Futboll Sport

FINALJA E KUPËS/ Juventus favorit, Milan synon “mrekullinë”…

Pasi ka fituar titullin e 31-të zyrtar, 34 të pretenduara nga tifozët, gjatë fundjavës së kaluar, Juventus do të luajë për të fituar për herë të 13-të Kupën e Italisë, kur do të ndeshjet me Milan në “Olimpico” të Romës, në atë që do të jetë një imitim i finales së Champions League në sezonin 2002-2003.

Juventus e pa veten në disavantazh kundër Bologna, në ndeshjen e fundit në Serie A, por fitoi 3-1 ndaj kuqebluve dhe pas barazimit 2-2 të Napoli ndaj Torino, bardhezinjtë janë +6 pikë dhe +16 golaverazh ndaj ndjekësve, kësisoj nuk ka vend as për mrekulli, teksa kanë mbetur edhe dy javë për t’u luajtur.

Kësioj, Juve ka fituar shtatë tituj radhazi, katër nën drejtimin e Allegri dhe me këtë trajner do të synojë të fitojë për herë të katërt edhe Kupën e Italisë. Pra, nëse mposht Milan, Allegri do të ketë fituar gjithçka të mundshme në katër sezonet e tij në Itali, ndërsa në Europë ka humbur dy herë finalen e Champions League. Një ecuri për t’u pasur zili, sidomos nga Milan, që e sheh me ëndje ish-trajnerin, i fundit që i ka dhënë titullin kampion kuqezinjve.

Juventus e nisi sezonin me disa probleme, por e ka mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe padyshim që konsiderohet favorit ndaj Milan të Gennaro Gattuso, i cili mori drejtimin e ekipit në mes të sezonit dhe tani kërkon trofeun e parë, që do t’i garantonte pjesëmarrjen në Europa League sezonin e ardhshëm, gjë që ende nuk e ka arritur nëpërmjet kampionatit ku renditet në vendin e gjashtë.

Kuqezinjtë mund të krenohen me faktin se janë një nga skuadrat më të reja në mesataren e moshës në historinë e Serie A. Pikërisht kjo mungesë përvoje i kushtoi shumë gjatë muajit prill, ku nuk fituan asnjë ndeshje dhe u mposhtën edhe nga Benevento, por ekipi duket se ka reaguar me dy fitoret radhazi ndaj Bologna dhe Verona.

Me 26 gola në këtë sezon, Paulo Dybala është një nga futbollistët më në formë te “Zonja e Vjetër”. Dueli i tij me Gianluigi Donnarumma do të jetë një nga pjesët më interesante të sfidës në finale. Në katër ndeshjet e fundit të luajtura në Kupën e Italisë, të dy ekipet nuk kanë pësuar gol. Bardhezinjtë nuk humbasin ndaj Milan prej nëntë ndeshjesh, ku kanë fituar shtatë prej tyre.

Gjatë stërvitjes së fundit, trajneri i Juventus, Massimiliano Allegri ka provuar një formacion të pazakontë me surpriza të rëndësishme, si Sturaro në linjën e mesfushorëve, ndërsa Higuain nuk ishte në formacion. Mes të grumbulluarve është edhe Howedes dhe me shumë mundësi Cuadrado do të vazhdojë të përdoret si mbrojtës anësor.

Në stol mund të përfundojë edhe Dybala, teksa formacioni i Juves për momentin është një “fjalëkryq”.

Ka vetëm një ndryshim në krahasim me ndeshjen e fundit kundër Verona te Milan, Calabria do të jetë mbrojtësi i djathtë në vend të Abate. Në mesfushë Locatelli është favorit ndaj Montolivo për të zëvendësuar Biglia, i cili është grumbulluar, por vështirë se do të jetë titullar. Suso ka lënë pas shpine goditje në kofshë dhe do ta nisë ndeshjen nga minuta e parë, ndërsa vazhdon balotazhi mes Cutrone dhe Kalinic për rolin e qendërsulmuesit.

Formacionet e mundshme:

Juventus: Buffon, Cuadrado, Barzagli, Benatia, Alex Sandro, Khedria, Pjanic, Matuidi, Douglas Costa, Mandzukic, Higuain (Dybala). Tr: Allegri.

Milan: Donnarumma, Calabria, Romagnoli, Bonucci, Rodriguez, Kessie, Locatelli, Bonaventura, Suso, Calhanoglu, Cutrone (Kalinic). Tr: Gattuso.

Gjyqtar: Damato

Related posts

Zbulohet shuma marramendëse që do të humbasë Li nga shitja e Milanit

Isa.Autor

E RRALLË/ Një ROSAK i prish mbrëmjen Ibrahimoviçit, TËRBOHET SUEDEZI (VIDEO)

Isa.Autor

Napoli afër nënshkrimit me një mbrojtës krahu

Sadik.Autor

Leave a Comment