Futboll Sport

Kosova kryen stërvitjen e parë, 17 lojtarë nën urdhrat e trajnerit Challandes

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka zhvilluar gjatë pasdites së të shtunës stërvitjen e parë në Regensdorf të Zvicrës, në prag të ndeshjes miqësore “vëllazërore” më Shqipërinë, e cila zhvillohet të martën me fillim nga ora 20.00.

Pasi lojtarët dhe shtabi teknik u bashkuan rreth orës 12.00 në hotel, ku u mbajt një mbledhje e shkurtër në mes futbollistëve dhe trajnerit Bernard Challandes, në ora 18.00 ishte paraparë edhe stërvitja e parë, në të cilën munguan disa lojtarë që janë të impenjuar nëpër skuadrat e tyre. Në grumbullimin e parë munguan, Edon Zhegrova, Fanol Përdedaj, Arber Zeneli, Vedat Muriqi, Herolind Shala, Elbasan Rashani dhe Besar Halimi, andaj Challandes pati në dispozicion vetëm 17 futbollistë, kurse të tjerët do të bashkohen më së largu deri këtë të diel, apo më saktë dy ditë para ndeshjes së parë miqësore ndaj Shqipërisë.

Stërvitja kaloi e qetë me një ritëm jo shumë të lartë, pasi lojtarët janë pak të lodhur pas angazhimeve që kishin te skuadrat përkatëse, megjithëse mjekët e përfaqësueses së Kosovës u ndanë të kënaqur me përgatitjet fizike të futbollistëve, duke deklaruar se janë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për lojë.

Duhet theksuar se për herë të parë janë grumbulluar edhe katër futbollistë të rinj nga përfaqësuesja U-21 e Kosovës, ndër ta edhe Rron Broja, anëtari i skuadrës maqedonase Shkupi, i cili spikati në ndeshjen kundër kampionëve të botës, Gjermanisë.

Trajnerin Challandes po e shqetëson fakti se talentin e madh, Edon Zhegrova, nuk po e inkuadron sa duhet apo fare trajneri i Genkut, Philippe Clement, me të cilin ka pasur një bisedë ditëve të kaluara, kurse ajo që i ka pëlqyer trajnerit zvicëran dhe që po punon më së shumti është reparti mbrojtës, i cili në dy miqësoret e para ndaj Madagaskarit dhe Burkina Fasos nuk ka pranuar asnjë gol.

Do të jetë miqësorja e dytë e Kosovës dhe Shqipërisë pas asaj që u zhvillua në Prishtinë në nëntor të vitit 2015, që përfundoi 2-2, ndërsa përfaqësuesja e Kosovës pesë ditë më vonë e zhvillon edhe miqësoren e dytë përballë përfaqësueses shumë të fortë afrikane, Bregu i Fildishtë.

Related posts

HIDHET SHORTI I EUROPA LEAGUE/ Skuadrat gati të njihen me kundërshtarët

Delo.autor

”KËRKUAM TRE HERË…”/ Ancelotti AKUZA të forta arbitrit: Herë tjetër ikim nga…

F.autor

Arrivabene: Ferrari zhgënjeu në Spanjë, por s’ka vend për panik

Sadik.Autor

Leave a Comment