Futboll Premier League Sport

Nga Toure te Mourinho, nga Eto’o te Ibra, sa shumë “armiq” për Guardiolën

Shpëtoni ushtarin Guardiola! Trajneri i Manchester City është një nga “strategët” më të vlerësuar, modernë, spektakolarë dhe fitues. Por gjithashtu është një nga personazhet më shumë të sulmuar në botën e futbollit. I fundit në rend kohor ka qenë Yaya Toure, por lista të atyre që “akuzojnë” katalanasin është e gjatë. Raiola e ka quajtur “frikacak”, Ibra “filozof”, ndërsa Vilanova, para se të ndahej nga jeta, pohoi se ai që mendonte se ishte miku i tij më i mirë e braktisi në momentin më të vështirë, kur ish-trajneri i Barcelonës u diagnostikua me kancer. Shtypi gjerman e ka kritikuar thuajse çdo ditë, ashtu si Samuel Eto’o, pa harruar Jose Mourinho…

Duket se fati i njerëzve vizionarë dhe fitues është shumë i vështirë. Aftësitë e Pep Guardiola nuk mund të vihen në diskutim, ashtu si ajo që i ka sjellë futbollit në vitet e fundit dhe një tip loje që ka qenë shkollë për të tjerët. Megjithatë, ka pasur gjithmonë nga ata që kanë ngritur zërin kundër tij. I fundit në rend kohor ka qenë Yaya Toure, mesfushori afrikan, që u largua nga Manchester City duke e akuzuar spanjollin për racizëm: “Ne afrikanët nuk jemi trajtuar në mënyrë të njëjtë nga njerëz të ndryshëm. Dua të jem ai që zbulon të vërtetën për mitin e Guardiola. Nuk e di përse, por pak përshtypjen se ishte xheloz për arritjet e mia dhe që në ditën e parë të punës te City më konsideroi si rival. Ishte i pashpirt karshi meje. Nuk mendoj se do të sillej kurrë në këtë mënyrë me Iniesta, Xavi apo Messi. Erdhi pika kur mendova se ishte për shkak të ngjyrës time. Nuk jam i vetmi te City që kam këtë mendim.”

Futbollisti nga Bregu i Fildishtë ka shumë shokë! Për shembull, Jose Mourinho, një nga rivalët historik të Guardiola, aq sa nuk numërohen përgjigjet dhe kundërpërgjigjet mes tyre kur ishin në Spanjë, por që e nisën duelin e fjalëve që në vitin 2010 kur Inter fitoi të drejtën për të luajtur në finalen e Champions League duke eliminator Barcelonën. “Betejat” u spostuan në klasiken e La Liga, Real-Barça, ndërsa tani në derbin e Manchester, City-United. “Eshtë i paedukatë,” – ka qenë akuza e fundit e Mourinho në rend kohor, ndërsa më e bujshme ka qenë ajo pas “skandalit të Stamford Bridge” me gjyqtarin Ovrebo, ku Barcelona barazoi 1-1 me Chelsea. “Ka fituar një Champions League për të cilën mua do të më vinte turp të festoja,” – deklaronte atëherë “Special One”.

Një tjetër rival historik është Zlatan Ibrahimovic, me të cilin nuk pati marrëdhënie të mirë gjatë kohës te Barcelona. “Një ditë i thashë Guardiolës që po linte mënjanë futbollistët e tjerë dhe ishte përqendruar vetëm e Messi. Më tha që më kuptonte dhe kisha të drejtë, por që nga ajo ditë filloi të më ulte në stol gjithnjë e më shumë, nuk më fliste më, as nuk më shikonte më në sy, – kujton suedezi. – E kuptova që diçka nuk shkonte dhe nuk kishte të bënte me futbollin. Për më tepër, që në ditën e parë që e takova më tha se futbollistët e Barcelonës nuk bëjnë xhiro me Porsche ose Ferrari. Kishte krijuar një përshtypje të gabuar për mua dhe po më gjykonte, por nuk mund të gjykosh një njeri që nuk njeh.”

Situata nuk ka qenë e mirë edhe me Tito Villanova, ndihmësi i tij i parë, që më pas u bë trajner i Barcelonës, por u nda nga jeta sepse ishte i sëmurë me kancer. “Që kur fillova të kurohem nuk e takova më kurrë, pavarësisht se e telefonoja. Ishte miku im, shoku i një jete të tërë dhe kisha nevojë për të, por ai nuk denjoi të vinte qoftë edhe një ditë të më shihte. Unë do të isha sjellë ndryshe,” – tha Villanova për Pep, në ditët e fundit të jetës.

Sulmet ndaj tij nuk i ka kursyer as menaxheri Mino Raiola. “Eshtë një frikacak, një qen,” – ishin fjalët e ashpra të italianit duke iu referuar probleme të trajnerit me Ibrahimovic dhe Maxwell. Më pas, Raiola shtoi: “Si trajner është fantastik, por si njeri është zero me bisht. Guardiola është prifti tipik që thotë bëj atë që them unë, por mos bëj atë që bëj unë.”

Edhe me Samuel Eto’o marrëdhënia nuk ishte e mirë: “Pata fatin që luajta 20 minuta në një miqësore kundër Chivas dhe shënova tre gola. Nuk doja të kisha të bëja me të, të flisja me të, derisa të më kërkonte ndjesë. I kisha folur në fillim të sezonit dhe i kisha shpjeguar të gjitha. Pep donte të më tregonte si të shënoja gola, kur unë i kisha bërë 200 pa ardhur ai dhe shënova 50 të tjerë me të në stol. Këshillat e tij më dukeshin aq absurde sa një ditë i thashë: Ore, a je njeri normal ti si gjithë të tjerët?,” – kujton kamerunasi që më pas shkoi te Inter dhe fitoi Champions League.

Në fund, po ju kujtojmë sulmet e shtypit gjerman kur Guardiola ishte trajner i Bayern Munich me të cilin fitoi tre herë kampionatin, por dështoi në Champions. “Drejtuesit e Bayern duhet t’i bëjnë vetes pyetjen nëse qarkullimi i topit është strategjia e duhur dhe nëse është e drejtë të vazhdojë t’i besojë ekipin një trajneri me ide që po dalin nga moda,” – shkruante “Die Zeit”. “Guardiola duhet të pranojë se ka limite të mëdha që nuk mund t’i kalojë, që nga kompaktësia e ekipit, te stabiliteti në mbrojtje dhe paparashikueshmëria në sulm. Shkatërroi një ekip që fitoi tre trofe në një vit me Heynckes në stol,” – shtoi “Bild”.

Related posts

Messi ka shënuar më shumë gola se Ronaldo, Isco, Asensio e Bale së bashku

Q.Autor

UEFA “hap thesin”/ Ja sa do të përfitojë SHQIPËRIA në rast kualifikimi

Isa.Autor

Tifozët argjentinas të NEVRIKOSUR/ GODASIN me shishe Sampaolin pas ndeshjes (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment