Futboll Sport

Eto’o e Drogba me shokë: 10 futbollistët më të mëdhenj të Afrikës!

Pavarësisht se mbetet kontinenti më i varfër në botë, Afrika ka arritur të prodhojë “xhevahirë” dhe në futboll. Numri i lojtarëve që kanë lënë shenjë në kontinentin më të vjetër të botës krijon një listë shumë të ngjeshur. “Bleacher Report” ka arritur të rendisë “10 futbollistët më të spikatur afrikanë” në bazë të trofeve individualë e kolektiv dhe impaktit që kanë lënë në arenën ndërkombëtare dhe brenda kontinentit.

 

Wael Gomaa

Gomaa ka qenë njëri prej emblemave të klubit më të njohur në Egjipt dhe në kontinent Al-Ahly. Ai ka dhënë më të mirën në çdo ndeshje të nivelit të lartë me fanellën e “Faraonëve” dhe klubin e Kajros.

Një kampion i vërtetë afrikan, ai ka qenë pjesë e Egjiptit që ka fituar radhazi tre Kupa të Kombeve të Afrikës (2006,2008, 2010). Megjithatë, skuadra e kohës dështoi të siguronte një biletë për Kupën e Botës. Në nivel klubi ai ka fituar 5 Liga të Kampioneve të kontinentit. Të vetmit bashkëpatriotë nga brezi i tij që numërojnë më tepët trofe janë portieri veteran Essam El-Hadary dhe ish-sulmuesi Hossam Hassan.

 

Mohamed Aboutrika

Konsiderohet si futbollisti më i mirë afrikan që nuk ka luajtur jashtë kontinentit të zi. Aboutrika ka qenë një tjetër ikonë e Al-Ahlyt dhe Egjiptit. Ish-sulmuesi karizmatik i ka dhënë klubeve ku ka luajtur një kontribut vital në sukses madje duke qenë dhe përcaktues. Ka fituar dy herë në seri Kupën e Kombeve Afrikane në 2006 dhe 2008, ku në të fundit ka zgjidhur i vetëm finalen. Perfomanca i siguroi çmimin individual si “Futbollisti më i mirë i Afrikës” nga media prestigjioze britanike BBC në vitin 2008.

Në rangun e klubit ndoshta i mungojnë trofetë madhorë në krahasim me kolegët e tij, por ai ka fituar një sërë trofesh kombëtare dhe kontinental me klubet kryesore egjiptiane të Al-Ahlyt dhe Ismaylit. Në shumë ndeshje ai ka mbajtur mbi supe fatin e skuadrave.

 

Abedi Pele

Mesfushori i profilit ofensiv nga Gana ka qenë ylli i parë nga Afrika që u pozicionua ndër lojtarët më të mirët në botë në vitet ’90-të. Pele është njëri prej futbollistëve më të çmuar të Marseille-s dhe kombëtares së “Shqiponjave të Zeza”. Falë perfomancave në vite dhe karakterit në fushë ai ka fituar tre here çmimin si “Lojtari Afrikan i vitit” bashkë me çmimin special që jep BBC për futbollistin më të dalluar afrikan në harkun kohor të një viti.

Vetëm 18-vjeç ai fitoi trofeun e parë madhor në karrierë; Kupën e Afrikës me Ganën në 1982. Por nuk mundi asnjëherë të dërgonte vendin e tij në një kampionat botëror. Megjithatë me Marseillen ai ka provuar shijen e çdo suksesi duke prekur majën e krenarisë në 1993 kur ekipi francez mposhti në finalen e Ligës së Kampioneve gjigantët e Milanit. Në Francë ai fitoi me skuadrën marsejeze tre herë kampionatin.

 

Nwankwo Kanu

Nigeriani mbetet një nga emrat më të njohur në futbollin europian për karrierën me dy nga klubet më të mira të viteve ’90-të dhe 2000 Ajaxin dhe Arsenalin. Më tepër për pasurinë e trofeve të çmuar, nigeriani vlerësohet për stilin e veçantë të lojës dhe aftësitë teknike.

Në rang kombëtareje ai fitoi Medaljen e Artë në Lojërat Olimpike të 1996 me Nigerinë, që konsiderohet një nga shpërthimet më të fuqishme të futbollit afrikan në botë. Fatkeqësisht, trofeu i vetëm i paprekur është Kupa e Afrikës. Nigeria ka qenë një skuadra afrikane me pjesëmarrje aktive në Kupat e Botës dhe Kanu ka qenë prezent në tre prej tyre.

