Futboll Sport

Salah: Dua të mësoj emocionet e Championsit, Zidani është…

“Të luash në finalen e Champions-it është një ëndërr që bëhet realitet për mua, por ta fitoja atë do të ishte një arritje e jashtëzakonshme. Reali i Madridit ka shumë përvojë, por është një ndeshje finale dhe e kaluara zerohet. Luajmë 11 kundër 11, te Liverpuli jemi të gjithë të bashkuar, të gjithë shokë dhe trajneri Klop është shoku që ka arritur të na bashkojë të gjithëve ne”.

Është kjo deklarata që ylli i Liverpulit, Muhamed Salah, ka dhënë pak orë përpara finales për uebsajtin e UEFA-s. Autori i 44 golave sezonale, 10 prej të cilëve në Ligën e Kampioneve, kërkon që të kurorëzojë në mënyrën më të mirë sezonin e tij fantastik, sepse pa dyshim që fitorja e kupës “me veshët e mëdhenj” do të ishte dhurata më e bukur që ai mund t’i bënte vetes, skuadrës, stafit teknik dhe mbi të gjitha tifozërisë së kuqe.

Sulmuesi egjiptian është i përulur dhe kur pyetet se çfarë përfaqëson Champions-i, ai tregohet i sinqertë. “Nuk e di se çfarë do të thotë të fitosh këtë trofe, sepse tjetër një gjë ta luash një finale dhe një tjetër gjë është ta fitosh atë. Për mua do të ishte arritja pa dyshim më e madhe. Të gjithë jemi entuziastë. Mbaj mend që dy vjet më parë isha në Egjipt me pushime dhe atje të gjithë po shikonin finalen e Champions-it dhe atmosfera ishte fantastike, edhe pse ajo ndeshje nuk kishte të bënte fare me ta”, vazhdon Salah.

Në lidhje me sezonin e tij fantastik dhe forcën goditëse që Liverpuli ka treguar sivjet, afrikani nënvizon: “Puna serioze në stërvitje ka qenë çelësi për mua. Kryesorja është që të qëndroj në këto nivele edhe vitin e ardhshëm, ndonëse kur pranoja që të firmosja me Liverpulin, besoja realisht se do të kisha mundësinë që të luftoja për një trofe si Champions-i. Gjithsesi, Liverpuli nuk është vetëm Salah, por shumë e shumë të tjerë. Sulm bombastik? Mentaliteti ynë është një për të gjithë, të gjithë për një. Unë kam shënuar 10 gola në Champions, Mane nëntë, Firmino dhjetë.

Kjo tregon se kemi merita të barabarta në rrugën drejt suksesit”. Dhe në fund, në lidhje me idhujt e tij, ai pranon se njërin prej tyre do ta ketë kundërshtar: “Zidan më ka mahnitur gjithmonë, ai ka qenë idhulli im më i madh. Por kam admiruar edhe Françesko Totin dhe Ronaldon, brazilianin. Për stilin e lojës së tyre, ata ishin krejtësisht ndryshe nga të tjerët”.

Related posts

Drejtori sportiv i Juventusit jep lajmin e hidhur për Realin dhe Barçën

Sadik.Autor

PISHINË, MUSKUJ DHE BUZËQESHJE/ Ronaldo karantinë mes luksit në Torino (FOTO)

Delo.autor

I NGADALTË DHE PASHËNJESTËR/ Hazard ka humbur identitetin (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment