Champions League Futboll Sport UEFA

Roma-Liverpool, verdhekuqtë besojnë në mrekullinë e dytë në “Olimpico”

Rrufeja nuk godet kurrë dy herë në të njëjtin vend, thotë një shprehje e vjetër. Roma pret Liverpoolin në stadiumin “Olimpico” në gjysmëfinalen e kthimit në Champions League me objektivin për të përsëritur përmbysjen e madhe që ekipi “verdhekuq” regjistroi tri javë më parë ndaj Barcelonës së Ernesto Valverdes, por, për t’iu afruar sadopak një triumfi të këtyre përmasave, skuadra e Eusebio Di Francescos duhet të bëjë fillimisht diçka, të cilën deri më sot, gjatë edicionit të 26 të këtij kompeticioni, nuk ia ka dalë mbanë për ta arritur asnjë klub në Kontinentin e Vjetër. Kuptohet, në orën 20:45, në “Qytetin e Përjetshëm”, Roma do të bëjë çmos për t’iu afruar kualifikimit, por “verdhekuqve” iu nevojiten minimalisht tre gola, në një kohë kur ekipi nga Merseyside është i vetmi në këtë sezon të Champions-it që nuk njeh humbje.
Është e vërtetë që Roma rrugës për të mbërritur deri në këtë pikë ka thyer në “Olimpico” Chelsea-n e Antonio Contes me rezultatin 3-0, por kjo gjë ka ndodhur në fazën e grupeve, ndërsa tani diçka e tillë ngjan vërtet me një mision të pamundur, sidomos pas shembullit negativ të Barçës, që në mënyrë të pavullnetshme i bëri një favor të jashtëzakonshëm Liverpulit, duke zbritur në kryeqytetin italin me shenja të theksuara mendjemadhësie dhe pa përkushtimin e mentalitetin që nevojitet për të interpretuar siç duhet një përballje, takimin e parë të të cilit skuadra blaugrana e kishte fituar me plot tre gola diferencë. Në “Anfield” javën e kaluar Roma luajti vërtet shumë mirë në 20′ e para dhe kjo gjë përkoi pikërisht me dëmtimin e Oxlade-Chamberlain, sepse pas zbritjes në fushë të mesfushorit holandez Wijnaldum “të kuqtë” morën lojën në dorë dhe shtuan menjëherë ritmin.
Sigurisht që tetë ditë më parë në “Anfield” influencoi shumë edhe naiviteti i habitshëm i 48-vjeçarit abrucez, që e rreshtoi Romën lart në fushë dhe me tre mbrojtës, për më tepër ndaj një skuadre si Liverpooli që ka përpara tre futbollistë tepër të shpejtë si Mane, Salah dhe Firmino.
Sidoqoftë pasi shënoi pesë gola në katër këndeshin e një portieri si Alisson, Jurgen Klopp preferoi të ruhej, duke ulur ndjeshëm ritmin, gjë që më pas solli edhe dy golat e “verdhekuqve” në 10′ e fundit të takimit. Di Francesco nuk do të ketë në dispozicion argjentinasin Diego Perotti, por po bëhet çmos për të rikuperuar në kohë mesfushorin holandez Strootman, ndërsa në krahun tjetër, përveë Oxlade-Chamberlain, do të mungojnë edhe lojtarët e tjerë, që në fakt nuk ishin as në “Anfield”: Lallana, Can, Matip dhe Joe Gomez. Gjithsesi, këtë radhë, për herë të parë pas plot 17 vjetësh, klopp nuk do të ketë në krah gjithashtu as krahun e tij të djathtë, asistentin e mirënjohur boshnjak, Zeljko Buvac.
“Verdhekuqtë” nuk kanë asgjë për të humbur, por në anën tjetër Jurgen Klopp luan gjithë sezonin në harkun e vetëm katër ditëve, sepse të dielën pasdite në “Stamford Bridge”, të kuqtë duhet të evitojnë patjetër humbjen me Chelsea-n, që në Premiership është vetëm gjashtë pikë larg e ka gjithashtu edhe një ndeshje më shumë për të luajtur.
Nëse klubi nga Merseyside kërkon finalen e 3-të në 14 edicionet e fundit, Roma në krahun tjetër mungonte në gjysmëfinale në Kupat e Evropës që nga viti 1991, kur eliminoi Brondby-n në Kupën UEFA, gjithsesi “verdhekuqtë” nuk e kanë mundur Liverpulin në asnjë nga katër përballjet që këto dy klube kanë patur në Kupën e Kampioneve apo Champions League.
“Të kuqtë”, që numërojnë 38 gola në këtë aktivitet, u bënë ekipi i parë që ka në përbërje tre lojtarë me më shumë se 8 gola, ku spikat dyshja Salah – Firmino me 10 të tillë, gjithsesi ish-sulmuesi egjiptian i Romës për dy sezone duket vërtet i papërmbajtshëm, teksa ka shënuar 8 gola në 9 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, pa harruar aspak një futbollist si James Milner, që me 9 asistet e tij barazoi rekordin e vitit të kaluar të brazilianit Neymar. Ndeshja do të luhet në kryeqytetin italian nën masa tepër të rrepta sigurie dhe do të drejtohet nga 41-vjeçari slloven, Damir Skomina.

Related posts

Formacionet e mundshme: Real Madrid – Barcelona

Delo.autor

CHAMPIONS LEAGUEPër herë të parë; vetëm katër ligat më të mira në çerekfinalet e Champions-it

Q.Autor

TJETËR HAP FALS NË KAMPIONAT/ Ndeshje dramatike, Tirana dhe Skënderbeu ndajnë pikët në Korçë

Delo.autor

Leave a Comment