Në 1995 ai preku majën e triumfit të një futbollisti në nivel klubi kur fitoi me brezin legjendar të Ajaxit Ligën e Kampioneve ndaj Milanit të Fabio Capellos. Në Londër ai kujtohet me respekt për perfomancat impresionuese me skuadrën e Arsenalit. Ai renditet ndër lojtarët afrikanë më të dekoruar duke radhitur në “Palmaresin e Artë” dy Premier League, FA Cup, Kupën UEFA dhe Ligën e Kampioneve.

 

Essam El-Hadary

Portieri veteran i pamposhtur nga vitet do të luajë për herë të parë në një Kupë Bote. El-Hadary ka fituar një popullaritet të gjerë në vendlindje. Didier Drogba e ka vlerësuar si kundërshtarin individual më të vështirë në përballje. El-Hadary njihet si simbol i futbollit afrikan. Ai ka fituar 4 herë Kupën e Afrikës me Egjiptin duke u zgjedhur në formacionin më të mirë të tre turneve. Por ajo çfarë e diferencon nga kolegët e tjerë dhe i jep një status të veçantë është fakti se ai nuk pësuar asnjë gol në tre edicionet. Është i vetmi futbollist afrikan që ka fituar më shumë se çdo lojtar tjetër Kupën e Afrikës.

Në nivel klubi El-Haddary është shpërblyer maksimalisht me trofe duke shënuar rekord me 4 Liga të Kampioneve të Afrikës të fituara dhe 8 kampionate me Al-Merreikh dhe klubin më të famshëm egjiptian Al-Ahlyn. Një rekordmen edhe në vitet e fundit të karrierës.

 

Hossam Hassan

Një makineri golash, ish-sulmuesi i viteve ’90 nuk arriti të përkthente ngritjen në nivelin e lojës në kontinentin europian. Por në Afrikë ai ndihet një ikonë e bekuar. Ai pati fatin të debutonte me “Faraonët” në Kupën e parë të Botës në 1990. Në listë i shtohen dhe tre triumfet në Kupat Afrikane. Ai është golashënuesi më i mirë nga rajoni i Afrikës së Veriut me 68 gola në 176 ndeshje në karrierë me kombëtaren egjiptiane. 7 gola ai i ka shënuar në Kupën e Afrikës të vitit 1998 kur u shpall dhe golashënuesi më i mire i turneut. Nga ana tjetër, ai ka grumbulluar një sërë medaljesh të arta me ekipin mitik të Al-Ahlyt dhe Zamalekut. Shumë tituj përshkruajnë karrierën e pasur të Hassanit të cilat kategorizohen në 13 kampionate, 5 Kupa të Egjiptit dhe 1 Ligë të Kampioneve të Afrikës.

 

Roger Milla

Kamerunasi në një sondazh është shpallur si futbollisti i dytë afrikan më i mirë në 100 vitet e fundit. Por ai mori famën e yllit ndërkombëtar kur mahniti fansat e futbollit në Kupën e Botës të 1990 në Itali. Festimi karakteristik i Millas ka hyrë në historinë e Botëroreve si një nga episodet më domethënëse. Ai vlerësohet maksimalisht për jetëgjatësinë e të luajturit kur mban rekordin e golashënuesit më të vjetër në një Botëror( 42 vjeç në 1994-n). Federata Afrikane e Futbollit i ka dhënë statusin “Lojtarit Afrikan të shekullit 20-të”. Njëri prej “bijve” më të dashur të Kamerunit, ai bëri krenar vendlindjen në triumfin në dy Kupat e Afrikës. Në 1986 ai u shpall shënuesi më i mirë në edicionin e kohës të kontinentit afrikan. Dy herë është shpallur “Futbollisti Afrikan i Vitit”. FIFA e ka përfshirë në listën e 100 yjeve botërorë më të mirë ndër vite.

Pjesën më të madhe të karrierës ai e ndërtoi në Kamerun dhe Francë me klubet e Saint-Etienne, Montpellier, Leopard, Pelita Jaya dhe Tonnerre.

Nuk fitoi asnjëherë në nivel klubi një trofe të rëndësishëm, por ai arriti t’i jepte futbollit afrikan shkëlqimin e parë të vërtetë në histori kur shënoi 4 gola në Kampionatin Botëror të 1990.

 

Didier Drogba

Me të Afrika ka prekur zemrën e kontinentit europian. Drogba vlerësohet ndër sulmuesit më të mirë të shekullit aktual. Karriera e tij te Chelsea i ka dhënë një status të jashtëzakonshëm në futbollin europian. Në Afrikë Drogba nuk ka arritur të trashëgojë “ADN”-në e kampionit pasi ka dështuar disa herë në triumfin e Kupës së Kombeve Afrikane. Megjithatë, kjo nuk ia ka mohuar të drejtën e të qenit njëri prej futbollistëve më të dashur në Bregun e Fildishtë. Ai ka meritën e kualifikimit të “Elefantëve” për herë të parë në 2006 në një Kampionat Botëror. Drogba është shpallur dy herë “Futbollisti Afrikan i Vitit”.

