Formula 1 Sport

FORMULA 1/ Ricciardo fiton garën e Montekarlos, në podium edhe Vettel e Hamilton

Daniel Ricciardo me Red Bull fitoi garën e Çmimit të Madh të Montekarlos, një garë e mërzitshme dhe pa surpriza, me pilotët e kreut që ruajtën pozicionet e tyre. Në podium u ngjitën edhe Sebastian Vettel me Ferrari (i dyti) e Lewis Hamilton me Mercedes (i treti), ndërkohë që pas tyre u renditën dy pilotët finlandezë Kimi Raikkonen (Ferrari) me Valtteri Bottas (Mercedes). Pra, pesë të parët ruajtën pozicionet që kishin para se të niste gara, deri diku e pritshme në një pistë qytetase si ajo e Montekarlos, që ndryshe nga vitet e fundit, këtë herë nuk dhuroi shumë surprizë apo emocione.

Pilotët garuan brenda limiteve, evituan në maksimum gabimet dhe ndalesat në bokse për të ndryshuar gomat nuk sollën asnjë surprizë në renditje. Për Ricciardo ky është suksesi i dytë në këtë Botëror, pas atij në Azerbajxhan, duke barazuar 2 fitoret e Vettel dhe dy të Hamilton, duke hyrë kështu në garë për titullin kampion. Një fundjavë e përkryer për Red Bull, që tregoi se është pretendente.

Gara nis pa surpriza, pilotët ruajnë pozicionet e tyre edhe pse bëhet fjalë për një pistë të ngushtë në rrugët qytetase të Montekarlos e ku aksidentet janë të shpeshta. Por çuditërisht gara është e qetë dhe nuk ka surpriza, duke e bërë atë të mërzitshme për fansat. I vetmi që rikuperon pozicione në pistë është Verstappen që e nisi garën nga vendi i fundit dhe në gjysmën e saj klasifikohej i dhjeti. Në krye të garës asnjë ndryshim në 5 vendet e para, me Ricciardo që kryeson, duke lënë pas Vettel, Hamilton, Raikkonen e Bottas.

As ndalesat e para në bokse dhe ndryshimi i gomave nga ana e pilotëve nuk sjell asnjë ndryshim në renditje, pasi të gjithë përdorin goma të njëjta dhe diferencat në kohë janë thuajse të njëjta, duke e bërë garën pak tërheqëse. Në xhiron e 52-të vjen tërheqja e parë nga gara e një piloti, Alonso me McLaren, ndërkohë që në krye të garës asnjë ndryshim, 5 pilotët më të mirë janë të gjithë së bashku në harkun kohor të 10 sekondave, por asnjë parakalim. 6 xhiro nga fundi vjen aksidenti i vetëm i garës, por që nuk ndryshon shumë në renditje edhe pse komisarët vendosin “makinën e sigurisë virtuale”.

Edhe xhirot e fundit nuk sjellin asnjë të re në renditje, Ricciardo fiton garën me meritë, pasi e kontrolloi atë gjatë gjithë kohës, ndërkohë që edhe Vettel e Hamilton ngjiten në podium. Britaniku i Mercedes ruan kreun e renditjes së Botërorit të Formula 1 (110 pikë, Vettel 96 e Ricciardo 72 pikë i treti), ndërkohë që gara e radhës, pas dy javësh, në Kanada.

Related posts

LIVERPOOL – NEWCASTLE/ “Të Kuqtë” synojnë të ruajnë ecurinë pa humbje (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

“HIGUAIN I FIKSUAR ME FEMRAT”/ Modelja zbulon prapaskenën: Sulmuesi mbante mbathje me…

Delo.autor

Arsenali TREMB Barcelonën/ Topçinjtë kërkojnë mesfushorin e talentuar

Isa.Autor

Leave a Comment