Champions League Futboll Sport

CHAMPIONS LEAGUE/ Zidane kundër Klopp, vetëm njëri mund të shkruajë historinë në Kiev

Ka të gjitha karakteristikat për të qenë një finale klasike e Champions League. Dy gjigantë të futbollit europian, Real Madrid dhe Liverpool, që do të përballen 26 majin e ardhshëm në Kiev. Nën drejtimin e trajnerëve të tyre, Zinedine Zidane dhe Jurgen Klopp, dy ekipet kanë siguruar një vend në skenën më të rëndësishme të futbollit europian për klube dhe e kanë bërë këtë me stil. Në fund, gjithçka do të vendoset nga strategjia e dy trajnerëve nga aftësia e tyre për të nxjerrë maksimumin nga lojtarët që kanë në dispozicion. “Daily Mail” ka bërë një krahasim mes karrierave të dy trajnerëve, të cilët kanë ndjekur rrugë të ndryshme për të arritur aty ku janë sto.

Karriera si futbollistë
Zidane ka qenë padyshim më i talentuar i brezit të tij, një fantazist francez që mund të dhuronte momente magjik pa u sforcuar. Ai ka fituar gjithçka me Juventus dhe Real Madrid, duke përfshirë edhe Champions League-ën e 2002-it falë një goli që konsiderohet një nga më të bukurit të historisë së futbollit. Por kulmin ai e arriti në 1998-ën, kur Franca fitoi Kupën e Botës në shtëpi pasi mundur 3-0 Brazilin në finale.

Për sa i takon Klopp, ai ka pasur një karrierë 14-vjeçare si futbollist, por ka qenë një karrierë modeste. Ai ka luajtur si sulmues në fillim për t’u zhvendosur në mbrojtje më pas në radhët e Mainz. Klopp ka luajtur 325 ndeshje gjatë 11 viteve të kaluara te klubi gjerman, duke shënuar 52 gola dhe është tërhequr në moshën 34-vjeçare për t’u bërë trajneri i skuadrës.

Karriera si trajnerë 
Zidane e ka filluar në mënyrë spektakolare karrierën e tij si trajner. Në fillim, ai ka qenë një këshilltar i Mourinho-s dhe më pas u bë trajner i ekipit të dytë të madrilenëve, Real Madrid Castilla, në verën e 2004-ës. Një zgjedhje kjo që është shoqëruar me polemika, duke parë se “Zizou” nuk kishte asnjë eksperiencë si trajner, por brenda 18 muajve ai mori drejtimin e ekipit të parë, duke zëvendësuar Rafa Benitez.

Real Madrid, falë ideve të tija, fitoi Champions League në sezon e parë nën drejtimin e francezit, duke mundur në finale kushërinjtë e Atletico Madrid. Sezoni pasues ka qenë akoma më i jashtëzakonshëm, me “Los Blancos” që kanë mbrojtur titullin në Europë, kanë fituar La Liga-n dhe Botërorin për Klube. Asnjë skuadër më parë nuk kishte arritur të fitonte dy Champions të njëpasnjëshme.

Suksesi europian ka vazhduar edhe në këtë sezon, me Real-in që ka eliminuar Paris Saint-Germain, Juventus dhe Bayern Munich për të arritur finalen e radhës, ku do të kërkojë të fitojë trofeun e 13-të në Champions. Klopp e ka nisur karrierën e tij si trajner në një mënyrë të ngjashme te Mainz, duke e ndihmuar të ngjitet për herë të parë në Bundesliga, në 2004-ën, dhe të shkojë në Kupën UEFA një vit më pas.

Edhe pse skuadra ra nga kategoria në 2007-ën, aftësitë e Klopp nuk janë anashkaluar dhe Borussia Dortmund e caktoi si trajner në 2008-ën. Pas dy sezonesh në rritje, Klopp fitoi Bundesliga-n në dy sezone të njëpasnjëshme në 2010-11 dhe 2011-12. Borussia ishte një nga skuadrat me lojën më të bukur në atë kohë dhe në 2013-ën arritën finalen e Champions League, ku është mundur 2-1 nga Bayern Munich.

Në përfundim të sezonit 2014-15, Klopp vendosi të largohej nga verdhezinjtë dhe Liverpool përfitoi nga rasti për ta marrë në vendin e Brendan Rodgers. Gjermani ka bërë menjëherë për vete tifozët e “Të Kuqve”. Ai e udhëhoqi skuadrën në finalen e Kupës së Ligës dhe atë të Europa League, por i humbi të dyja. Gradualisht, ai ka arritur ta bëjë Liverpool një ekip tërheqës me mentalitet sulmues, siç ka treguar edhe sezoni aktual i Champions League.

