Sakaq, kapiteni i Portugalisë shfrytëzoi rastin për t’i thurur elozhe skuadrës aktuale të “Los Blancos” dhe shokëve të tij. Ronaldo u shpreh gjatë emisionit: “Në fund, ata që shkojnë në finale janë të njëjtët, lojtarët më të mirë janë pjesë e Real Madrid: Bale, Benzema, Asensio… janë të gjithë këtu”.
Uellsiani Gareth Bale ka shkëlqyer në pjesën e fundit të sezonit, por gjithsesi pritet që ai të largohet nga Madridi gatë merkatos verore. Përtej kësaj, Bale dhe Ronaldo synojnë ta mbyllin sezonin me fitimin e Champions League, por që t’ia bëjnë trofeun për vete duhet të bëjnë llogaritë me një Liverpool në superformë në finalen e madhe që luhet në Kiev të shtunën.
Nëse Reali triumfon, për Ronaldon (i cili ka fituar pesë herë trofeun Topit të Artë) do jetë trofeu i Champions League numër 5 në karrierë dhe i katërtit me gjigandët spanjollë. Në moshën 33-vjeçare, Ronaldo po i afrohet fazës së fundit të karrierës së tij, por gjatë intervistës televizive asi portugez tha se nuk e ndje aspak efektin e moshës. Ai këmbëngul se ndihet 10 vjet më i ri, teksa shtoi: “E kam thënë që do të tërhiqem në moshën 41-vjeçare. Në aspektin biologjik, jam 23 vjeç”.
Trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp u shpreh se Ronaldo dhe Messi janë lojtarë të një niveli tjetër, shumë më lart se lojtarët më të mirë që janë aktualisht në qarkullim. “Topi i Artë është gjithnjë një garë dyshe mes tyre. Është mëse e drejtë. Kur ata të tërhiqen do t’i mungojnë shumë futbollit, jam 100% i sigurt”. Kur u pyet nëse mund të krahasohet sulmuesi i Liverpool, Mo Salah me Ronaldon, Klopp u përgjigj: “Mo ka bërë një sezon fantastik, por Cristiano ka zhvilluar 15 sezone të tilla. Ai ka shënuar rreth 47,000 gola, janë shifra të çmendur”.


