Futboll Sport

“IA THYEJA SHKOPIN NË KOKË ANËSORIT”/ Mbledhje urgjente në FSHF, Jeminit i vënë ultimatum

Lorenc Jemini, is-hgjyqtari i FIFA-s, ka trazuar ujërat në FSHF. E kanë thirrur dje në një takim nga sektori i vlerësimit për t’i tërhequr vëmendjen. Nuk e honepsin dot që të jetë i ashpër sa herën e fundit, me gabimet apo rastet e diskutueshme. Të hënën që shkoi, Jemini kritikoi disa vendime të arbitrave për ndeshjet e fundjavës.

Si i ftuar i përhershëm në “Procesin Sportiv”, ish-gjyqtari ndërkombëtar e cilësoi të rregullt golin e anuluar në Korçë në dëm të Flamurtarit dhe me batutë tha se “po t’ia kish bërë anësori këtë gjë në kohën që ai ishte aktiv si arbitër, atëherë do t’ia thyente shkopin kokës anësorit”. Pikërisht kjo fjali dhe ky sens protagonizmi që ka marrë Jemini, iu ka lënë përshtypje jo të mirë zyrtarëve të federatës. Me sa duket, edhe vetë kreut të FSHF-së.

PRAPASKENA

Burime të sigurta nga FSHF-ja bëjnë me dije se Lorenc Jemini është thirrur dje nga Komisioni i Vlerësimit dhe i Vëzhguesve. Aktualisht ai ka detyrën e vëzhguesit të FSHF-së, por për shkaqe ende të paqarta, vazhdon të aktivizohet vetëm në ndeshjet e kategorisë inferiore dhe jo atyre të Superiores. Por deklaratat e fundit të Jeminit i kanë hedhur benzinë zjarrit dhe e kanë thirrur me urgjencë në federatë.

PRESIONI

“Bëj detyrën e opinionistit apo moviolistit në TV, ose atë të vëzhguesit. Zgjidh një mes të dyjave! Edhe mjaft me kritika kaq të ashpra në publik, sepse na dëmton dhe ndikon në opinionin sportiv”, kjo është pak a shumë ajo që zyrtarët e sektorit të arbitrimit i kanë komunikuar Jeminit dje. Madje, aq e tensionuar ka qenë situata, saqë mësohet se ka udhëtuar enkas nga Fieri edhe Tahir Kastrati, kryetari i Shoqatës së Arbitrave. Me gjasë, një situatë e tillë krijohet vetëm kur edhe Duka shpreh pakënaqësi.

PËRPLASJET

Lorenc Jemini e mbylli karrierën e arbitrit pas një fitoreje të Partizanit me rezultatin 2-0 kundër Luftëtarit, dy vite më parë. Nuk iu komunikua asnjëherë motivi zyrtar, por kur ai vetë u bind se kjo nuk kishte të bënte as me performancën e tij dhe as me vullnetin e strukturave të arbitrimit, atëherë vendosi të fliste.

Nuk e pranon as sot se ky mund të ketë qenë një ndëshkim i Dukës për “shkelje në kallo”, por fakt është që tani bën rolin e vëzhguesit. Në kategoritë inferiore… Ka zëra që thonë se në Superiore ende nuk po mbërrin dot, sepse nuk ka fituar akoma simpatinë e atyre “lart”.

Ka shumë të ngjarë që mbledhja e djeshme t’i ketë koklavitur sërish gjërat dhe Jemini të marrë një tjetër ndëshkim. Tendenca kjo është: me ne dhe i urtë, ose në rrugën tënde, por me karrierën në drejtim tjetër. Të shohim ç’do të bëjë Jemini…!

Related posts

Lamtumira e Iniestës, mesfushori shpërthen në lot (VIDEO)

Sadik.Autor

PAS HEDHJES SË SHORTIT NË NATIONS LEAGUE/ Mancini: Do të jetë një sfidë e bukur ndaj Spanjës

Delo.autor

20 VJEÇARI LUAJTI 3 MIQËSORE/ Lojtari i Anglisë fiton çmimin “Talenti Irlandez i Vitit”

Delo.autor

Leave a Comment