Futboll Sport

Laçi-Skënderbeu/ Ekspertët përballë kampionëve, një Kupë që duhet fituar

Nëse finalja e Kupës së Shqipërisë do të ishte një hotel luksi, Laçin do ta trajtonin si një klient të zakonshëm, kjo është hera e 4-t që e vizition në këto 5 vitet e fundit, hark kohor kur e ka fituar dy herë trofeun. Laçi ekspert i Kupës, me një marrëdhënie dashurie intensive me trofeun e dytë futbollistik për nga rëndësia në vend. Kupën, Skënderbeu nuk e ka fituar asnjëherë, është një trofe që deri vitin e kaluar nuk kishte arritur të ndizte shkëndijën e dashurisë në skuadrën korçare që ishte në finale edicionin e kaluar kur humbiste përballë Tiranës, por këtë vit gjërat janë ndryshe. Skënderbeu kërkon trofeun që i mungon në palmaresin e klubit dhe mbi të gjitha triumfin e dyfishtë në kampionat e Kupë, për t’i vënë vulën më të mirë të mundshme një sezoni të dominuar në fushë, për të pritur më pas lajmet për Europën me ndërgjegjen e qetë dhe vetëdijen se në fushë ka bërë gjithçka mirë.

Për Ilir Dajën lajmi i mirë është prezenca e Ali Sowe në stërvitje, kryegolashënuesi i kampionatit është gati dhe do të jetë në finale, aty ku gjen terrenin ideal dikush tjetër nga sulmi i Skënderbeut, James Adenyi në finalen e 2015 shënonte në Qemal Stafa golin vendimtar që conte trofeun në Laç. Këtë të dielë në Elbasan Arena do të bëjë gjithçka për ta fituar me Skënderbeun, kjo është padyshim një ndeshje e veçantë për të. Në kampin korçar Ilir Daja këto javët e fundit ka menaxhuar energjitë e titullarëve fiks enkas për këtë të dielë dhe grupi është i plotë me përjashtim të Fidan Alitit, i grumbulluar me përfaqësuesen e Kosovës, ndërkohë që për Orges Shehin kjo mund të jetë ndeshja e fundit me fanellën e skuadrës ku ka fituar 7 tituj kampionë.

Grup i plotë në dispozicion edhe për Gentian Mezanin që me Laçin e tij, një skuadër me shumë të rinj, e futboll entuziazmues ka surprizuar duke bërë një kampionat vërtet të mirë dhe Europa është e garantuar, pavarësisht se si shkojnë gjërat në finalen e Elbasanit, por një mbyllje me trofe do të ishte padiskutim fundi më i lumtur për Laçin, dhe njëkohësisht një arrije e merituar për një trajner që mbërriti në kampin kurbinas mes skepticizmit, por me shumë punë e kokën ulur konfirmoi se është një ndër teknikët më të mirë të kampionatit shqiptar. Bilanci sezonal thotë dy fitore të Skënderbeut dhe dy të Lacit, ajo e fundit që la një shije vecanërisht të hidhur për Ilir Dajën, por kjo është një ndeshje tjetër, një finale Kupe ku gjithcka është për t’u fituar.

Related posts

3 HUMBJE NË 4 NDESHJE/ Klopp mban me elozhe Liverpoolin e tij

Delo.autor

FORMULA 1/ Rinovim me shifra të “çmendura”, ja si Mercedes po bind Hamilton të qëndrojë

Delo.autor

Tjetër goditje e Shkëndijës, merr mbrojtësin nigerian Wakili nga Trakai

Q.Autor

Leave a Comment