Champions League Futboll Sport

Derbi i Madrid luhet në Estoni/ Gjithçka që duhet të dini për Superkupën e Europës…

Sezoni 2018-19 i futbollit europian do të paraqesë ndeshjen më të rëndësishme deri tani, Superkupën e Europës, e cila do të luhet në stadiumin “Lillekula” të Talin, në Estoni, mes Real Madrid, fitues i Champions League dhe Atletico Madrid, fitues i Europa Leauge, një derbi madrilen në Gadishullin Baltik.

Real Madrid është në fillimin e një epoke të re, pas shitjes së Cristiano Ronaldo për te Juventus për 100 milionë euro. Nga ana tjetër, Atletico Madrid ka arritur të mbajë në skuadër Antoine Griezmann. Fituesi i Kupës së Botës 2018 ka qenë në shënjestrën e Manchester United dhe Barcelona, por vendosi të rinovojë kontratën me ekipin e drejtuar nga Diego Simeone.

Të dyja ekipet vijnë në këtë ndeshje pasi fituan trofe në edicionin e kaluar të Kupave të Europës. Real Madrid mori Champions League për herë të tretë radhazi, teksa mposhti 3-1 Liverpool në finalen e Champions League, ndërsa Atletico Madrid mori trofeun e Europa League, pasi fitoi 3-0 ndaj Marseille. “Los Colchoneros” shkuan në “kupën e vogël”, pasi dolën në vendin e tretë në grupin e tyre në Champions.

Kjo është hera e dhjetë që rivalët e qytetit të Madridit do të ndeshen për Kupat e Europës, ku përfshihen edhe sfidat në katër edicione radhazi në Champions League, me Real që fitoi finalet në vitet 2014 dhe 2016.

Pjesa më e madhe e futbollistëve të Real Madrid, që ishin të impenjuar në Kupën e Botës, e kanë bërë të plotë fazën përgatitore, sepse Spanja u eliminua shpejt, ndërsa Gareth Bale dhe Karim Benzema nuk ishin në “Rusi 2018”. Luka Modric, që shkoi deri në finale me Kroacinë, ka luajtur vetëm 15 minuta në miqësoren kundër Milan dhe me shumë gjasa pritet ta nisë nga stoli këtë ndeshje. Mund të ketë një rol edhe blerja e re Vinicius Jr., i cili ka lënë një përshtypje shumë të mirë në këtë prag-sezon. Thibaut Courtois, i ardhur nga Chelsea, gjatë merkatos së verës, mund të qëndrojë në stol, sepse klubi duket se ka vendosur të respektojë Keylor Navas, i cili e meriton të jetë në këtë ndeshje, pasi ka qenë pjesë e ekipit që ka fituar tre Champions radhazi.

Atletico Madrid ka pasur një merkato të zënë, duke shpenzuar miliona euro, mes të cilëve spikat blerja e sulmuesit francez Thomas Lemar nga Monaco, për 70 milionë euro. Nuk ka pasur largime për t’u shënuar nga skuadra e Simeone, me përjashtim të Fernando Torres që shkoi në Sagan Tosu në Japoni dhe Gabi Fernandez, që zgjodhi Al Sadd në Katar, për të mbyllur karrierën.

Dy kampionët e botës, Antoine Griezmann dhe Lucas Hernandez e kanë nisur stërvitje vetëm të hënën e kaluar, kësisoj pritet ta nisin ndeshjen nga stoli, ndryshe nga Lemar, që hoqi dorë nga dy javë pushime, pikërisht për të qenë i gatshëm për këtë ndeshje. Pritet të luajë edhe kroati i ardhur nga AC Milan, Nikola Kalinic.

Real dhe Atletico janë ndeshur me njëri-tjetrin në 219 ndeshje. “Merengues” ka fituar në 109 raste, ndërsa Atletico në 55 ndeshje. 55 të tjera janë mbyllur në barazim. Gjithsesi, kjo do të jetë përballja e parë mes Lopetegui dhe Simeone. Pra, Real ka dominuar historikisht, por që pas ardhjes së Simeone në stolin e Atletico kjo tendencë ka ndryshuar. Atletico ka fituar katër nga dhjetë ndeshjet e fundit, duke humbur vetëm një. Kjo vlen për La Liga, sepse në Europë gjërat kanë shkruar ndryshe me Real që ka fituar pesë nga nëntë përballjet në Champions, ndërsa Atletico vetëm dy.

Real Madrid ka shënuar gol në secilën prej 30 ndeshjeve të fundit që ka luajtur në Kupat e Europës. Në 22 ndeshjet e luajtura me kundërshtarë nga Spanja, Real ka fituar 12 ndeshje dhe ka humbur katër, ndërsa Atletico ka fituar 10 nga 14 ndeshjet e luajtura vjet në Europë, duke shënuar mesatarisht 2.5 gola për ndeshje. Nëse kjo sfidë shkon me penallti, duhet të marrim parasysh se Real ka fituar dy dhe ka humbur dy nga përballje të tilla në Europë (50%), ndërsa Atletico ka fituar në dy raste, por ka humbur në katër (33%).

Formacionet e mundshme:

Real Madrid: Keylor Navas, Dani Carvajal, Sergio Ramos, Nacho Fernandez, Marcelo, Casemiro,Toni Kroos, Gareth Bale, Isco, Marco Asensio, Karim Benzema.

Atletico Madrid: Jan Oblak, Santiago Arias, Diego Godin, Stefan Savic, Filipe Luis, Koke, Saul Niguez, Rodri, Thomas Lemar, Diego Costa, Nikola Kalinic.

Related posts

ZE MARIA BËHET NOSTALGJIK ME TIRANËN/ Shikoni postimin e ish-trajnerit dedikuar “bardhebluve” (FOTO)

Delo.autor

KËRKON PËRFORICME NË EKIP/ Barcelona largon mbrojtësin, ofertë të re për lojtarin e Guardiolës

Delo.autor

POSTERI GJIGAND PËR TEKNIKUN E ROMËS/ Mediat italiane: Tirana, super pritje për Mourinho

F.autor

Leave a Comment