Futboll Sports

Sprinti për Kupën e Botës, ja kush i ka shanset më të mëdha

Tashmë çdo gjë është gati. Sot fillon kam pionati Botëror “Rusi 2018” dhe 32 skuadrat përfaqësuese i kemi vendosur në radhën e nisjes si në një garë të “Formula 1”, ku në start mendohet një nisje e tillë, edhe pse me nisjen e garës klasifikimi sigurisht që premton surpriza dhe mund të ndryshojë nga moment në moment. Por, fillimisht nisja pritet të jetë e tillë duke parë formën që gëzojnë 32 skuadrat aktualisht.

1. BRAZILI Grupi E

Thatësira vazhdon nga viti 2002 dhe trauma sportive që pësoi në Botërorin e shtëpisë së tij kundër Gjermanisë duket se tashmë është lënë pas krahëve. Me Nejmarin e rikuperuar plotësisht, me një Gabriel Zhezus në një formë të shkëlqyer dhe me një portier të pakalueshëm si Alison, skuadra e Tites i ka të gjitha mundësitë e mundshme për t’i shkuar deri në fund kompeticionit ku dhe niset si favorit kryesor. Pasi ka ndërtuar një bazë solide, tani trajneri brazilian pret fantazinë e Kutinjos dhe Uillian.

2. GJERMANIA Grupi F

Gjermanët mund të hedhin në fushë pa problem dy skuadra, ku të dyja mund të shkonin pa asnjë mëdyshje minimumi në çerekfinale. Mosgrumbullimi i Sanesë tregon se sa e kompletuar është kjo skuadër. Ndonëse në miqësoret e fundit kanë shfaqur disa probleme në mbrojtje, mund ta konsiderojmë si një periudhë provash për skuadrën e Joakim Lëv. A do mundet Verner të bëjë Klosen në këtë Botëror?

3. SPANJA Grupi B

“Furia e kuqe” është në kolaps. Pasi bënë një punë të shkëlqyer duke rinovuar skuadrën, ndërruan trajnerin 1 ditë para Botërorit. E padëgjuar më parë. Gjithsesi, në aspektin teknik mbrojtja duket në duar të sigurta me dyshen Ramos-Pike. Në mesfushë kemi dy breza të ndryshëm fenomenësh me Iniestën dhe Iskon që premtojnë shumë magji. Gjithashtu, pankina është e një niveli shumë të lartë me lojtarë që mund të vendosin ndeshjen në çdo moment, si Vasko dhe Asensio. I vetmi dyshim është në sulm, ku nuk dihet se cili do të bëjë numrin 9 fals, Aspas duket disi më i avantazhuar ndaj Kostës.

4. FRANCA Grupi C

Didie Deshamp ka në dispozicion një skuadër me shumë klas, individë, rini, shpejtësi dhe personalitet. Franca është e mbushur me yje, por duket se ende nuk janë të integruar plotësisht në skuadër. Mbeten për t’u përcaktuar zgjedhjet e trajnerit, pasi ende nuk kemi një modul të qartë në këtë skuadër dhe duhet parë se cili do të marrë rolin e liderit në ekipin e gjelave. Megjithatë, me Mbapenë, Grizmanin, Dembelenë dhe dyshen qendrore të mbrojtjes Varane-Umtiti, francezët mund t’i bëjnë ëndrrat realitet.

5. ARGJENTINA Grupi D

Nëse ke në përbërje të skuadrës Mesin, nuk mund të mos bësh pjesë në pesë skuadrat më të mira, megjithatë problemet në skuadrën argjentinase nuk mungojnë, pasi në mesfushë duket sikur mungon kualiteti. Trajneri San Paoli është një gjeni, por nëse ende nuk fiton plotësisht besimin e lojtarëve, situata mund të bëhet më e vështirë për të. Gjithsesi, me sulmin që ka në dispozicion e nis ndeshjen gjithmonë në avantazh 1-0.

6. BELGJIKA Grupi G

Lënia në shtëpi e Naingolanit duket një zgjedhje e pakuptimtë dhe dëmtimi i Kompani ka krijuar një boshllëk në mbrojte, por Belgjika është e mbushur me talente që tashmë duket sa kanë arritur pjekurinë e duhur. De Bryn, Lukaku, Hazard, Mertens i fusin frikën çdo skuadre, gjithashtu edhe zgjedhjet e dyta si Tielemans, Çadli apo Batshuai janë të një niveli shumë të lartë.

