Uruguai është konsideruar nga pjesa më e madhe e analistëve dhe ekspertëve si skuadra surprizë e Kupës së Botës, por loja e amerikanojugorëve ka lënë për të dëshiruar në ndeshjen e parë të Botërorit. Është dukur si një ekip pa ide dhe Luis Suarez ka humbur disa raste të pastra.
Gjithsesi, ata kanë arritur të marrin fitoren falë golit të realizuar nga mbrojtësi Jose Gimenez në minutën e 90-të. Pasditen e së mërkurës, Uruguai do të ketë mundësinë të përmirësohet kundër Arabisë Saudite, ndeshje e vlefshme për javën e dytë të Grupit A. Sauditët, që janë favoritë për ta mbyllur grupin në vendin e fundit, janë mundur 5-0 në takimin e parë të luajtur kundër Rusisë.
Ajo ka qenë edhe humbja e katërt radhazi e pësuar nga Arabia, që nuk ka arritur të fitojë asnjë nga 11 ndeshjet që ka luajtur në Kupën e Botës. Nëntë nga ato 11 ndeshje janë mbyllur me humbje dhe ata nuk kanë arritur të shënojnë në tetë prej tyre. Dyshja e qendërmbrojtësve e Uruguait, Godin-Gimenez, nuk do të ketë shumë punë në këtë sfidë.
Por ata mund të jenë protagonistë në sulm, duke parë se Gimenez shënoi golin e fitores kundër Egjiptit dhe Godin ka realizuar tre gola në fazën kualifikuese. Për më tepër, ata do të përballen me një skuadër historikisht të dobët në dyluftimet ajrore. Në fakt, Arabia Saudite ka pësuar 14 gola me kokë që nga debutimi në Botëror, në 1994-n, më shumë se çdo ekip tjetër në këtë periudhë.
Formacionet – Uruguai pritet të luaje me të njëjtin formacion që ka luajtur kundër Egjiptit, me Suarez dhe Cavani që do të udhëheqin sulmin, ndërsa Godin dhe Gimenez do të drejtojnë trafikun në mbrojtje. Për sa i takon Arabisë Saudite, mund të bëhen disa ndryshime pas paraqitjes zhgënjyese ndaj Rusisë. I vetmi që e ka vendin të sigurt është kapiteni Osama Hawsawi.
Shifra Dhe Fakte
– Ndeshja e mëparshme mes këtyre dy kombëtareve, e luajtur në 2014-ën, ka qenë një miqësore dhe është mbyllur barazim 1-1.
– Kjo do të jetë përballja e tyre e parë në një Botëror.
– Ndeshja kundër Uruguait do të jetë e para për Arabinë Saudite në Botëror kundër një ekipi amerikanojugor.
– Uruguai ka luajtur tri herë të tjera kundër ekipeve aziatike, duke i fituar të tri ndeshje dhe duke pësuar vetëm një gol.
– Arabia Saudite ka dalë e fundit në tre edicionet e fundit të Kupës së Botës.