Futboll Seria A Sport

BRAZILIANI Kaka: Me Ronaldon te Juventusi përfiton reputacioni i gjithë Seria A

Transferimi i Cristiano Ronaldos nga Real Madridi te Juventusi do të ketë një efekt rigjallërues mbi futbollin italian, sipas ish-futbollistit të Real Madridit dhe Milanit, brazilianit Kaka.
Bardhezinjtë e bindën Real Madridin të ndante rrugët me golashënuesin e vet më të mirë të të gjitha kohërave, duke rënë dakord për një marrëveshje 100 milionë euro.

Dhe, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” përfundoi të hënën testet mjekësore në Torino, si dhe u prezantua para mediave të shumta. Ish-futbollisti ndërkombëtar i Brazilit, Kaka, i cili u transferua nga Sao Paulo te Milani në vitin 2003 dhe më pas kaloi katër vjet në Madrid, para se të kthehej në “San Siro”, beson se prania e Ronaldos në Seria A mund të ndihmojë në rivendosjen e reputacionit sportiv të kampionatit italian, që në vitin 2006 e pa Juventusin të zbresë në Seria B.

“Ronaldo te Juventusi është një gjë e mirë për të gjithë Seria A, – tha Kaka për “Omnisport”, duke folur me mirësjellje ndaj Adidas. – Duke luajtur për Juventusin, është diçka e mrekullueshme. Futbolli italian kishte momente të vështira në të kaluarën, por Juventusi mbijetoi dhe u bë i madh përsëri në Itali dhe në Europë, pas një periudhe negative. Bardhezinjtë e nisën ringritjen nga Seria B dhe tani janë një ekip i madh në Itali dhe Europë. Ata nënshkruan me një nga lojtarët më të rëndësishëm, e morën Ronaldon në Itali”.

Ronaldo do të synojë të ndihmojë Juventusin të fitojë titullin e tetë të njëpasnjëshëm në Seria A, në sezonin 2018-2019, por mbështetësit e klubit shpresojnë se ai mund t’i japë fund pritjes së tyre të gjatë për një trofe të tretë të Ligës së Kampionëve. Juventusi, për herë të fundit e fitoi Champions-in në vitin 1996, por humbi finalen më 2015 me Barcelonën dhe Real Madridin më 2017. “Los Blancos” dhe Ronaldo, gjithashtu, i likujduan bardhezinjtë në çerekfinale të këtij kompeticioni, sezonin e kaluar.

Por Kaka ndjen se efekti i Ronaldos nuk do të jetë vetëm në Torino, por në të gjithë Seria A dhe ligat më të ulëta të Italisë. “Të gjitha ekipet e tjera do të kenë një avantazh, falë këtij emri të madh, – tha 36-vjeçari. – Sipas mendimit tim, si një ish-futbollist i kampionatit italian dhe mbështetës i Milanit, do të jetë një gjë e bukur për futbollin e këtij vendi. Unë preferoj të shoh anën pozitive të nënshkrimit të Ronaldos. Kjo gjë duhet të jetë një shembull për Milanin.

Edhe pse po kalon një periudhë negative, është e mundur që Milani, ashtu si Juventusi, të ringrihet e të bëhet përsëri i madh. Kuqezinjtë duhet të përfitojnë nga ky moment, sepse vëmendja është në futbollin italian. Cristiano Ronaldo sjell shumë gjëra të mira në futbollin italian; mediat, sponsorët dhe mbështetësit, të cilët dëshirojnë ta shohin atë dhe ekipet italiane. Për futbollin italian, është momenti për të përfituar nga ky lojtar”.

Related posts

Argjentina, ja cili është dueli për të zëvendësuar Manuel Lanzinin

Sadik.Autor

LIVE/ Europa League: Mbyllet ndeshja Villarreal-Arsenal. Rezultati 2-1

Delo.autor

Uefa Champions League/ Stambolli do të presë finalen e vitit 2020

Sadik.Autor

Leave a Comment