7. ANGLIA Grupi G

Anglezët praktikisht kanë treguar gjithmonë oshilacione në kompeticionet madhore, por “luanët” kanë pa diskutim shumë kualitet në ekip. Kin është nga sulmuesit më të mirë në botë, Dele Ali ofron shumë kualitet dhe Stërling është gjithmonë i dobishëm për ekipin. Trajneri Sauthgejt, ndryshe nga paraardhësi i tij, duket që u kushton shumë rëndësi detajeve. A do të mjaftojë kjo gjë për “luanët” anglezë?

8. KOLUMBIA Grupi H

Paraqitja e shkëlqyer që bëri në Botërorin e Brazilit bën që ta vlerësojmë në maksimum këtë ekip. Trajneri Pekerman duket se ka rigjetur Xhejms Rodrigezin e katër viteve më parë, ku gjithashtu ka në dispozicion një Falkao shumë të uritur për sukses në kombëtare. Nuk duhet harruar as forma shumë e mirë e sulmuesit Migel Borjas që po paraqitet në mënyrë fantastike në skuadrën e Palmeirasit. Dëmtimi i pësuar nga Fabra duket një goditje e rëndë për kolumbianët.

9. PORTUGALIA Grupi B

Dakord, Kampionatin Europian e ka fituar edhe Greqia, por ata nuk kishin në dispozicion Kristiano Ronaldon. Trofeu i fituar mund t’i ketë zhbllokuar portugezët, që tashmë duken shumë më të lumtur dhe më të qetë. Trajneri Santos sot ka në dispozicion shumë më tepër kualitet se dy vite më parë, me Guedes, Bruno Fernandes dhe Bernardo Silvën. Ndërsa në mbrojtje janë disi të vjetër, por përsëri ofrojnë garanci.

10. URUGUAI Grupi A

Ka një mbrojtje si gjithmonë shumë solide dhe me një nivel të lartë. Në sulm kanë lojtarë që të sigurojnë gola si Kavani dhe Suarez dhe duken shumë të kompletuar. Ndërsa mesfusha është rinovuar dhe brezi i ri me lojtarë si Bentankur, Torreira dhe De Arraskaeta mund t’i japin trajnerit Tabarez më shumë kualitet për të synuar objektiva madhorë.

11. KROACIA Grupi D

Kroacia duket një kantier në ndërtim e sipër, pasi trajneri Daliç, i cili ka marrë drejtimin në nëntor, ende nuk e gjetur modulin e duhur që t’i mundësojë Modriç të ketë rendimentin që ka në Madrid. Rakitiç, Perisiç, Brozoviç dhe Manxukiç premtojnë shumë. Kroatët kanë potencial në të gjithë repartet, por duket se vuajnë mungesën e një bomberi.

12. POLONIA Grupi H

Formacioni polak përbehet nga një pjesë e mirë e lojtarëve që luajnë në Itali, plus Levandovskin që ka kaluar një sezon me shumë luhatje. Në Varshavë pritet shumë nga Zielinski. Mbrojtësi Glik i trembi të gjithë me dëmtimin që pësoi duke luajtur tenis, por gjithsesi do të jetë i gatshëm. Sulmuesi Milik pret të shpërthejë.

13. SERBIA Grupi E

Vjen në këtë Botëror me një trajner debutues si Krstajiç dhe mund të mbështetet te një Milinkoviç-Saviç në një formë jashtëzakonshme, që do të kërkojë ta demonstrojë edhe në Rusi. Mitroviç, Spajiç, Ivanoviç dhe Kolarov janë të gjithë lojtarë që japin garanci. Serbia është një skuadër me ambicie dhe i ka të gjitha mundësitë për të befasuar në këtë botëror.

14. EGJIPTI Grupi A

Duket se fati i Egjiptit varet tërësisht nga gjendja e Salahut dhe nëse lojtari i Liverpulit rrezikoi të dëmtohej duke bërë një “Selfie”, kjo nuk është një shenjë e mirë për popullin egjiptian. Një tjetër problem duket Ramazani dhe vendqëndrimi i zgjedhur për arsye politike, pasi do të qëndrojnë në Çeçeni. Gjithsesi, mund të mbështeten te Trezege, që ishte ndër më të mirët në sezonin që sapo u mbyll në Turqi.

