuadrave angleze u bë i padurueshëm dhe Millwall shkaktuan një tjetër episod të errët kur në ndeshjen e humbur ndaj Luton Town përshkallëzuan trazirat në Londër duke u konfliktuar me tifozë të Chelsea-t dhe West Ham-it në që përfunduan me arrestimin e 31 të tifozëve për nxitje dhune.

Në fund të viteve ’80-të u vendosën në fuqi ligje të ashpra për pushtimin e fushave nga tifozët duke sjellë rënien e huliganizmit dhe vandalizmit në Britaninë e Madhe. Dhe federata angleze ka miratuar një sërë rregullash agresive për klubet që nuk arrijnë të menaxhojnë tifozeritë e tyre.

5. River Plate (Los Borrachos del Tablon/Pijanecët e Tavolinës Kryesore)

Futbolli në Amerikën Latine trajtohet si kult fetar, por fanatizmi i popujve latinë për këtë sport ka tejkaluar çdo normë duke e kthyer futbollin në një çështje jetë a vdekje midis skuadrave amerikanojugore. Ultrasit e River Plate janë të gatshëm të krijojnë atmosfera të zjarrta në çdo sfidë, por që shpeshherë dalin jashtë kontrollit. Një anë e errët e “Los Borrachos del Tablon” janë kontaktet me elementët kriminalë në Buenos Aires. Në shekullin e fundit “luftimet” e tyre me “ushtritë” rivale kanë përfunduar me pasoja vdekjeprurëse. Në 2002 ata qëlluan me armë një tifoz fanatik të Boca Juniors.Dy vite më vonë “garda” e River Plate shkatërroi autobusin e ekipit rival të Newell’s Old Boys.

Pasioni i tyre nuk njohu mëshirë për ekipin kur ra nga kategoria e parë argjentinase të futbollit për herë të parë në 110 vjet histori të klubit në 2011. Zhgënjimi i tyre i papranueshëm e ktheu arenën e “Antonio Vespucio Liberti” në një zonë lufte ku nga përplasjet e ultrasve të River Plate me policinë argjentinase mbetën të plagosur 65 efektivë të forcave të sigurisë. Konflikti ka përfshirë prej gati 10 vitesh dhe dy fraksionet e “Los Borrachos del Tablon” të cilët kërkojnë me çdo kusht drejtimin e grupit unitar të ultrasve të River Plate.

Origjina e huliganizmit të simpatizantëve radikalë të “Los Millonarios” ka nisur nga vdekja e një tifozi kundërshtar në 1958 dhe sot e kësaj “gardianët” e River Plate nuk pranojnë të heqin dorë nga përdorimi i metodave të dhunshme.

6. Universitario Lima (Trinchera Norte/Hendeku verior)

Krahu ekstremist i ekipit kryeqytetas të perusë prej gati 3 dekadash ka krijuar frymën e shpalosjes së urrejtjes në çdo ndeshje të kampionatit vendas. Lidhja e tyre me skuadrën është shumë e ngushtë aq sa të dyja palët festuan përvjetorin e 25-të themelimit të bazës së ultrasve “Trinchera Norte”.

Në Peru ata janë pjesë e një formacioni më të gjerë përkrahësish të Universitarios, i cili mban emrin “Barra Bravas”. Një pjesë e liderëve të këtyre grupimeve është arrestuar nga policia peruane për trazirat dhe destabilitetin e rendit të sjellë në stadiume. E ngjashme në organizim me shumë tifo-grupeve homologe në të gjithë kontinentin, breda kampit të tyre përplasjet sektare për kontrollimin e plotë organizatës midis “La Turba” dhe “Troop” i kanë kushtuar jetën njërit prej anëtarëve fanatikë.

7. Metalist Kharkiv( Sect 82/Sekti i 82-të)

Ekipi rival i Dinamos së Kievit dhe Dnipros ndërpreu aktivitetin si klub në vitin 2013 për shkak të pamundësisë për të shlyer borxhet e akumuluara. Por kjo nuk e ka fshirë impaktin negativ që kanë shfaqur tifozët e Metalist Kharkivit në shkaktimin dhe përfshirjen në vorbullat e dhunës në takimet me armiqtë e përjetshëm. Përplasjet e dhunshme midis dy tifo-grupeve ukrainase janë zhvendosur dhe jashtë stadiumeve përkatëse. Pas shpalljes së falimentimit të klubit, dy tifozeritë e Kharkivit u bashkuan për të shprehur indinjatën në njërën prej takimeve të ligës ukrainase ndaj drejtuesve të klubit për anashkalimin e përgjegjësive financiare dhe drejtuese. Megjithatë, aktivitetin mbështetës ndaj “Nuselalave” fansat e Metalistit nuk e kanë ndërprerë asnjëherë duke dalë në mbrojtje të skuadrës dhe emrit që përfaqëson.

