Sport Të tjera

Shqipëria mposht Izraelin dhe kualifikohet për në finalet e Ligës së Europës

Kombëtarja e femrave në volejboll ka fituar sot 3-1 ndaj Izraelit në ndeshjen e katërt të Grupit B, të vlefshme për Divizionin e Argjendtë të Ligës së Europës, sukses që ka kualifikuar vajzat kuqezi në fazën finale të këtij eventi. Pas suksesit 4 ditë më parë në Izrael sot erdhi fitorja e radhës në Tiranë. Në sallën e lojërave “Feti Borova”, Shqipëria arriti një fitore të merituar, e treta në grup, duke prerë një biletë për më tej.

Një triumf i merituar edhe pse disi më i vështirë se ai i pak ditëve më parë, por këtë herë vajzat kuqezi të trajnerit Altin Martiri nuk përsëritën gabimet e sfidës me Austrinë. Me 3 fitore dhe një humbje deri më tani në Grupin B, Shqipëria siguron kualifikimin për më tej edhe pse ka ende edhe dy takimet për të zhvilluar (në Austri jashtë fushe dhe me Gjeorgjinë në Tiranë). Kjo është hera e parë që Shqipëria kualifikohet në fazën finale të këtij eventi në edicionin e tretë radhazi që merr pjesë.

Ndeshja nis me rivalitet, seti i parë është i ekuilibruar, ku herë udhëheq Shqipëria e herë Izraeli dhe frika se mos përsëritej skena e një javë më parë ishte e madhe. Por në fund vajzat kuqezi shkëputen dhe fitojnë 25-23, duke shfrytëzuar avantazhin prej 3 pikësh të krijuar. Seti i dytë është tërësisht për vajzat kuqezi, që luajnë më të lirshme dhe kanë një epërsi të dukshme në parket, duke u shkëputur që në fillim dhe fitojnë 25-19.

Seti i tretë fillimisht ndjek rrjedhën e të dytit, me Shqipërinë që shkëputet gradualisht dhe e komandon lojën, por në pikët e fundit vajzat kuqezi tolerojnë shumë, duke menduar se e fituan ndeshjen. Izraeli rikuperon e përfiton nga gabimet, duke barazuar shifrat në 24-24 dhe fiton në ato shtesë 29-27. Por në setin e katërt Shqipëria zgjohet dhe nuk toleron, shkëputet që në fillim dhe fiton me lehtësi 25-16 dhe krejt ndeshjen 3-1.

Në fushë, menjëherë nis festa për këtë triumf së bashku me fansat e shumtë të pranishëm në këtë sfidë. Emocione për këtë triumf, që çon Shqipërinë në finalet e Divizionit të Argjendtë të Ligës së Europës, me shpresën për të luajtur pas një viti në Divizionin e Artë.

Shqipëri – Izrael, 3-1 (25-23, 25-19, 27-29, 25-16)

SHQIPËRIA: Bici, E.Tuci, Xheka, Marina, Prenga, Thaka, Picaku, Sejfullai, Rexhepi, Kushi, Sijoni, M.Tuci, Shehi, Dodani. Trajner: Altin Martiri

IZRAELI: Dudockin, Kopilovitch, Stein, Jaloba, Goffer, Lander, Malik, Zilberman, Matviyenko,  Marmen, Lahav, Ganah. Trajner: Giuseppe Cuccarini

Gjyqtarë: Andrei Taran (Rumani), Arjan Shehu (Shqipëri)

Related posts

BAYERN E NIS ME ZHGËNJIM/ Barazon me Herthan në “Allianz Arena” (VIDEO)

Delo.autor

REVOLUCION TEK INTERI/ Presidenti i klubit “Zikaltër” përgatit të projektin e së ardhmes…

Delo.autor

KOHË TË VËSHTIRA PËR PRONARËT E INTER/ Rroga të papaguar edhe te klubi kinez. Të huajt nuk dalin në stërvitje

Delo.autor

Leave a Comment