Futboll Sport

LEGJEONARËT/ Skaner nga porta tek sulmi, ja gjendja e kuqezinjve para Nacionale League

Kombëtarja shqiptare e futbollit, pas pushimeve të verës, do të rikthehet e grumbulluar në fillim të muajit shtator, për të marrë pjesë në Ligën e Kombeve. Problemet e shfaqura në ndeshjet miqësore, të luajtura në fund të muajit maj dhe fillim të qershorit të këtij viti, duhet të korrigjohen për ndeshjen kundër Izraelit, që do të luhet më 7 shtator. Mungesa e minutave në këmbë për shumë nga lojtarët kuq e zi, që luajnë në liga të ndryshme të Europës, si dhe dëmtimet e disa të tjerëve, ishin shkaku i paraqitjes së turpshme në dy ndeshjet miqësore kundër Kosovës dhe Ukrainës. Ky ishte faktor i pranuar dhe nga trajneri Christian Panucci, i cili në prologun e atij grumbulli shprehu dëshirën që në shtator të rikthehen të dëmtuarit dhe të kenë minuta ata më pak të aktivizuarit. Por sot, kur kanë nisur pothuajse të gjithë kampionatet, ku aktivizohen titullarët e kombëtares kuqezi, situata paraqitet ende gri. Telesport sjell një raport të aktivizimit të futbollistëve të kombëtares, kryesisht atyre të grumbulluar gjatë muajit qershor, në lidhje me aktivizimin e tyre në klubet ku luajnë.

Porta

Në katërkëndësh duket gjithçka në rregull. Etrit Berisha, Alban Hoxha, Gentian Selmani dhe Thomas Strakosha janë në formë të mirë dhe kanë aktivizim të rregullt në ndeshje miqësore apo zyrtare me klubet e tyre. Kështu trajneri Christian Panucci, të paktën nuk do të ketë dhimbje koke për portën.

Mbrojtja

Reparti më problematik duket se do të jetë mbrojtja. Përjashto Elseid Hysaj, pjesa tjetër e futbollistëve që përbëjnë këtë repart në ekipin kombëtar kanë pasur probleme gjatë dhe pas përfundimit të sezonit të kaluar futbollistik. Mërgim Mavraj dhe Arlind Ajeti ende nuk kanë gjetur ekip, ndaj prej muajsh nuk kanë pasur aktivizim. Ndërkohë, Bujar Lika është aktivizuar si zëvendësues te Grasshoppers, ndërsa Berat Gjimshiti ka bindur te Atalanta në ndeshjen e fundit të Europa League. Prej kohësh nuk ka aktivizim as Frederik Veseli dhe Hysen Memolla, ndërkohë që i vetmi nga të rinjtë e këtij reparti që gëzon formë të mirë është Egzon Binaku.

Mesfusha

Edhe këtu gjërat janë sërish gri. Ylber Ramadani, që aktivizohet te skuadra Vejle në Danimarkë, është lojtari që ka më shumë aktivizim. Ish-mesfushori, që ka luajtur me Partizanin, ka luajtur pothuajse në çdo ndeshje nga 90 minuta. Kamer Qaka, i cili aktivizohet te Steaua në Rumani, vazhdon të përndiqet nga makthi i dëmtimeve. Një dëmtim serioz e pati dhe në ndeshjen kundër skuadrës së Astras, ku aktivizohet rregullisht sulmuesi tjetër kuqezi, Azdren Llullaku, ndaj ende nuk dihet nëse Qaka do të jetë në formë për Panuccin. Emanuele Ndoj gjithashtu duket në formë të mirë, pasi mesfushori që aktivizohet te skuadra e Serisë B në Itali, Breshia, ka pasur aktivizim me minuta të plota në ndeshjet e fundit të luajtura nga skuadra e tij. Ish-mesfushori i Skënderbeut, Sabien Lilaj, që tashmë luan në Azerbajxhan, gjithashtu gëzon formë të mirë. Ai duket se është përshtatur me ritmin e skuadrës së Gabalas dhe ka zënë vendin e titullarit në formacion. Lilaj pritet të jetë sërish në listën e trajnerit të kombëtares për ndeshjet e shtatorit. Një nga transferimet më të bujshme të Superligës, Kristal Abazaj, që shkoi në Belgjikë tek Anderlecht, nuk ka arritur ende të gjej një vend në formacionin titullar. Dëmtimi që pati para nisjes së kampionatit duket se e ka penalizuar Abazajn të hidhet në fushën e lojës nga trajneri, ndonëse skuadra e tij po ecën mirë me katër fitore radhazi në kampionat. Odise Roshi, i cili luan së bashku me Bekim Balaj në Rusi te skuadra e Akhmat Grozny, ka pasur minuta të plota, por në ndeshjen e fundit ai ka pësuar një dëmtim, që mund të jetë penalizues edhe për kombëtaren. Ermir Lenjani vijon të jetë pjesë e skuadrës së Sion në Zvicër. Në ndeshjet e fundit ai është aktivizuar nga stoli. Situatë e komplikuar është ajo e Armando Vajushit, i cili nga një yll premtues, tashmë e sheh veten në Serinë C në Itali. Ai nuk është aktivizuar te skuadra e Pro Vercelli në ndeshjet e fundit. Enis Gavazaj ishte një tjetër transferim i rëndësishëm i Superligës këtë sezon. Futbollisti i kuq e zi kaloi nga Skënderbeu te skuadra e Premier Ligës ruse, Yenisei. Aktualisht ai është në formë të mirë, por minutat në këmbë kanë qenë të pakta.

Sulmi

Rey Manaj ka debutuar me gol në ndeshjen e parë me skuadrën e Albacete-s në ligën e dytë të futbollit në Spanjë. Sulmuesi i rritur në akademinë e Interit në Itali, gëzon formë të mirë dhe pritet të jetë pjesë e listës së Christian Panucci-t për ndeshjen ndaj Izraelit më 7 shtator. Bekim Balaj la pas një sezon për tu harruar, pas një dëmtimi që e mbajti gjatë jashtë fushës me skuadrën e Ahkmat Grozny në Rusi dhe kombëtaren. Tashmë sulmuesi shkodran po fiton pak nga pak vendin e titullarit te skuadra e Premier Ligës ruse, ndonëse ende nuk ka gjetur rrjetën, ndaj pritet të jetë pjesë e listës së sulmit të Panucci-t. Sokol Cikalleshi e ka nisur si titullar me Osmanlispor në Turqi çka i jep atij një bonus për t’u grumbulluar nga trajneri Panucci, por në ndeshjen e parë të kampionatit sulmuesi pësoi një dëmtim dhe nuk luajti në ndeshjen e kësaj fundjave. Transferimi më i shtrenjtë i Superligës, Sindrit Guri, i cili luan tashmë në Belgjikë me Ostende, është në formë të shkëlqyer dhe ka aktivizim të plotë në çdo ndeshje. Trajneri Panucci e ka ndjekur nga afër sulmuesin në ndeshjet e fundit. Në formë të mirë është dhe Azdren Llullaku, që tashmë luan në Rumani te skuadra e Astras. Sulmuesi ka pasur paraqitje të mira me skuadrën e tij, duke gjetur edhe rrugën e rrjetës.

Related posts

FORMULA 1/ Piloti Verstappen: Ky sezon një shans i madh për mua e Red Bull

Delo.autor

AUTORI I GOLIT TË FITORES/ Hasani: Kemi nevojë për merkato në të gjithë repartet, ne duhet të…

Isa.Autor

MBROJTJE TOTALE TË SERISË A/ Shqipëria e vetmja në Europë pas… Italisë

Delo.autor

Leave a Comment