Futboll Sport

Skënderbeu mendon arkëtimet, shitja e Alitit mban “peng” Bicajn (DETAJE)

Skënderbeu do të jetë në një merkato të gjatë dhe me plot të papritura. Pasi mbetën jashtë Championsit, “furtuna” ka nisur në Korçë. Të shumtë janë lojtarët që kanë shpallur “divorcin” me klubin, megjithatë nuk do të jenë të vetmit. Nëse largimi i Lilajt dhe Souesë nuk solli të ardhura, pasi i pari iku me parametra zero dhe i dyti ishte në huazim, ndryshe ngjau me Xhejmsin, Gavazajn apo Sahitin që sollën të ardhura.

Por, përfitimet pritet që të shtohen prej Fidan Alitit me Bakari Nimagën. Klubi po vijon bisedimet me rusët e Jeniseit, për transferimin e Alitit. Palët janë duke biseduar për disa detaje në kontratë dhe shumë shpejt do të ketë zhvillime. Mbrojtësi kosovar do të gjente atje bashkëkombësin e tij, Enis Gavazajn, që u prezantua vetëm pak ditë më parë. Sigurisht që sapo dy klubet të mbyllin në parim akordin, Aliti do të udhëtojë në Rusi për të nënshkruar me ekipin e ri.

Në anën tjetër është Bakari Nimaga, i cili për disa momente u mendua se do të ngelej të ishte pjesë e Skënderbeut, si pasojë e largimit të klubeve që e ndiqnin. Një gjë e tillë prishte planet e Skënderbeut edhe për atë se Nimaga e ka pagën të lartë dhe mbi të gjitha me progresion në rritje. Por, fitorja e Sherif Tiraspolit dhe kalimi në turin tjetër në Champions, sollën ndryshimin e situatës.

Moldavët e pëlqejnë mesfushorin nga Mali dhe tashmë pritet që palët të mbyllin edhe marrëveshjen. Parimisht është gjetur akordi, megjithatë mbetet për t’u parë përfundimi i këtij “operacioni”.

Bici – Prioriteti i klubit mbetet shitja e lojtarëve dhe mbushja e “arkës”. Por, kjo nuk do të thotë që po lihet pas dore merkatoja në hyrje dhe ndërtimi i skuadrës për sezonin e ri. Zgjedhja e parë për të kompletuar hapësirën që do të lihet bosh prej Fidan Alitit, është Ditmar Bicaj. Mbrojtësi lezhjan është një dashuri e vjetër e Skënderbeut dhe normalisht që rikthimi në Korçë do të ishte i mirëpritur nga të dyja palët. Bisedimet kanë avancuar mjaft dhe mund të themi se nuk mungon shumë që Bicaj të zyrtarizohet te Skënderbeu, ekip me të cilin ka fituar shumë.

Related posts

KORONAVIRUSI/ Pezullime dhe shtyrje garash, ja plani emergjent i UEFA-s

Delo.autor

Nga Spanja: United kërkon Kovacic nga Real Madrid

Q.Autor

DO TË DEBUTOJË NË SEZONIN E ARDHSHËM TË FORMULA 1/ Mick Schumacher: Nuk më tremb krahasimi me babanë dhe frikë nga mbiemri

Delo.autor

Leave a Comment