Futboll Historiku Sport

SPECIALE/ Botërori 2010: Spanja në “majën e botës” për herë të parë në histori

Afrika e Jugut priti për herë të parë në historinë e kontinentit të zi një Botëror, një Kupë Bote që do të ishte turpëruese për kampionët në fuqi të Italisë, por edhe për Francën, e shoqëruar me dhjetëra skandale përpara dhe gjatë turneut. Por, në të njëjtën kohë, ky eveniment ishte gjithashtu goditja e radhës për Holandën, e cila nuk arriti të thyente mallkimin e saj, duke dështuar për të tretën herë në finale.

Turpërohet Italia

Në fazën e grupeve nuk munguan surprizat, madje ishin ndër ato tragjiket, sepse panë Francën dhe Italinë të eliminoheshin dhe t’i mbyllnin grupet e tyre në vendin e fundit, edhe pse në letër dukeshin si ndër më të lehtët.

Gjermania dhe goli fantazmë 

Në raundin e radhës, nuk pati asnjë surprizë, me të gjitha favoritet në letër që ia dolën, ndonëse Portugalia i dha fundin aventurës së saj, duke u mundur nga Spanja. Ndërkohë, Gjermania, e cila shkatërroi Anglinë 4-1, ia vështirësoi shumë gjërat vetes. Teksa vajtën në avantazh 2-0 (Podolski dhe Klose), “Tre Luanët” e barazuan sfidën. Ngushtuan me Apsonin fillimisht, ndërsa Lampard edhe pse shënon, me topin që u përplas në traversë dhe që kaloi vijën fatale për më shumë se 1 metër, e pa golin e tij të mos i akordohej nga arbitri uruguain Larrionda. Në pjesën e dytë, anglezët e nervozuar dhe të zhbalancuar u mbytën në shifrat 4-1.

Finalja

Për tifozët holandezë mund të ketë qenë nga finalet më tragjike, sepse teksa i rezistuan Spanjës për 90 minuta me porta të paprekura, në kohën shtesë, Arjen Roben do t’i kishte dhënë shumë shpejt fund ëndrrës së “Furive të kuqe” për të fituar Botërorin e tyre të parë në histori, por në dy raste gjatë kohës shtesë, sulmuesi i Bajernit e pa veten të hipnotizuar, i vetëm dhe i pamarkuar përballë portierit Kasijas, që pas asaj sfide u bë shenjt për spanjollët, “San Iker”. Por ato që gaboi Robeni nuk mund t’i humbte Andres Iniesta, i cili tronditi Holandën vetëm 4 minuta përpara se finalja t’i drejtohej lotarisë së penalltive.

 

Orakulli i parashikimeve të ndeshjeve

Një ndër kuriozitetet më të bukura që solli Botërori 2010 ishte oktapodi Pol, kafsha detare e akuariumit të Oberhauzenit (Gjermani), i cili u shndërrua gjithashtu edhe në benianimin e bastexhinjve në botë. Ndonëse fillimisht u hodh vetëm si një gjetje mediatike, duke iu bashkuar parashikimeve edhe të disa kafshëve të tjera, oktapodi i jashtëzakonshëm gjeti saktësisht rezultatin e të shtata ndeshjeve të Kombëtares së Gjermanisë, por gjithashtu edhe fituesin e Kupës së Botës. Me parashikimet e tij Pol u bë i famshëm në të gjithë botën, aq sa zgjedhjet e tij nuk mund të mungonin në asnjë faqe gazete e reviste, por edhe televizioni e uebsajti, përpara se Gjermania të zbriste në fushë.

Vegla muzikore që tërboi komentatorët

Në Afrikën e Jugut e quajtën një vegël muzikore, që do ta bënte më të bukur Botërorin 2010, por në të vërtetë, ajo u shndërrua në një “armë” mbytëse për komentatorët. E prodhuar nga Neil Van Shalkvijk, ajo mori një famë të jashtëzakonshme, duke shitur dhjetëra milionë ekzemplarë në të gjithë botën (erdhi deri në Shqipëri), por teksa ndeshjet kalonin, zhurma e saj bëhej e padurueshme. Me një jehonë të fortë dhe shurdhuese, ajo bëri që komentatorët e televizioneve që komentonin ndeshjet në stadium të bënin një apel për zhdukjen e tyre nga impiantet, pasi e kishin të vështirë të analizonin ndeshjen nën atë zhurmë, e cila asimilonte totalisht edhe festën e tifozëve pas një goli.

Përgatiti:AlpeNews.al

Related posts

GROPOSTET KLUBI ITALIAN/ Nuk regjistrohet as në kategorinë e katërt. Rezikohet zhdukja nga harta e futbollit

Delo.autor

MUNGON MESSI/ Ja formacioni i blerjeve më të shtrenjta në historinë e “El Clasico” (FOTO)

Delo.autor

ZYRTARE/ Partizani godet në merkato, afron mbrojtësin që është aktivizuar më parë në Holandë

Delo.autor

Leave a Comment