Futboll Sport

Dossierët e Botërorit/ Italia harron trukimet, bëhet kampione e botës

Italia ngrinte në mënyrë surprizuese trofeun e kampionit të botës më 9 korrik të vitit 2006. Pas një “tërmeti” trukimesh, të kaltrit arritën të kalonin nga ferri në parajsë, duke fituar për herë të katërt titullin e kampionit të botës në historinë e tyre. Skuadra e Marçelo Lipit bëri që himni italian të dëgjohet në Berlin si triumfues, duke marrë disi hak edhe ndaj gjermanëve, që bënë të dëgjohej himni i tyre në finalen e vitit 1990 në Romë.

Gjithsesi, ky Botëror nuk ishte vetëm një sukses për kampionët, por për të gjithë futbollin, pasi solli risi të shumta, përfitime ekonomike stratosferike për kombin gjerman dhe shumë spektakël për sportdashësit. Botërori – Ky edicion nisi ashtu sikurse të gjithë e kishin parashikuar. Të gjitha favoritet kaluan lehtësisht fazën e grupeve, me përjashtim të Francës, finaliste, e cila vuajti edhe pse në një grup të dobët me Korenë e Jugut, Zvicrën dhe Togon. “Gjelat” kualifikohen të dytët pas helvetëve, por më pas skuadra e Domenekut do të ishte magjike në të gjitha ndeshjet e tjera. Ashtu sikurse faza e grupeve, edhe faza e 1/8-ve shkoi pa surpriza, me përjashtim të Ukrainës, e cila pavarësisht se ishte debutuese në këtë kompeticion, mahniti duke shkuar deri në çerekfinale, kur mundej me rezultatin 3- 0 nga Italia. Gjermania avanconte e sigurt, Brazili, Anglia dhe Franca po ashtu. Argjentina u kualifikua për në çerekfinale me vështirësi, kur përballë Meksikës i duhej të luante edhe 30 minuta të kohës shtesë për të fituar. Italia siguroi çerekfinalet me një penallti të dyshimtë të fituar nga Groso kundër Australisë dhe të realizuar nga Toti, ndërkohë që Portugalia eliminonte Holandën, pas një ndeshjeje shumë të tensionuar.

Faza finale – Italia ishte më fatlumja në këtë fazë, pasi gjente përballë Ukrainën. Ndërkohë, çiftet e tjera ishin GjermaniArgjentinë, Angli-Portugali dhe Brazil-Francë. Normalisht që italianët u kualifikuan lehtë, 3-0. Disi e papritur, por shumë e merituar, ishte fitorja e Francës 1-0 kundër Brazilit. Ndërkohë, Gjermania dhe Portugalia fituan biletën për në gjysmëfinale, pas goditjes së penalltive kundrejt Argjentinës dhe Anglisë. Në duelin për finalen, Gjermania dhe Italia dhuruan 120 minuta spektakël, por golat e Grosos dhe Del Pieros në dy minutat e fundit të shtesës së dytë i dhurojnë ekipit të Lipit “biletën” për të vazhduar aventurën në kompeticion dhe njëkohësisht largimin e organizatorëve.

Ndeshja tjetër mes Portugalisë dhe Francës vuloset nga një penallti e Zinedin Zidanit, që në pjesën e parë dhe ashtu përfundon. Italia e Franca rigjejnë njëra-tjetrën pas finales së Europianit të vitit 2000. Një ndeshje e mbushur me emocione, lojë të rreptë taktikisht dhe mbi të gjitha tension. Koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1, pas golave të Materacit dhe Zidanit, por pikërisht këta dy bëheshin protagonistët e një incidenti, që më pas u bë edhe statujë.

Pas disa ofendimeve nga ana e mbrojtësit të Italisë, ylli i kombëtares franceze humbi qetësinë dhe në minutën e 109-të goditi me kokë në krahasor kundërshtarin. Lëvizje e pafalshme, të cilën arbitri Elizondo nuk e toleroi, duke i nxjerrë menjëherë kartonin e kuq. Fituesi do të vulosej nga gjuajtjet e 11-metërshave dhe David Trezege do të gabonte nga pika e bardhë, duke i dhënë mundësinë skuadrës së Lipit të ngjitet në majën e botës…

Related posts

Milan kërkon përforcime në mesfushë, ‘piketohet’ futbollisti i Manchester United

Q.Autor

RREZIKON VENDIN CHAMPIONS/ Milan piketon si pasues të Gattusos trajnerin shqiptar…

Delo.autor

Xhaka e Mustafi mund të largohen nga Arsenali?

Sadik.Autor

Leave a Comment