Futboll Sport

10 lojtarët të cilët ndryshuan rol gjatë karrierës dhe shkëlqyen!

Të qenit një lojtar fleksibël është një aftësi që arrihet me kalimin e viteve duke fituar eksperiencë në fushë. Ndryshe nga e kaluara ku lojtarët identifikoheshin me një pozicion në fushë gjatë gjithë karrierës, përshtatja me kushtet e paqëndrueshme të lojës kërkojnë që futbollistët të sakrifikojnë rolin e tyre në funksion të arritjes së rezultateve dhe plotësimit të nevojave të ekipit. Shumë futbollistë zgjedhin të luajnë në një pozicion në fushë të motivuar dhe frymëzuar nga një model lojtari, por pa arritur të kuptojnë se sa janë të aftë të operojnë në këtë rol.

Ka pasur raste ku lojtarë të njohur kanë përmirësuar nivelin e lojës duke ndryshuar pozicion në fushë duke u përmirësuar akoma më tepër. Në ndryshimin e drejtimit të karrierës së tyre kanë luajtur rol thelbësor dhe trajnerët. Në disa situata të tjera shumë futbollistë kanë humbur mundësinë për të marrë një rol në fushë për shkak të peshës dhe reputacionit të emrave të mëdhenj në skuadër. “Planetfutboll.com” ka renditur “10 lojtarët më të njohur që ndryshuan profil” në fushë.

Thierry Henry

Sulmuesi francez nuk e nisi karrierën në rolin që u bë i njohur në mbarë botën. Në Francë dhe në Itali ai luante në pozicionin e mesfushorit të krahut. Me fanellën e Juventusit ai nuk arriti asnjëherë të gjente golin, duke vuajtur të përshtatej me kulturën italiane të futbollit. Por kalimi te skuadra e Arsenalit i shpëtoi karrierën. Arsene Wenger i sugjeroi kampionit të botës të luante në vijën e sulmit duke u vendosur më në qendër repartit ofensiv. Pas 7 viteve Henry krijoi reputacion si njëri prej sulmuesve më të rrezikshëm dhe më të spikatur të të gjitha kohërave duke shënuar 228 gola në 336 ndeshje.

Gareth Bale

Në vitet e para të karrierës Bale luante në pozicionin e mbrojtësit të krahut të majtë. Ai doli në skenën e madhe europiane ndeshjen ndaj Interit në vitin 2010 kur shënoi i vetëm 3 golat ndaj kampionëve të Europës në fuqi të asaj kohe Bale shkatërroi totalisht Douglas Maicon, i cili ishte urdhëruar të markonte uellsianin, por humbi çdo duel me të. Më tej ai përparoi në rolin e mesfushorit të krahut, duke shfaqur rrezik më të madh përpara portës dhe duke u shndërruar në një lojtarët nga më të shpejtët në botë. Maicon u shënjestrua nga tifozët si shumë i plakur, duke u provokuar me parullat “Taksi për Maiconin”.

Bastian Schweinsteiger

Ish-kampioni i botës u detyrua të sakrifikonte gjithçka për të luajtur në qendër të mesfushës gjermane në fushatën e Kupës së Botës në Brazil. Gjetja e një alternative të besueshme në repartin e mesfushës së Gjermanisë po haste në pesimizëm pas problemeve fizike të Sami Khediras dhe rendimentit të lojës së Toni Kroos.

Në pjesën më të madhe të karrierës, “Schweini” operoi si mesfushor krahu duke i dhënë garanci 4 herë kampionëve të botës në repartin sulmues. Gjermani tregoi shpirt luftarak gjatë gjithë edicionit duke mbrojtur fanellën e “Die Mannchaft” dhe duke u kthyer në motorin e “panzer”-ave. Ai fitoi eksperiencë nga kolegët e tij te Bayern Munchen, duke luajtur me Jens Jeremies, Niko Kovac, Owen Hargreaves dhe Michael Ballack gjatë në 13 vite me bavarezët.

Vincent Kompany

Një qendërmbrojtës klasik, kapiteni i Manchester City-t jo pak herë është detyruar të marrë rolin e mesfushorit në kushte të caktuara. Ish-trajneri i “Qytetarëve” Mark Hughes ishte i pari që i dha liri veprimi në fushë kapitenit të Belgjikës. Ai ka dhënë kontributin maksimal në ngritjen e Manchester City në rangun e ekipeve më të mira të Anglisë dhe Europës.

