Cudirat e Boterorit Futboll Sport

SPECIALE/ Botërori 1994: Brazili kampion, Italia “dënohet” nga Baxhio (FOTO)

Kupa e Botës e zhvilluar në SHBA në vitin 1994 është padyshim një nga kompeticionet më të bukura që ishin  parë deri në atë kohë. Por u desh finalja e luksit dhe pa emocione midis Brazilit dhe Italisë për të zbehur disi perfeksionin që kishin përgatitur amerikanët. Një ndeshje pa gola që u vulos te penalltitë. Mund të quhet edhe Botërori i surprizave, kur shikon se skuadra si Rumania, Bullgaria apo Suedia arrijnë të eliminojnë gjigantët botërorë në futboll. Mirëpo Botërori 1994 do të mbahet mend edhe për dramën e shkaktuar argjentinasit më të famshëm mbi tokë, Diego Armando Maradona. “Il pipe” u skualifikua direkt pas ndeshjes me Greqinë, pasi në trup iu gjetën substanca dopuese. Brazili ishte skuadra më e mirë në këtë kompeticion dhe meritonte të fitonte, paçka se në finalen e ndarë me 11-metërsha me Italinë, latino-amerikanët menduan më shumë për mbrojtjen sesa sulmin, pikën e tyre më të fortë.

Rruga për në finale

Pas ndeshjeve në grupe, surpriza quhej Bullgari dhe Rumani. Dy skuadrat ballkanike kishin ardhur në Botëror me synime të qarta. Rumunët, të udhëhequr nga George Haxhi, treguan se ishin me të vërtetë një skuadër kompetitive. Ndërsa bullgarët arritën deri në gjysmëfinale, duke eliminuar në ndeshjet çerekfinale as më shumë dhe as më pak, por vetë Gjermaninë, kampionen e botës në fuqi. Nga ana tjetër, Italia e drejtuar nga Arrigo Saki kishte në gjirin e saj bishtalecin më të famshëm të botës dhe një nga futbollistët idhull të të gjithë të rinjve të viteve `90, Roberto Baxhion. Ishte pikërisht goli i tij ndaj Nigerisë që i dha kualifikimin për në gjysmëfinale Italisë.

Finalja

Pas ndeshjeve gjysmëfinale Brazil-Suedi dhe Itali-Bullgari, latino-amerikanët dhe apeninët iu gëzuan finales së famshme. Ndeshja u karakterizua nga një lojë e mbyllur, ku skuadrat ruheshin më tepër që të mos pësonin, sesa të shënonin në portat kundërshtare. Pas 120 minutash lojë, gjithçka ishte në baraspeshë. Kësisoj u deshën gjuajtjet e penalltive. Dhe kur atëherë më shumë se kurrë Italia i kishte varur shpresat tek idhulli i saj, Roberto Baxhio, pikërisht atëherë ai gabon, duke goditur mbi traun e portës nga pika e bardhë. Për rrjedhojë, Brazili shpallet kampion për të katërtën herë në historinë e Kupës së Botës.

Eskobar, lojtari që u vra për një autogol
Është cilësuar si një nga dramat më të mëdha të futbollit. Edhe pse konsiderohet si një sport, me synimin për të argëtuar tifozët, kjo nuk ka pasur vlerë për fatin e futbollistit Andres Eskobar. Lojtari i Kombëtares së Kolumbisë shënoi një autogol në ndeshjen kundër SHBA-së, e vlefshme për fazën në grupe të Kupës së Botës 1994. Pas një krosimi në zonë, ai e devijoi topin gabimisht për në rrjetën e tij. Në fakt, pikërisht ky aksident që ndodh shpesh në botën e futbollit, i kushtoi jetën. Kur u rikthye në Kolumbi kishte shumë njerëz që e kritikuan për atë autogol dhe në të gjitha rastet ai justifikohej duke u shprehur se ishte pa dashje. Gjithsesi, në mbrëmjen e 2 korrikut 1994, justifikimi i tij nuk pati aspak rëndësi. Pasi doli nga një lokal dhe po drejtohej drejt makinës së tij, tre burra dhe një femër e ndaluan dhe filluan të debatonin për atë gol. Vetëm pak më vonë, dy prej tyre nxorën armën dhe e gjuajtën gjashtë herë në gjoks. Vetëm 15 minuta më pas ai humbi jetën.

