Futboll Sport

Ergys Mersini replikon me Shtubinën: Iku si legen, Vllaznia të japë rrogat. Kam punuar si…

Ergys Mersini u akuzua drejtpërdrejt nga ish-kapiteni i Vllaznisë, Ndriçim Shtubina, si shkaktar i humbjes së 5-6 ndeshjeve të skuadrës gjatë kampionatit që u mbyll. Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, Mersini i përgjigjet Shtubinës duke thënë se u largua si legen nga Vllaznia. Ish-mbrojtësi i kuqebluve e konsideron Shtubinën të paaftë.

Gjithashtu, Mersini zbulon se nuk ka në kontratat e lojtarëve të Vllaznisë një klauzolë që të gjobiten me dy rroga nga klubi për mosarritjen e objektivit. “Klubi duhet të tregohet korrekt dhe të m’i japë ato para, pasi unë kam punuar, ashtu siç punon edhe kryetarja e bashkisë apo edhe administratori i klubit. Nëse ata i vendosin gjobë vetes, atëherë do ta pranoj edhe unë. Kemi tre muaj pa u paguar”, tha ndër të tjera Mersini në intervistën e tij

“Sigurisht, unë kam përgjegjësinë time, ashtu si gjithsecili duhet të marrë përgjegjësinë e vet. Dua të sqaroj edhe diçka që është thënë këto ditë, e përmendur edhe nga Shtubina. Kur shkuam ne jabanxhinjtë në Shkodër në merkaton e dimrit, Vllaznia kishte 15 pikë për dy faza, ndërsa ne morëm 30 pikë për dy fazat e tjera”, tha Mersini duke iu referuar sezonit që u mbyll.

Një ditë më parë, ishkapiteni i Vllaznisë, Ndriçim Shtubina, ju akuzonte drejtpërdrejt si shkaktar të humbjes së 5-6 ndeshjeve, gjë që solli më pas rënien nga Superiorja. Cili është reagimi juaj, keni pasur më parë përplasje me të?

Nuk njihemi fare me Shtubinën dhe nuk jemi përshëndetur asnjëherë. Nuk e di se nga i ka ardhur ajo që ka thënë për mua. Ndoshta i thotë këto për të zënë një vend te Vllaznia, pasi e larguan si legen, ndërsa e konsideronte veten “Mesi”. Ashtu siç është larguar nga shumë skuadra duke mos gjetur një ekip ku të qëndrojë gjatë. Ai është ordiner që kërkon të hajë bukë duke përbaltur djersën e të tjerëve. Shtubina e la Vllazninë në baltë vitin e kaluar pasi mori karton të kuq që të mos luante në ndeshjen e fundit me Tiranën. Para 10 muajsh u largua nga ekipi se nuk i plotësuan anën ekonomike dhe tani del e thotë që luaj pa para. Nuk jam si ai që kudo që ka shkuar, nuk ka luajtur, si në Vlorë, Kukës apo kudo që ka shkelur paaftësia e tij. Vetëm në Shkodër luan se e fiton vendin pasi fut 500 miq në bashki për të luajtur dhe përbalt të tjerët, se për futboll e ka treguar veten kudo. Gjokës duhet t’i kërkojë falje dhe ta respektojë ai dhe Shkodra për punën që ka bërë. Ai nuk tregoi qytetarinë shkodrane siç e ka treguar Gilman Lika, Alsid Tafili, Erjon Vucaj e Xhevahir Sukaj që kanë respektuar shokët dhe kolegët. Ai është palaço që nuk di çfarë është kultura dhe po ta pyesësh, do kujtojë se hahet. Suksese Vllaznisë dhe tifozerisë.

Po sot (dje) që lexove deklaratën e tij në gazetën “Panorama Sport”, jeni munduar të kontaktoni me Shtubinën?

Jo, por mos shqetësohet pasi do ta zgjidh privatisht këtë çështje.

Çfarë nuk shkoi te Vllaznia që përfundoi me rënien nga Kategoria?

Nuk e di, duhet të pyesim Shtubinën që është edhe analist sportiv.

Klubi ka vendosur që të gjobisë të gjithë lojtarët duke iu mbajtur nga dy rroga, për mosarritjen e objektivit që ishte mbijetesa. Sipas tyre, një gjë e tillë ishte e parashikuar në kontratë, ju do ta respektoni?