Në Europë ai njihet për saktësinë përpara portës dhe trofetë madhorë të fituar me Chelsean. Falë tij Frank Lampardit, John Terryt “Blutë” u kthyen në një superfuqi të futbollit europian dhe britanik. Drogba ka fituar 4 Premier League-a dhe Ligën e Kampioneve në 2012 kur i vetëm i dhuroi Chelseat trofeun e shumëpritur. Sir Alex Ferguson i dha të gjitha meritat për triumfin e çmendur të 2012 sulmuesit nga Bregu I Fildishtë.

George Weah

Krenaria e popujve afrikanë. Weah renditet ndër sulmuesit më të talentuar të të gjitha kohërave. Ai vlerësohet për transformimin e rolit të numrit 9 në lojë bashkë me Romarion dhe Ronaldon në vitet 90-të. Liberiani shpërtheu në Francë me skuadrat e Monacos dhe PSG-së përpara se të rrëmbente vëmendjen e të gjithë botës kur u transferua te Milani në 1995. Ka të drejtë t’i gëzohet faktik se mbetet deri më sot i vetmi lojtar afrikan që ka fituar çmimin më të lartë individual “Topin e Artë” në 1995 duke thyer hegjemoninë e futbollistëve europianë. Shpejtësia, forca dhe inteligjenca në fushë i dhanë Weah statusin e një simboli të Liberisë së varfër të shkatërruar nga luftërat civile. Në San Siro ai fitoi dy Serie A, por Milani i fundviteve ‘90-të nuk ishte e njëjta superfuqi në Europë në periudhën e trajnerëve Arrigo Sacchi dhe Fabio Capello. Weah është shpallur si “Futbollisti Afrikan më i mirë i shekullit të kaluar”.

Në vendlindje ai adhurohet si një “Perëndi”. Pavarësisht përpjekjeve për të ndërtuar dhe organizuar ngritjen graduale të Liberisë në futboll, Weah ka patur fatin e keq të mos provojë suksesin me kombëtaren liberiane. 0 trofe ndërkombëtarë, por kjo nuk ia zbeh aspak lavdinë e të qenit një simbol i kontinentit të zi.

 

Samuel Eto’o

Kamerunasi ka patur shansin të luajë në klubet më të mira të Europës dhe të provojë shkëlqimin e karrierës së një futbollisti kampion. Eto’o fitoi vëmendje në Spanjë me skuadrën e RCD Mallorcas duke u pozicionuar ndër sulmuesit më të mirë të La Ligas. Kalimi te Barcelonë në vitin 2004 i hapi rrugën drejt transformimit në njërin prej yjeve më të ndritur të futbollit të dekadës së kaluar. Në Itali ai vazhdoi të njihte vetëm sukses. Eto’o është ndër paktët futbollistë afrikanë që ka ngritur një trofe të lakmuar si Liga e Kampioneve. Ai është ndër ta paktët lojtarë që e kanë fituar trofeun me dy ekipe të ndryshme (Barcelona 2006 dhe 2009, Interi 2010).

Përveç Ligës së Kampioneve ai ka fituar 4 kampionate në karrierë. Por kontributi i tij është matur dhe me “Luanët e Pamposhtur”. Kameruni i viteve 2000 zgjeroi hapësirën e tij në Afrikë dhe në botë. Eto’o ishte pjesë e dy triumfeve në Kupat e Afrikës si golashënuesi më i mirë i kompeticionit në dy raste. Mban rekordin si golashënuesi më i mirë në historinë e kompeticionit të kombeve të kontinentit të zi.

Ai përfaqësoi Kamerunin në tre Kupa Bote (2002, 2010 dhe 2014). Në dy rastet e fundit ai ka qenë në rolin e kapitenit. Deri më sot ai mbetet i vetmi lojtar afrikan që është renditur i treti në podium për çmimin “Lojtari më i mirë i vitit në botë” nga FIFA. Vetëm George Weah e ka bërë të tijin një çmim të tillë.

Related posts

Barcelonës i duhet vetëm një pikë për të siguruar titullin kundër…

Sadik.Autor

E BUJSHME/ Nga Sarri tek Ancelotti, ndryshon mënyra e lojës për Hysajn

Isa.Autor

COPA DEL REY/ Portieri Ter Stegen bën “heroin” tek penalltitë, Barcelona kualifikohet në finale

Delo.autor

Leave a Comment