“Bishtaleci” më i famshëm
“Bishtaleci” më i famshëm i botës së futbollit gaboi të pagabueshmen, duke humbur penallti në finalen e Botërorit. Por, megjithatë, ai mbetet një nga futbollistët më të mirë italianë të viteve `90. Roberto Baxhio ka luajtur me shumë skuadra në Itali si me Milanin, Interin, Fiorentinën, Juventusin, Bolonjën dhe Breshian, duke treguar klasin e tij të papërsëritshëm.

“Topi i Artë” i kompeticionit
Braziliani Romario është fituesi i “Topit të Artë” në Botërorin amerikan të vitit 1994 dhe futbollisti më i mirë i turneut. Në lojën e tij ka ndikuar edhe përshtatja mjaft e mirë me Bebeton në vijën e sulmit të “seleçaos”. Braziliani Romario u aktivizua me shumë skuadra të ndryshme në karrierën e tij, si në Holandë, Spanjë dhe Brazil, ku mbylli karrierën.

Bebeto dhe festimi i “djepit”
Futbollisti i përfaqësueses braziliane, Bebeto, pas golit të shënuar prej tij në çerekfinale kundër Holandës, së bashku me Mazinjon dhe Romarion, do të ofrojnë një lloj festimi që kurrë nuk ishte parë më parë, por që pas kësaj sfide do të bëhej shumë i famshëm. Në atë periudhë Bebeto pritej të bëhej baba dhe pikërisht pas golit, së bashku me shokët e tij, përpara kamerave të fushës bën gjestin e tundjes së djepit, një dedikim për fëmijën e tij që kishte lindur pak minuta pas fillimit të ndeshjes me Holandën, edhe pse Bebeto nuk e kishte marrë këtë lajm.

Diego Armando Maradona, perëndimi i një “ylli”
Kishte drejtuar kombëtaren e tij në suksesin e Botërorit të vitit 1986. Humbi mundësinë që të fitonte Kupën e Botës për të dytën herë radhazi vetëm një edicion më vonë dhe në 1994-n arriti të realizonte vetëm një gol, duke zhgënjyer totalisht me paraqitjen e tij. Në këtë pikë u kuptua se tashmë edhe një ikone si atij i kishte ardhur fundi. Problemet dhe thashethemet me drogën, si dhe largimi nga Napoli drejt Seviljes (1992-1993) e rrënuan figurën e Diego Armando Maradonës. Duke parë që figura e tij ishte njollosur në Europë, “Dora e Zotit” vendosi të kthehej në vendlindje, në skuadrën e Old Bojs, ku brenda sezonit luajti vetëm pesë ndeshje, sepse më pas vendosi ta mbyllte karrierën në skuadrën e zemrës, Boka Zhunjors. Nga viti 1995 deri në 1997, Maradona koleksionon vetëm 30 ndeshje me verdheblutë, duke shënuar 7 gola dhe më pas vendos të varë këpucët në gozhdë.

Përgatiti:AlpeNews.al

Related posts

Eduart Prodani: Histori e kotë, dënimi Skënderbeut nuk është goditje për futbollin shqiptar

Sadik.Autor

ISHTE VETËM NJË NDESHJE BAMIRËSIE/ Por Usain Bolt nuk ishte njeriu më i shpejtë në fushë

Delo.autor

MERKATO E VERËS/ 24-vjeçari kërkon largimin, nis gara mes Manchester City-t dhe Liverpool-it

Delo.autor

Leave a Comment