Koleksioni i medaljeve
Si lojtar, Zidane ka fituar dy herë Serie A me Juventus dhe La Liga-n me Real Madrid në 2003-in. Në vitin paraardhës, “Los Blancos” fituan Champions League dhe Kupën Interkontinentale. Me kombëtaren, ai ka fituar Kupën e Botës në 1998-ën dhe Euro 2000. Gjithashtu, ai ka fituar edhe Topin e Artë në 1998-ën dhe është shpallur Lojtari Më i Mirë i Fifa-s tri herë, në 1998-ën, 2000-in dhe 2003-in.

Suksesi e ka ndjekur edhe si trajner, me dy triumfe në Champions League, dy në Botëorin për Klube dhe një në La Liga. Klopp nuk ka fituar shumë si lojtarë, por kjo ka ndryshuar kur ai ka ndërmarrë karrierën e trajnerit. Ai fitoi Bundesliga 2 me Mainz në 2004-ën dhe dy Bundesliga me Dortmund në 2010-11 dhe 2011-12, ashtu si Kupën e Gjermanisë në 2012-ën. Akoma nuk ka fituar asnjë trofe me Liverpool.

Eksperienca europiane
Ecuria e Zidane si trajner i Real Madrid është e jashtëzakonshme. dy finale të fituara në Champions League dhe një finale e tretë që duhet luajtur 26 majin e ardhshëm. Zidane ka udhëheur ekipin në 9 ndeshje me eliminim direkt në Champions deri tani dhe nuk është mundur asnjëherë. Real është kthyer të dominojë në Europë falë tij.

Edhe Liverpool është një klub që ka bërë historinë në Europë dhe është kthyer të jetë protagonist në Kontinentin e Vjetër falë Klopp. Ai e drejtori skuadrën drejt finales së Europa League në sezonin e parë, duke mundur skuadra si Dortmund dhe Villarreal gjatë rrugës, për t’u munduar 3-1 nga Sevilla në fund. Pas një viti jashtë kompeticioneve europiane, “Të Kuqtë” janë kthyer te suksesi në këtë sezon.

Stili i lojës
Zidane ka kthyer traditën sulmuese të Real Madrid dhe tifozët e adhurojnë për këtë. Me një ekip të mbushur me yje dhe një legjendë si Cristiano Ronaldo në dispozicion, Real ka mundësinë të fitojë me lehtësi ndaj pjesës më të madhe të ekipeve. Ai ka arritur të përshtatë lojtarë të mëdhenj, si Ronaldo, Bale, Karim Benzema, Luka Modric dhe Toni Kroos me yje të rinj, si Isco dhe Marco Asensio. Gjithsesi, mbeten disa pikëpyetje në lidhje me mbrojtjen, me Real që për pak është eliminuar nga Juventus në çerekfinale dhe nga Bayern në gjysmëfinale.

Klopp, nga ana tjetër, ka marrë shumë komplimente për lojën e skuadrës së tij, që bazohet te një presing i lartë dhe sulme të shpejta. Treshja sulmuese, e përbërë nga Mohamed Salah, Sadio Mane dhe Roberto Firmino ka qenë e pandalshme në këtë sezon, duke shkatërruar çdo mbrojtje që ka pasur përballë. Por përmirësimi më i madh në këtë sezon ka qenë në mbrojtje, e cila është përforcuar ndjeshëm pas blerjes së Virgil van Dijk.

Personaliteti
Zidane është një njeri në kërkim të perfeksionit, që kërkon ta përmirësojë vazhdimisht ekipin. Rrallë herë e shikon të buzëqeshë gjatë ndeshjeve. Është gjithmonë i përqendruar dhe i jep urdhra vazhdimisht ekipit. Por ka edhe një aspekt më pak serioz, që shfaqet në stërvitje kur ai shfaq aftësitë e tija teknike, që janë në lartësinë e yjeve të tij.

Klopp, nga ana tjetër, pëlqehet nga të gjithë, jo vetëm tifozët e Liverpool. Është gjithmonë i qeshur dhe kërkon të motivojë vazhdimisht ekipin. Është shumë popullor dhe nëse këtij personaliteti do t’i shtojë edhe një Champions League, ai do të bëhet një legjendë e Liverpool-it.

Related posts

EUROPA LEAGUE/ Partizani eleminohet nga Maribori, të kuqtë mposhten 2-0

Isa.Autor

“KEMI MARRË SHUMË KRITIKA NGA TIFOZËT”/ Menaxheri i Lukaku-t: Lamtumira nga Inter? Ja si është e vërteta…

Delo.autor

Gazetari nga Kosova shpërthen ndaj Dukës: 15 vite na keni trajtuar si argat të shatit, tani shkoni në…

Sadik.Autor

Leave a Comment