Champions League Futboll Sport UEFA

Klopp zbulon pikën e dobët të Real Madridit dhe si “bllokohet” Ronaldo

Ish-lojtari i Liverpool, Robbie Fowler, intervistoi trajnerin e “Reds”, Jürgen Klopp, për “Mirror”. Tekniku gjerman ka analizuar Real Madridin përpara finales së Ligës së Kampionëve dhe ka shpjeguar se si ai arriti ta “thajë” Cristiano Ronaldon kur trajnonte Borussia Dortmund. Klopp lë të kuptohet se pika e dobët e “Los Blancos” është krahu i Marcelo, në fazën mbrojtëse, ndërsa shpjegoi se si ekipi i Zidane ka evoluar.

Gjëja e parë, për të cilën u pyet, ishte nëse Marcelo ishte pika e dobët e mbrojtjes së të bardhëve. Klopp u përgjigj: “Ne të gjithë e kemi parë dhe kjo duket qartë. Marcelo është një lojtar i madh ofensiv, por nuk mbron. Me këtë lojtar në formacion, Real Madridi e fitoi dy herë radhazi Ligën e Kampionëve dhe është përsëri në finale.

Bayern Munich mendoj se ishte më mirë në të dyja ndeshjet, por rëndësi ka kush është në finale dhe fiton. Nuk diskutohet që Real Madridi ka më shumë përvojë, nga koka deri te këmbët. Nuk ka dobësi. Futbolli nuk është aq i thjeshtë, sa për të thënë që, nëse Marcelo nuk mbron, atëherë ajo hapësirë do të jetë për Salah, sepse vigjilent do të jetë me siguri Sergio Ramos”.

Fowler i kujtoi trajnerit gjerman se, kur ishte në krye të stolit të Borussia Dortmund, ka qenë në gjendje ta linte “thatë” Ronaldon, jo duke u mbrojtur poshtë, por duke u mirëorganizuar në mesfushë: “Në atë ndeshje kemi punuar shumë mirë. Neutralizuam Ronaldon, duke fituar 4-1. Kjo nuk ishte gjë e lehtë, sepse luanim kundër Real Madridit, i cili është i ftohtë, si akulli”.

Klopp është i bindur se Real Madridi mbetet i qetë edhe në situatat më të vështira, sepse e di se ka shanse të qarta favoriti në të gjitha ndeshjet: “Në futboll e ke një mundësi gjithmonë, por kundër tyre është tepër e vështirë, sepse nuk fluturojnë. A keni parë edhe një herë të vetme panik te Real Madridi? Jo, sepse ata mendojnë: rivalët kanë mundësi, këto gjëra ndodhin, por ne kemi një mundësi më shumë dhe do të shënojmë”.

Klopp mendon se nuk ka skuadër të pamposhtur dhe Real Madridi ka një dobësi, pa marrë parasysh sa favoritë janë mbretërorët spanjollë për të fituar: “Të gjitha ekipet në botë e kanë një dobësi. Ne kemi luajtur edhe kundër Barcelonës në “Wembley”. Të gjithë thonë se Real Madridi ka pasur fatin me vete në ndeshjet kundër Juventusit dhe Bayern Munich, por është hera e tretë radhazi, që gjendet në një finale Champions-i, apo e katërta herë në pesë vitet e fundit. Përvoja i ka përgatitur ata për situata të vështira. Ne do të shkaktojmë probleme të ndërsjella dhe duhet të jemi atje në momentet vendimtare, për të shënuar në çdo mundësi që lind”.

Klopp pranoi se Liverpool i tij nuk është favorit në finalen e Kievit, por shtoi se ka shumë opsione për të qenë kampionë të Europës të shtunën: “Ne jemi një nga ato klube të mëdha, me një ekip, që mund të jetë me të vërtetë i bezdisshëm, por me një cilësi të madhe futbolli. Ne nuk kemi fituar asgjë dhe natyrisht që nuk jemi favoritë, por nuk ka asnjë problem. Kjo nuk do të thotë se nuk duam të fitojmë, vetëm e di se për ta bërë këtë duhet të punojmë dhe të përfitojmë nga çdo shans i krijuar”.

Në fund, ai pranoi se kjo ndeshje nuk ka të bëjë fare me finalen e Ligës së Europës kundër Sevilla: “Kjo kohë është krejtësisht e ndryshme, nuk kemi pasur këmbë apo energji në ndeshjen ndaj Sevilla. Tani jemi një ekip më i mirë futbollistik”.

Related posts

VIDEO nga “Instagram”/ Messi përgatitet me roveshatë për “El Clasico”…

Sadik.Autor

Federata angleze, gati plani prej 180 milionë sterlinash

Q.Autor

Galliani: Për Milanin kam të njëjtë dashuri si 31 vjet më parë

Sadik.Autor

Leave a Comment