Futboll Sport

Vlerësimet rol pas roli për finalen, Kroacia mund Francën 8-4

Sot luhet akti i fundit i Kupës së Botës. Përveçse një finale e pazakontë, sfida paraqet edhe një duel mes dy ekipeve diametralisht të kundërta.

Pikërisht me një analizë “kokë më kokë” mes vlerësimeve të lojtarëve, “Daily Mail” është munduar të gjejë përpara kohe fituesen e sfidës së sotme mes Francës dhe Kroacisë, në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, në orën 17:00.

Portierë / Loris 8 kundër Subasiç 9

Duke përjashtuar ndeshjen kundër Argjentinës, porta e Francës ka qenë përgjithësisht e sigurt falë kapitenit të saj. Frika që gardiani francez mund të gabojë në çdo moment ka ardhur duke u venitur, madje Loris ka qenë vendimtar në më shumë se një rast për mbërritjen e “Gjelave” në Moskë. Gabimi fatal nuk ka ardhur ende në këtë Botëror, ndaj përballë homologut kroat, ai francez është një shkallë më poshtë. Duke kaluar te porta kroate, numri 1 i ekipit të Daliç ka treguar soliditet dhe lexim të mirë loje. Si një garanci nga pikat e bardhë, Subasiç është fituesi i duelit të portës.

Mbrojtës të djathtë/ Pavar 6.5 kundër Vrsaljko 9 Mbrojtësi francez i Shtutgartit mungoi në një ndeshje me pak vlerë për “Gjelat”, siç ishte ajo ndaj Danimarkës, teksa ka qenë i pranishëm në të gjitha takimet e tjera. Disiplinë, krosime të sakta dhe mbështetje konstante të sulmit janë karakteristikat që e transformuan në një titullar të kësaj Franca. Edhe në këtë rast, dueli fitohet nga kroatët. Ashtu si Pavar, edhe Vrsaljko ka munguar në një ndeshje, por në takimet e fundit që kanë kaluar, edhe në kohën shtesë, mbrojtësi i djathtë i Atletikos ka qenë një serbator i rëndësishëm energjie. Vlera e tij do të testohet sot, kur Grizman do të jetë rreziku numër 1.

Mbrojtës qendre i djathtë/ Varan 9 kundër Lovren 8

Fitorja, megjithëse minimale, këtë herë shkon te francezët, falë edhe mbrojtësit të Realit të Madridit. Prapavija e “Gjelave” është ndëshkuar vetëm katër herë dhe duke përjashtuar ndeshjen ndaj Argjentinës, Varan ka qenë monstruoz në të gjithë ndeshjet e tjera duke dhënë kontribut edhe në tabelën e golashënuesve francezë. Edhe Lovren ka bërë më shumë se detyrën në këtë Botëror, por sot detyra bëhet e komplikuar pasi përballë do të ketë cilësinë franceze, më e mira e Botërorit deri në një provë të kundërt.

Mbrojtës qendre i majtë/ Umtiti 9 kundër Vida 7 Në këtë rast, dueli është pa shumë histori. Konstant gjatë gjithë aventurës ruse, mbrojtësi francez ishte ai që me një gol solli ekipin e Deshamp në finalen e sotme. Edhe sot niset i avantazhuar sepse asnjë nga kroatët e sulmit nuk është më i gjatë se mbrojtësi i Barçës. Nga ana tjetër qëndron Domagoj Vida, që në këtë Botëror ka provuar gjithashtu shijen e një goli vendimtar (ndaj Rusisë në çerekfinale). Ndoshta nuk ka klasin e homologëve më të njohur të rolit, por efikasiteti i tij e ka kthyer në një shtyllë të prapavijës kroate.

Mbrojtës të majtë/ Hernandez 6 kundër Pivariç 6.5

Dëmtimi i Benzhamë Mendit i dhuroi një shans të artë, që e transformoi në titullar të Deshampit, por anësori i Atletikos, më shumë sesa duke luajtur, është dalluar për protestat e shumta dhe qëndrimet në tokë i dëmtuar, duke humbur kohë. Finalet arrihen edhe kështu, por nuk dihet nëse mund të fitohen në këtë mënyrë. Nga ana tjetër, nëse Striniç nuk ia del, Josip Pivariç është gati për finalen e tij. Me vetëm një ndeshje të plotë, ndaj Islandës, kroati mund të rezultojë një armë e mirë në të majtë për Zllatko Daliçin.

Mesfushorë qendre / Kante 9 kundër Brozoviç 7.5

Minutat e luajtura nuk janë në proporcion, por sidoqoftë Kante luan “sa për dy”, ndaj vështir se mund të gjendet një tjetër mesfushor në gjendje për ta mundur. Ndoshta nuk duket shumë, por Kante është ndër interpretuesit më të mirë të rolit me kilometra të shumtë dhe po aq topa të vjedhur në çdo ndeshje. Kundër njeriut kyç të Francës në mesin e fushës do të jetë Marselo Brozoviç. Me 16.3 km të përshkuar në ndeshjen e fundit, kroati i Interit tregoi se ka edhe ai katër mushkëri, ndaj, nëse sot do të ketë një duel force, pa dyshim është ky.