Javier Mascherano

Ish-mesfushori i Liverpoolit nuk luajti në pozicionin e tij kur erdhi te Barcelona për shkak të konkurrencës së emrave si Xavi, Iniesta dhe Sergio Busquets. Me largimin e Carles Puyolit, Mascherano u kalua në rolin e qendërmbrojtësit, një pozicion aspak natyral dhe arriti të kthehej në një lojtar të besuar të çdo trajneri të Barcelonës. Të njëjtën gjë ai ka bërë dhe me kombëtaren e Argjentinës, duke mbajtur rolin e qendërmbrojtësit gjatë gjithë këtyre viteve me bardhekaltërit.

 

Cristiano Ronaldo

Portugezi ka luajtur fillimisht në krahun e djathtë të mesfushës. Por me kalimin e viteve ai shfaqi aftësi si golashënues i rregullt. Sir Alex Ferguson u detyrua të kalonte Ronaldon në qendër të sulmit të “Djajve të Kuq” midis Wayne Rooney-t dhe Carlos Tevez. Lëvizja dha rezultate perfekte teksa Ronaldo u kthye në një sulmues të pamëshirshëm duke ndihmuar në suksesin e Manchester United në Angli dhe në Europë (3 tituj Premier League dhe 1 Champions League). Në Spanjë ai arriti lehtësisht të ndërtonte statusin e njërit prej sulmuesve më të arrirë, duke thyer një numër rekordesh të shënimit të golave me fanellën e “Los Blancos”.

Andrea Pirlo

Sot italiani konsiderohet një nga “maestrot” më gjeniale të futbollit falë vizionit, parashikimit dhe ndërtimit të aksioneve rezultative me Milanin dhe Juventusin. Por përpara se të vishte fanellën e kuqezinjve, Pirlo njihej në Itali si një mesfushor me numër 10 (trekuartist) i zënë me detyrat e organizimit të lojës dhe shënimit të golit. Ancelotti e spostoi në qendër të mesfushës, duke i dhënë garanci dhe stabilitet skuadrës së Milanit, duke u kthyer në një nga skuadrat më të mira të Europës. Me emrin e Pirlos lidhet suksesi i pamohueshëm i dy Champions League dhe 6 titujve të Serisë A me fanellat e dy klubeve më të mira të Italisë. Ai shfaq respekt dhe mirënjohje Carlo Ancelottit për udhëzimet dhe edukimin që i ka ofruar gjatë 7 viteve që qëndroi në “Djallin”.

 

Gareth Barry

Anglezi ka lëvizur në të gjitha pikat e vijës së mbrojtjes gjatë gjithë karrierës. Disa herë ai kaloi dhe në krahun e djathtë të mesfushës dhe e kjo nxiti trajnerin Martin O’Neal ta poziciononte Barry-n në qendër të mesfushës. Aty ai u përshtat më së miri dhe u shndërrua në njërin prej lojtarëve më të mirë të repartit të mesfushës në Premier League. Pas eksperiencës te Liverpool, Barry luajti për Manchester Cityn duke dhënë maksimumin në triumfin e dy sezoneve të Premier League-ës. Më tej ai kaloi te Evertoni duke u kthyer në idhullin e tifozëve “blu”.

Philipp Lahm

Për gati një dekadë kapiteni i Gjermanisë dhe Bayern Munich luajti në të dy krahët e mbrojtjes duke u renditur ndër mbrojtësit më të mirë të të gjitha kohërave. Me ardhjen e Guardiolas në 2013, Lahm kaloi në krahun e majtë të mesfushës duke treguar maturi dhe siguri. Katalanasi e ka konsideruar Lahmin si njërin prej lojtarëve më inteligjentë që ka njohur gjatë karrierës së tij.

Ryan Giggs

Uellsiani në periudhën e rinisë njihej si njëri prej mesfushorëve të krahut më të kompletuar në Europë. Krahu i majtë ishte sektori ku ai arriti majën e suksesit personal dhe kolektiv. Me kalimin e viteve dhe rënien e rendimentit fizik, Giggs u detyrua të përshtatej me rolin e mesfushorit organizator duke kaluar në qendër të mesfushës së Manchester United. Ai dëshmoi profesionalizëm dhe kualitet në lojën e “Djajve të Kuq” duke dhuruar asiste dhe gola që u përkthyen në trofe të shumtë dhe dominim të gjatë në Angli të skuadrës së Sir Alex Fergusonit.

Related posts

Arsenali në pikiatë/ Shtypi anglez “mbyt” me kritika Xhakën e Ozilin, ishin katastrofë…

Isa.Autor

“BËRA NJË GABIM…”/ Fjalët e Marash Kumbullës pas dramës që i shkaktoi Milanit

F.autor

Tregimi drithërues i Shpëtim Duros, ju tregoj pengun e madh në Vlorë…

Sadik.Autor

Leave a Comment