15. PERUJA Grupi C

Me rikuperimin e Guerreros, peruanët duket se tashmë kanë rigjetur liderin e tyre të munguar. Treshja Tapia, Flores dhe Kueva ofron shpejtësi, kualitet dhe aftësi të mira sulmuese. Pritet të mbështeten në një tifozëri nga më të zjarrtat, pasi Botërori u mungon prej 36 vitesh. Kujdes nga uria e peruanëve.

16. DANIMARKA Grupi C

Në ndeshjet “play-off”, Eriksen e tërhoqi ekipin e vendit të tij dhe e solli në Rusi. Është shumë e mundshme që ta bëjë një gjë të tillë edhe në disa ndeshje të Botërorit, por duhet edhe ndihma e ekipit për të ecur më gjatë. Poulsen, Jorgensen dhe Pione Sisto janë kandidatët për të bërë “violinat e dyta”.

17. SENEGALI Grupi H

U mungon eksperienca, pasi kjo është hera e dytë që marrin pjesë në një Botëror. Nuk duhet harruar që në vitin 2002 nuk dolën pa lënë gjurmë. Aliu Cise atëherë ishte në fushë, ndërsa sot është në pankinë si trajner. Në këtë skuadër nuk mungojnë talentet. Kulibali në mbrojtje dhe Mane në sulm janë shtyllat e ekipit. Gjithashtu, kanë në dispozicion Keitan dhe Niangun.

18. ISLANDA Grupi D

Rikuperimi i Sigurdson duket se ka qenë nga të paktat gjëra pozitive për vikingët islandezë në këtë pragbotërori, pasi kanë shfaqur shumë problem në mbrojtje duke pësuar 11 gola në katër takime. Megjithatë, klima që ekziston në skuadër është gjithmonë fantastike pas arritjes së kualifikimit për në Rusi. Por bën pjesë në një grup të vështirë dhe duhet të gjejë sa më shpejt soliditetin në skuadër, përndryshe do të dalë pa lënë gjurmë.

19. NIGERIA Grupi D

Katër humbjet e pësuara në gjashtë ndeshjet e fundit në 2018-ën duket se e kanë frenuar pak entuziazmin e nigerianëve, që ishte shumë i lartë jo vetëm për fanellat e bukura. Kishte nga ata që fillimisht flisnin për fitimin e kupës. Gjithsesi, në sulm kanë lojtarë që vijnë nga Premier Liga.

20. ZVICRA Grupi D

Zviceranët duket se nuk tërheqin shumë vëmendje dhe kanë shfaqur disa problem në fazën sulmuese, ku Seferoviç nuk bind, Embolo nuk është në formë dhe Shaqiri ka shumë luhatje. Por trajneri Petkoviç hedh gjithmonë në fushë një skuadër solide që mund të shkojë përpara, pse jo, me pak fat në episode.

21. MEKSIKA Grupi F

Në gjashtë Botëroret e fundit, janë eliminuar gjashtë herë radhazi në 16-she dhe me pjesëmarrjen e 16-të në Botërore bëhen skuadra që ka luajtur më shumë pa fituar asnjë të tillë. Ky rekord duket se do të vazhdojë, pasi meksikanët duhet të luftojnë për kalimin e grupit. Lojtari më i vjetër i tyre është Rafa Markez, 39 vjeç, ndërsa më i riu Hirving Lozano, 22 vjeç, që ka një dëshirë të madhe për të befasuar botën me golat e tij.

22. KOREJA E JUGUT

Grupi F Në formacion kanë një yll botëror si Son, që luan me Totenhamin. Vijnë në Rusi pa shumë pretendime, por gjithsesi shpresojnë të bëjnë një befasi kundër Meksikës dhe Suedisë. Huang Heçan i Salcburgut mund të jetë surpriza, gjithashtu Li që luan me Veronën mund të shkëlqeje.

23. KOSTA RIKA Grupi D

Katër vite më parë ishin befasi në kampionatin e zhvilluar në Brazil. Mund të mbështeten te portieri i Real Madridit, Kejlor Navas, që shikohet si zot në vendlindje. Përsëritja e suksesit të fundit duket vështirë, por me një mbrojtje të ngjeshur që aplikon trajneri i tyre i ri, gjithçka është e mundur.