8. Ferencvaros (Zöld Szörnyek/Përbindëshat Jeshilë)

Ekipi hungarez nuk bën pjesë në rangun e klubeve elitare europiane, por përkrahja e segmentit të ultrasve të saj e bën më të njohur klubin në kontinent. Mobilizimit dhe organizimit të “Përbindëshat Jeshilë” nuk i mungon asnjë detaj nga tifo-grupet e klubeve të ligave jashtë shtetit hungarez. Ata njihen për ekspozimin e lehtë të dhunës duke dalë në publik me mjete të rrezikshme si shkopa bejsbolli, zinxhirë dhe pistoletave elektrike. Kjo gjë nuk përbën problem për fansat e Ferencvarosit. Në derbin me Ujpest nuk mungojnë asnjëherë incidentet dhe përplasjet masive midis dy tifozerive. Fryma e mungesës së mëshirës nuk njeh limite as në ndeshjet kundër ekipeve të huaja ku në disa raste “Përbindëshat Jeshilë” janë përballur me ultrasit e Millwallit, Hajduk Splitit dhe Dinamos së Kievit. Mentaliteti agresiv dhe jokonformist i tyre shërben për mbrojtjen e vlerave dhe emrin e klubit të Ferencvarosit, gjithmonë sipas këndvështrimit të “Zöld Szörnyek”. Shteti dhe policia hungareze janë angazhuar vitet e fundit për minimin e frymës huligane të zonës së ultrasve të Ferencvarosit.

9. Barcelona (Boixos Nois/Djemtë e Çmendur)

Pavarësisht se klubi katalanas është një ambasadë e promovimit dhe mbrojtjes së futbollit spektakolar, brenda radhëve të tifozëve të Barcelonës ekziston prej vitesh një segment i vijës së ekstremit të djathtë që njihen si “Djemtë e Çmendur”. Ata janë përkrahës të fuqishëm të shkëputjes së rajonit të Katalunjës nga Spanja. Marrëdhëniet me klubin vazhduan pozitivisht për shumë kohë deri në vitin 2003 kur presidenti i sapozgjedhur në atë kohë Joan Laporta i detyroi të mos merrnin pjesë në asnjë ndeshje të ekipit blaugrana. Urrejtja dhe antipatia ndaj presidentit të ri e kishte zanafillën te origjina e tij hebre, një fakt i papranueshëm për pikëpamjet raciste të ultrasve katalanas. Pas zgjedhjes së Laportas si kreu i ri i Barcelonës, fanatikët e klubit dërguan disa herë mesazhe kërcënuese për Laportan dhe sulmuan dhe shtëpinë e tij. Në vitin 1991 një pjesëtar i këtij formacioni u dënua me 26 vjet heqje lirie pas u shpall fajtor për vrasjen e një tifozi të ekipit kundërshtar të Espanyol-it. Skandali më i madh i provokuar nga “Boixos Nois” ka qenë manifestimi pro-huliganëve të Liverpool-it që shkaktuan vdekjen e 39 tifozëve juventinë në finalen e luajtur në 1985 në Kupën Europiane në stadiumin belg “Heysel”. Megjithatë prezenca e tyre në “Camp Nou” nuk ndihet për shkak të homogjenitetit të tifozëve futbolldashës katalanas.

10. Real Madrid (Ultras Sur/ Ekstremi Jugor)

Tifozeritë në Spanjë nuk njihen sot për organizimin fragmentar të mbështetësve të klubeve, por në të kaluarën edhe Real Madrid ka pasur në radhët e veta një segment ekstremistësh të djathtë ultra-nacionalistë që janë bërë të njohur në vitet ’80-të. Themeluesi i seksionit radikal të mbështetësve të klubit madrilen është Jose Luis Ochaeta, një person i arrestuar disa herë nga policia spanjolle për shkelje serioze të ligjit.

Sektori ultramadrilen ka vendosur marrëdhënie edhe me formacionet vëllazërore të Lazios “Të pakalueshmit”. Pas rënies së regjimit frankist në 1975, organizimet e tifo-grupeve spanjolle të futbollit njohën përhapje të madhe. Ultrasit madrilenë mendohen se kanë patur dhe ruajnë kontakte me eksponentë të forcave politike të ekstremit të djathtë në Spanjë. Në fazën e demokracisë, “Ultras Sur” janë përleshur në 1983 me një grup tifozësh pro-Barcelonës dhe me mbështetësit e Interit në 1985 dhe 1986 gjatë ndeshjeve të Kupës UEFA.

Me ardhjen e Florentino Perezit në krye të presidencës së Realit në vitin 2000, formacioni ekstrem “Ultras Sur” u ndalua përfundimisht të ndiqte ndeshjet e “Los Blancos” në “Santiago Bernabeu”. Në çdo takim anëtarët protestojnë jashtë stadiumit ndaj drejtuesve të klubit duke i akuzuar për përjashtim të padrejtë nga frekuentimi i ndeshjeve të 12-herë kampionëve të Europës.

Related posts

TENIS/ Sinjale paqeje me “Australian Open”, Djokovic do të jetë në turneun e Sidney

Delo.autor

PLAS TEK MILANI/ Mesfushori italian ACAROHET keq me klubin duke kërkuar…

Isa.Autor

HUMBI TITULLIN/ Ronaldo i rikthehet ndërhyrjes së famshme të Iulianos: Ishte vërtet një TURP, nuk mund të…

Isa.Autor

Leave a Comment