Unë në kontratën time nuk kam asnjë klauzolë të tillë që pretendon klubi. Unë punoj dhe paguhem për gjithçka.

Kjo do të thotë se do t’i kërkoni edhe ato dy rroga?

Sigurisht. Klubi duhet të tregohet korrekt dhe të m’i japë ato para, pasi unë kam punuar, ashtu siç punon edhe kryetarja e bashkisë apo edhe administratori i klubit. Nëse ata i vendosin gjobë vetes, atëherë do ta pranoj edhe unë. Kemi tre muaj pa u paguar.

Keni folur me lojtarët e tjerë, e ka ndokush të shkruar në kontratë një penalizim të tillë?

Shumica e atyre futbollistëve që ishin pjesë e Vllaznisë, jam i sigurt që nuk e kanë pasur një klauzolë të tillë në kontratë. Kam folur edhe me lojtarët e tjerë, por nuk mund të them se çfarë do bëjnë ata në lidhje me gjobën që paska vendosur klubi. Gjithsecili vendos, e di vetë personalisht se çfarë bën. Unë po ju them me bindje të plotë, se jo vetëm në kontratën time, por në shumicën e futbollistëve të tjerë të skuadrës, nuk ka një klauzolë që të përcaktojë gjobë për rënien e skuadrës në Kategorinë e Parë.

Ju si lojtar, ndiheni përgjegjës për rënien e Vllaznisë në Kategorinë e Parë?

Sigurisht, unë kam përgjegjësinë time, ashtu si gjithsecili duhet të marrë përgjegjësinë e vet. Dua të sqaroj edhe diçka që është thënë këto ditë, e përmendur edhe nga Shtubina. Kur shkuam ne jabanxhinjtë në Shkodër në merkaton e dimrit, Vllaznia kishte 15 pikë për dy faza, ndërsa ne morëm 30 pikë për dy fazat e tjera. Kjo do të thotë se defiçiti i skuadrës ishte që nga dy fazat e para. Kemi dhënë maksimumin. Vllaznia ra në ndeshjen e fundit, por po të mos ishin bërë ato katër blerje në janar, skuadra do kishte rënë që në shkurt. Edhe trajnerin Ernest Gjoka duhet ta falënderojnë që pranoi të punonte në atë ambient të vështirë dhe jo ta kritikojnë.

Pse, si ishte ambienti në Shkodër?

Duhet të pyesni trajnerin më mirë për këtë.

Duke e njohur disi atë klub, mendoni se ajo skuadër do rikthehet shpejt në Superiore?

Po, mendoj se do ngjitet shpejt. Ka shumë lojtarë të rinj tek akademia dhe besoj se Vllaznia do ngjitet në Superiore menjëherë pas këtij viti. Do qëndroj vetëm një sezon në Kategorinë e Parë, ashtu si Tirana. Jam i bindur se do të rikthehet shpejt në elitë dhe nuk do të ketë aspak vështirësi gjatë garës.

Si e përjetuan tifozët rënien, çfarë atmosfere u pa në takimet e fundit?

Si në asnjë qytet tjetër, në Shkodër tifozët kishin një lloj ndjesie tjetër për Vllazninë. Ata e duan futbollin dhe skuadrën. Kanë të drejtën e tyre që të mërziten dhe më vjen shumë keq që përfundoi kështu.

Mendoni se ka ardhur momenti që Vllaznia të privatizohet?

Nuk e di këtë pjesë dhe nuk më intereson më. Kjo është pjesë teknike dhe nuk më takon mua.

Duhet të mësohemi që në Shqipëri, gjithsecili të bëjë punën e vet. Ku do ta shohim Mersinin sezonin e ardhshëm?

Kam 2-3 alternativa dhe po pres javët në vazhdim që të vendos. Bëhet fjalë për në Superiore, por gjithsesi është pak herët. Ka ende shumë kohë deri në nisjen e përgatitjeve nga skuadrat.

Related posts

Agjenti: Kane kushton 200 milionë euro

Q.Autor

POSTON PAMJET E “AIR ALBANIA” DHE PYET NDJEKSIT/ UEFA: Ku ndodhet ky stadium? (FOTO)

Delo.autor

TRANSFEROHET NË SPANJË/ Espanyol merr “Maradonën kinez”, shikoni çfarë golash… (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment