Futboll La Liga Sport

Verdiktet janë dhënë, por Barça-Real mbetet “El Clasico”

Barcelona dhe Reali i Madridit bëhen gati për përballjen e 237 në histori në ndeshje kompetitive, teksa do të ndeshen në orën 20:45 në Stadiumin ‘Camp Nou’. El clasico mbetet gjithmonë “El clasico”, por këtë herë gjërat janë vërtet shumë ndryshe dhe dy gjigantët e futbollit spanjoll paraqiten në duelin ndërmjet tyre në pozita krejt të kundërta.

Nëse Barça nuk do të kishte fituar takimin në ‘Riazor’, skuadra “blaugrana” do të bënte maksimumin për të poshtëruar Realin në “derbin e Spanjës”, duke koleksionuar titullin e 25-të në Primera Division pikërisht ndaj rivalëve të tyre të urryer, për më tepër brenda në ‘Camp Nou’. Në krahun tjetër nëse “los blancos” do të eliminoheshin në Champions nga Bajerni i Mynihut, atëherë futbollistët “merengues” do të paraqiteshin në Barcelonë vërtet tepër të motivuar për të treguar forcën e tyre, por ndonëse me vështirësi Reali ia doli mbanë për të siguruar finalen e 3-të rresht në kompeticionin më të rëndësishëm dhe më të pasur në glob, në rang klubesh, duke bërë që fati i “El clasico”-s numër 237 në histori të varet shumë pikërisht nga humori dhe dëshira e presidentit të klubit madrilen Florentino Perez.

Rekordmenët e Spanjës janë përpara dy zgjedhjeve: të ruhen duke menduar për ndeshjen që vlen gjithë sezonin, pra finalen e 26 majit në Kiev në finalen e Champions League-s ndaj Liverpulit, apo të japin maksimumin në fushë dhe të luftojnë me të gjitha forcat në ‘Camp Nou’ për të prishur festën e Barçës. Vendasit mburren me titullin e 7 në dekadën e fundit në Primera Division, ndërsa miqtë nga kryeqyteti me të drejtë krenohen me finalen e 4 në 5 vitet e fundit në Champions.

Natyrisht nëse nuk është tallje vetë Zinedine Zidane ka shtangur gazetarët duke deklaruar se sipas tij Liga Spanjolle është gjithmonë shumë më e vështirë se sa Champions League-a, një deklaratë vërtet tepër e çuditshme e trajnerit francez, që eklipson në këtë mënyrë arritjet fenomenale të ekipit të tij, pasi rrugës për në Kiev Reali eliminoi me radhë njëri pas tjetrit kundërshtarë si Paris SG, Juventus dhe Bayern Mynich.

Në fakt nën drejtimin e Ernesto Valverdes Barcelona këtë sezon ka fituar jo vetëm kampionatin por gjithashtu edhe Kupën e Spanjës, megjithatë eliminimi krejtësisht i papritur në Champions nga një ekip si Roma në mënyrë të kuptueshme frenoi ndjeshëm entuziazmin në radhët e skuadrës blaugrana. Me titullin e 25 në Primera Division, Barça e ngushtoi në vetëm 8 diferencën me Realin, ndërkaq ekipi madrilen kryeson gjithashtu edhe bilancin e përgjithshëm ndërmjet tyre, me 95 fitore kundrejt 92 të klubit katalanas.

Iniesta që javën e ardhshme do të mbushë 34 ka pasur një problem në pulpë, sidoqoftë nëse do të luajë kjo do të jetë “el clasico” e fundit për një ndër mesfushorët më të talentuar që ka parë ky sport, pa harruar aspak edhe faktin që kapiteni mbetet njëkohësisht edhe një ndër futbollistët më pak të vlerësuar kur bëhet fjalë për çmimet prestigjioze, pasi gjithë lavdinë te ky klub ndër vite e ndoshta në mënyrë të padrejtë e ka marrë vetëm Lionel Messi.

Nëse Iniesta është problemi i vetëm për Valverden në krahun tjetër në dyshim mbetet dyshja Varane-Isco, ndërkaq është e sigurt që do të mungojë mbrojtësi i djathtë Dani Carvajal, kështu që me shumë gjasa Zizou do të vazhdojë të mbështetet te Lucas Vazquez, natyrisht nëse Zidane nuk do të eksperimentojë me adoleshentin me origjinë marokene Achraf Hakimi në këtë krah.

45-vjeçari francez siguroi gazetarët se nuk do të respektohet parada e nderit, pra ceremonia simbolike “pasillo”, ku kampionët nderohen me duartrokitje nga lojtarët e skuadrës kundërshtare, që rreshtohet në të dy anët e vijës së mesit të fushës, duke lënë një korridor pikërisht për futbollistët e ekipit tjetër, e gjitha kjo sepse as Barcelona nuk e nderoi Realin në Bernabeu, në fazën e parë, vetëm një javë pasi “los blancos” mundën Gremion në Kupën e Botës për Klube, me justifikimin që skuadra “blaugrana” nuk mund ta bënte dot “pasillo”-n për një aktivitet ku Barca nuk ishte pjesë.

Barcelona që ka fituar 26 nga 28 ndeshjet e fundit brenda në kampionat do të japë maksimumin për ta çuar në 42 numrin e ndeshjeve pa humbje në Primera Division. Në fazën e parë falë tre golave të realizuar në pjesën e dytë skuadra e Ernesto Valverdes fitoi brenda në Tempullin e Madridizmit, duke shijuar në mënyrën më të mirë të mundshme Festën e Krishtlindjes, gjithsesi këtë herë ndeshja do të drejtohet nga 35-vjecari nga Ishujt Kanarie Alejandro Hernandez dhe do të luhet në ‘Camp Nou’, ku Barca ka humbur 2 nga 3 duelet e fundit.

Related posts

SHORTI I ELIMINATORËVE TË 2020/ Deshamp: Kemi hasur vështirësi me Shqipërinë, e njoh Panuçin…

Isa.Autor

MERR FUND DILEMA/ Zbulohet “fituesi” i Topit të Artë, është ky kameraman

Isa.Autor

PROVIMI I FALSIFIKUAR NË ITALISHT NGA SUAREZ/ A rrezikon sulmuesi dhe Juventus? Ja çfarë parashikojnë rregullat

Delo.autor

Leave a Comment