Mesfushorë qendre / Pogba 8 kundër Rakitiç 8.5

Mesfushori i “Gjelave” në këtë turne tregoi se ka kaluar çdo test pjekurie dhe me vizionin e tij ka drejtuar manovrën e Francës. Më i gatshëm se kurrë për një ndeshje, sot Pogba do të tregojë brumin me të cilin është gatuar. Nëse kroatët janë në finale, pa dyshim suksesi ka kaluar në këmbët e Rakitiç. Përvojë dhe cilësi në shërbim të skuadrës, ky duel mund të cilësohet si më i përshtatshmi për estete futbollit modern.

Mesfushorë ofensivë / Grizman 8 kundër Modriç 9.5 Që në fillimin e kompeticionet, Franca priste nga “Zidani” i grupit, por nëse në ndeshjet e grupit shënonte, por nuk luante, në ndeshjet me eliminim direkt Grizman po tregon vlerat e tij. Në atdhe presin të vendosë finalen me një gol, por edhe një asist si ai ndaj Varan do të mirëpritej. Në anën tjetër qëndron një kroat fantastik, i quajtur Luka Modriç. Driblime, shpejtësi dhe ide, me ekipin kroat që i falet solistit që luan për grupin. Dyshime nëse vlen për “Topin e Artë” mund të ketë, teksa nuk ka asnjë në lidhje Kroacinë, që vështirë se do të mbërrinte deri këtu pa numrin e saj 10.

Sulmues i djathtë / Mbape 9 kundër Rebiç 7

Francezi është pa dyshim fenomeni i këtij Botërori. Aftësitë e tij, por sidomos shpejtësia në mendim-veprim, ka habitur edhe më skeptikët. Falë tre golave, ai është bashkuar Pelësë në listën e golashënuesve më të rinj, teksa synon t’i bashkohet edhe për fitimin e Kupës së Botës. Përballë 19-vjeçarit francez qëndron një lojtar polivalent që nuk di të ndalojë. Presing i vazhdueshëm dhe sakrifica në çdo moment e kanë kthyer Ante Rebiçin në një pikë referimi në korsinë përkatëse, ku krosimet dhe mbulimet janë në rend të ditës, ose më mirë ndeshjeve…

Sulmues i majtë / Matuidi 7.5 kundër Perisiç 8

I përshtatur në një rol që nuk i përket, Matudi ka treguar se është një “ushtar” taktik i denjë për çdo situatë. Ndërhyrjet e shumta i kushtuan ndeshjen ndaj Uruguait dhe sot mund të jetë shënjestra e kroatëve për të gjetur një zgjidhje të ndeshjes. Ivan Perisiç në këtë botëror ka treguar të gjitha mangësitë në nivel vazhdueshmërie, por është po aq e vërtetë se ka qenë ndër të parë që ka marrë për dore Kroacinë kur e ka kërkuar nevoja, me sakrifica në mbrojtje dhe vendosmëri në sulm. Për më shumë informacione duhen pyetur anglezët.

Sulmues qendre / Zhiru 7.5 kundër Manxukiç 8.5

Didie Deshamp i ka besuar sulmin për një aspekt të vetëm: Peshën. Olivie Zhiru ka kryer deri më sot çdo detyrë me përpikmëri, duke dështuar në misionin e tij kryesor, që janë golat. Asnjë goditje drejt portës është një tjetër statistikë që e bën të humbë duelin me Mario Manxukiçin. 32-vjeçari kroat është taktikisht sulmuesi i parë i Kroacisë, teksa në fushë shndërrohet në mbrojtësin e saj të parë. Vrapime dhe mbulime me sasi industriale, të cilave u bashkohen edhe golat vendimtarë, siç ishte ai në gjysmëfinale kundër anglezëve.

Trajnerët / Deshamp 9 kundër Daliç 9.5 Pesë lojtarët nga 23 të organikës franceze janë shpallur kampionë bote për 20-vjeçarë. Baza cilësore sigurisht që e ka ndihmuar Didie Deshampin të arrijë finalen, por është po aq e vërtetë që përvoja dhe personaliteti i tij kanë ndikuar te kjo skuadër e stërmbushur me shumë talent, që përvojën e munguar e ka gjetur pikërisht te trajneri i saj i shpallur kampion bote dy dekada më parë. Në pankinën tjetër qëndron Zlatko Daliç, që ndoshta nuk ka kurrikulumin e homologut, por me shumë zotësi ka ditur të marrë më të mirën nga djemtë e tij, duke larguar edhe një sulmues cilësor dhe problematik si Nikola Kaliniç

Related posts

TIRANA-PARTIZANI/ Goditje e rëndë për kampionët, Idrizaj realizon autogol të çuditshëm (VIDEO)

Delo.autor

TRAGJIKE PËR LUIS ENRIQUE/ Real Madrid bën gjestin fantastik para seancës stërvitore…. (FOTO)

Delo.autor

VDEKJA e Davide ASTORIT/ Bashkëshortja PËRLOT ITALINË me rrëfimin e DHIMBSHËM

Isa.Autor

Leave a Comment