24. AUSTRALIA Grupi C

Arritën të kualifikohen në për në Rusi pas një rruge shumë të gjatë kualifikuese, duke kaluar ndeshjet “playoff” kundër Sirisë dhe Hondurasit. Australianët bazohen në lojtarin e Bokumit, Kruse dhe sigurisht mbështeten në eksperiencën e 38- vjeçarit Tim Kahill që ka shënuar 5 nga 11 golat që Australia ka shënuar në Botërorë.

25. MAROKU Grupi B

Shorti nuk i ka favorizuar, por marokenët nuk pësojnë humbje prej një viti dhe në pankinë kanë një trajner si Renard, që kur drejton afrikanët, i kthen në skuadra të superfuqishme. Benatia në mbrojtje dhe Ziek janë lojtarët më të mirë të ekipit.

26. RUSIA Grupi A

Vjen disi me problem në Botëror, pasi humbi për arsye dëmtimi një prej lojtarëve më të mirë të ekipit, si Kokorin, dhe po bën shtatë ndeshje pa fituar. Duhet dikush që të tërheqë ekipin përpara dhe ky mund të jetë talenti Golvin, i cili pritej ta bënte këtë gjë edhe në Euro 2016, gjithashtu pritet shumë nga Mirançuk dhe Aleksei.

27. JAPONIA Grupi H

Japonezët kanë një rritje të programuar prej vitesh, por vetëm dy muaj para Botërorit shkarkuan trajnerin Halidzoviç, pasi kishte raporte jo të mira me yjet e ekipit. Pasuesi i tij Nishino duket se akoma nuk ka gjetur ekuilibrat e duhura. Në skuadër nuk bën pjesë asnjë lojtar nën moshën 23-vjeçare dhe gjithçka pritet nga lojtarët me eksperiencë të ekipit.

28. SUEDIA Grupi F

Edhe pse u bëri gjëmën italianëve, suedezët nuk kanë një ekip që të bën të shpresosh. Roli i liderit ka kaluar nga Ibrahimoviç te Grankvist, ku ndryshimi është shumë i madh. Talent i tyre më i madh është Fosberg. Janë një ekip që nuk shënojnë shumë por kanë aftësinë të bëjnë edhe kundërshtarët që të luajnë keq.

29. IRANI Grupi B

Janë skuadra e parë që kanë mbërritur në Rusi dhe pritet që të jenë po të parët që do të largohen, pasi bëjnë pjesë në një grup shumë të komplikuar me Spanjën dhe Portugalinë. Dyshja sulmuese Azmun dhe Jahanbaksh pritet të dhurojnë gjëra interesante në sulm.

30. TUNIZIA Grupi G

Në tri pjesëmarrjet e fundit nuk kanë mundur të fitojnë asnjë ndeshje. Objektivat e tunizianëve janë minimale dhe zhvillojnë një futboll shumë difensiv ku përdorin skemën 5-4-1. Lojtari, nga i cili të gjithë tunizianët presin shumë, është Skiri, 22- vjeçari që luan për ekipin francez të Montpelier.

31. ARABIA SAUDITE Grupi A

Ka një kohë shumë të gjatë, që skuadra qëndron e grumbulluar në pritje të fillimit të Kupës së Botës. Kualiteti në skuadër është modest, por ndonjë lojtar mund të befasojë. Njëri prej tyre është Alsheiri që zhvilloi një paraqitje shumë interesante kundër Italisë, në një nga miqësoret e pak ditëve më parë.

32. PANAMAJA Grupi G

Skuadra që drejtohet nga Bolilo Gomez është nga më të vjetrat e këtij Botërori. Pasi arriti një kualifikim të papritur, po kalon një formë aspak të mirë, ku pësoi gjashtë gola nga Zvicra e më pas u mund nga Danimarka dhe Norvegjia. Suksesin e vetëm e mori përballë Trinidad, por që nuk ishte një ndeshje zyrtare.

Related posts

ÇMENDURI NË SERIA A/ 22 gola në 4 ndeshje dhe përmbysje të çmendura (FOTO)

Delo.autor

Inter shfaq interes për mesfushorin e Villarrealit

Sadik.Autor

LIVE/ Mbyllet pjesa e parë, Suedia shumë pranë avantazhit

Sadik.Autor

Leave a Comment